Mervete Salih Maksutaj (10.4.1978 – 4.12.1998)
Një numër i madh pjesëmarrësish përfshirë personelin e Spitalit të Përgjithshëm Pejë, Deputet të Parlamentit të Kosovës, Pjesëtarë të FSK-së, Policisë së Kosovës, bashkëluftëtarë e familjarë të dëshmores si dhe qytetarë morën pjesë në përkujtim të heroizmit dhe rënies para 21 vite të Dëshmores së Kombit atëherë 20 vjeçare.
Myrvete Maksutaj, u vra gjatë luftimeve me forcat serbe në oborrin e Spitalit, gjatë përpjekjes për të liruar bashkëluftëtarët e saj që ishin të burgosur dhe duke u trajtuar në Spital. Lavdi dëshmorëve të Kombit.
Njëra prej të rejave, e cila iu përgjigj me devotshmëri kushtrimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ,për liri, ishte edhe Mervete Maksutaj nga fshati Orrobërdë i komunës së Burimit mit (ish-Istog). Mervetja ka lindur më 10 prill të vitit 1978 në një familje me bujari tradicionale. Ajo ishte rritur me rrëfimet për trimëritë e Bardh Isufit, Salih Hoxhës e të trimave të tjerë nga të parët e saj. Edukatorja e parë e saj, e cila e kishte mbajtur gjithmonë të zgjuar kureshtjen e vajzës së re, për luftërat e vazhdueshme shqiptaro-serbe, kishte qenë gjyshja e Mervetes. Ajo i kishte shpjeguar asaj për luftimet e burrave të familjes së saj e të trevës së Podgurit në trevën e Novi-Pazarit, gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore.
Shkollën fillore, Mervetja e kreu në Banjë të Burimit. Në kohën kur ajo e kreu këtë fazë të shkollimit, pushtuesi serb e kishte ndaluar funksionimin legal të shkollës shqipe, prandaj shkollën e mesme e mbaroi në fshatin Vrellë, në një shtëpi-shkollë. Edhe në këto kushte mësimi, Mervetja ishte dalluar si nxënëse e sjellshme dhe punëtore.
Në shtator të vitit 1991, Mervetes dhe familjes së saj i erdhi një goditje e rëndë nga pushtuesi. Radhëve të të rinjve shqiptarë, që atë kohë likuidoheshin në armatën jugosllave, iu shtua edhe vëllai i madh i Mervetes, Enveri. Ai ishte detyruar të shkojë në shërbim të kësaj armate, në qytetin kroat, Gjakovo. Kjo ngjarje e kishte tronditur pa masë shpirtin e ri të Mervetes, por njëkohësisht edhe e kishte ndërgjegjësuar për faktin e pakuptimësisë së jetës nën robërinë serbe. Në këtë kohë, urrejtja e saj ndaj pushtuesit kishte arritur kulmin, prandaj para arkivolit të vëllait kishte premtuar se do t’ia merrte hakun.
Si vajzë e rritur dhe e edukuar në frymën e ndjenjave kryengritëse e atdhetare, Mervetja ishte pjekur para kohe. Gjatë shkollimit të mesëm, ajo ishte mjaft aktive në krijimin e një rrethi shokësh e shoqesh me preokupime më të gjera sesa ato të mësimit. Një përjetim i veçantë gëzimi për të ishin njoftimet për aksionet e armatosuratë njësiteve të UÇK-së kundër policisë serbe, të cilat në gjysmën e dytë të viteve ’90 u bënë gjithnjë e më të shpeshta. Këto aksione, te Mervetja kishin forcuar bindjen se së shpejti do të vinte koha për të marrë hakun jo vetëm të vëllait të vet e të qindra të rinjve të tjerë shqiptarë, por edhe për vetë Kosovën, e cila po vuante nën robërinë shekullore serbe.
Një kuptim të ri, jetës së Mervetes i kishte dhënë dalja e UÇK-së në skenën e hapët dhe shpërthimi i luftës së armatosur në Drenicë. Epopeja e komandantit legjendar Adem jashari dhe e familjeve jashari në Prekaz, në mars të vitit 1998, e kishte bërë edhe më të papërmbajtur shpirtin kryengritës të vajzës trupatlete, Mervete Maksutaj. Tashmë çdo ditë e saj ishte e gjatë derisa të vinte momenti kur edhe ajo të radhitej në radhët e ushtrisë, që do t’ia kthente Kosovës dinjitetin dhe krenarinë e përdhosur. Gjatë kësaj kohe ajo nuk kishte ndenjur duarkryq, por kishte bërë përpjekje të gjente rrugën e inkuadrimit në UÇK. Këtë rrugë ajo e kishte gjetur duke pasur lidhje të drejtpërdrejtë me bashkëfshatarin e saj, me të cilin kishte edhe lidhje gjaku, Nazmi Muzliaj. Mervetja dhe Nazmiu, i cili në korrik të vitit 1998 ra në fushën e nderit, edhe më parë ishin dalluar si veprimtarë, në fshatin e tyre e në rrethinë. Duke pasur lidhje me UÇK-në, në verë të vitit 1998, Mervetja shkon në fshatin Gllogjan, i cili ishte bërë bazë e fuqishme e UÇK-së. Me rekomandimet e komandës së UÇK-së të kësaj zone, ajo pastaj shkon në fshatin Shqiponjë (ish-jabllanicë e Dushkajës), ku po ashtu ishin organizuar njësitet e UÇK-së. Më 11 korrik të vitit 1998, Mervetja u inkuadrua në radhët e UÇK-së, në kuadrin e brigadës 132 “Myrtë Zeneli”. Në betejat që zhvilloi kjo brigadë, gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1998, Mervetja u shqua për trimëri dhe shkathtësi të rrallë.
Ajo mori pjesë në aksione sulmi mbi policinë serbe në shumë vende të Rrafshit të Dukagjinit. si në Broliq, Çallapek, Bellacerkë, Jabllanicë e Gjakovës e të tjera. Në sulmin e organizuar mbi postbllokun policor në fshatin Çallapek, më 15 shtator të vitit 1998, e cila datë shënonte edhe përvjetorin e rënies së të vëllait, Mervetja kishte qenë në krye të njësitit.
Në vjeshtë të vitit 1998, komanda e Zonës Operative të Dukagjinit kishte orientuar përpjekjet e saj për shtrirjen e organizimit të njësiteve të UÇK-së edhe në pjesën verilindore të Rrafshit të Dukagjinit, përkatësisht në disa pjesë të territorit të komunës së Burimit e të Klinës. Mervetja ishte angazhuar drejtpërdrejt rreth këtij organizimi, i cili rezultoi me formimin e brigadës 133 “Adrian Krasniqi”.
Pas formimit të brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, Mervetja aktivitetin e saj ushtarak e zhvilloi kryesisht në zonën e veprimit të kësaj brigade. Ajo kreu shumë aksione kundër forcave pushtuese, tashmë si një ushtare e rryer në beteja. Më 4 dhjetor të vitit 1998, Mervetja kishte marrë përsipër edhe misionin për lirimin nga duart e armikut të disa bashkëluftëtarëve të saj, të cilët, pas plagosjes në betejë me trupat serbe, kohë më parë, ishin kapur nga këta trupa dhe ishin dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku po mbaheshin nën mbikëqyrje policore. Në mesin e këtyre bashkëluftëtarëve ishin Afërditë Zekaj, Naim Lushaj e të tjerë. Më parë, Mervetja e kishte përgatitur terrenin për lirimin e këtyre bashkëluftëtarëve, duke i njoftuar ata për planin, në mënyrë që të qëndronin në gjendje gatishmërie. Atë ditë dimri, Mervetja ngjesh armët, bombë e revole, dhe niset në aksion. Si stërmbesë e vërtetë e Shotës, pa iu trembur syri fare, ajo sulmon rojën policore në hyrjen kryesore të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, me ç’rast arrin të depërtojë te roja tjetër policore në korridorin e katit të dytë ku ndodheshin të shtrirë bashkëluftëtarët e saj. Mervetja sulmon, sakaq, policinë me bombë dore, por pastaj edhe me revole. Aty zhvillohet një dyluftim i vërtetë, ndërkohë që disa prej të plagosurve të arrestuar arrijnë të dalin nga Spitali. Gjurmët e shpërthimit dhe gjaku i mbetur në korridorin e këtij spitali, të cilat janë parë më vonë nga dëshmitarët, kanë dëshmuar se Mervetja kishte vrarë disa policë serbë, kurse vetë kishte arritur të tërhiqet dhe të dalë nga Spitali duke shpërthyer edhe rrethimin policor të organizuar në korridorin e katit të dytë. Mirëpo, ndërkohë që ajo kishte mësyrë të tërhiqej në drejtim të Grykës së Rugovës, armiku i alarmuar kishte organizuar pritën tjetër në oborrin e Spitalit. Në tërheqje e sipër, disa dhjetëra metra larg udhëkryqit të Spitalit, Mervetja goditet në ballë nga një plumb i armikut dhe aty bie në fushën e nderit, pa rënë e gjallë në duart e tij. Mbrëmjen e asaj dite mjetet serbe të propagandës, aksionin e Mervetes e përshkruan si një sulm të paparë “terrorist”, që i kishte tmerruar forcat e pushtuesit.
Humbjen e forcave të tij nga aksioni i Mervetes, pushtuesi e kishte konfirmuar edhe para të atit të saj, Salihut, kur ai shkon për ta marrë trupin e vajzës së vet. Ai dërgohet në Shërbimin e Sigurimit serb në Pejë, ku personi përgjegjës i këtij shërbimi e kërcënon se do t’ia vrasin tërë familjen në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policëve nga Mervetja.
Heroizmi i Mervetes, i denjë për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ato ditë bëri një jehonë të madhe kudo në Kosovë. Ai u bë shembull i flijimit për idealin e lirisë së atdheut, por edhe shembull i ndjenjës së sakrificës për të shpëtuar shokët e luftës.
Të nesërmen, Mervetja u varros me nderime të larta në varrezat e fshatit Orrobërdë. Ndonëse në rrethana lufte, në ceremoninë e varrimit mori pjesë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve nga vise të ndryshme të Kosovës, si “dhe i bashkëluftëtarëve të saj.
Pas përfundimit të luftës, në varrezat e fshatit Orrobërdë, mbi varrin e Mervetes është ngritur përmendorja, që shpreh madhështinë e veprës së saj. Përkrah përmendores së saj, të përjetësuar në përmendore qëndrojnë edhe vëllai dëshmor i Mervetes, Enveri, si dhe dëshmorët Nazmi Muzliaj e Arton Zogaj.
Pranë Spitalit të Përgjithshëm të Pejës është ndërtuar baza për ngritjen e lapidarit të Mervetes, ndërsa është propozuar që ky spital ta mbajë emrin e saj. Po ashtu, emrin e Mervetes e mbajnë edhe një rrugë në qytezën e Banjës dhe një tjetër në Prishtinë.
Në kohën e kryerjes së aksionit të fundit, Mervetja kishte qenë e veshur me rroba civile, meqenëse ai kishte qenë një aksion gueril brenda qytetit. Mirëpo, për t’u identifikuar si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo kishte bartur me vete medaljonin identifikues të kësaj ushtrie, i cili i është gjetur në trup pas rënies dhe sot ruhet me kujdes nga motra, Elfetja. Në medaljon shkruante emri dhe mbiemri i Mervetes, datëlindja dhe tri shkronjat: UÇK.
Mervetja është shëmbëllimi më i mirë i vajzës shqiptare. Shpirti i saj rrezatonte prore ndjenja optimizmi. Ajo e adhuronte aktrimin dhe sportin e vrapimit. Ajo, bashkë me Nazmi Muzliajn, kishte qenë anëtare e grupit dramatik “Luigj Gurakuqi” të fshatit. Nga këto dy pasione Mervetja kalitej shpirtërisht dhe fizikisht në shërbim të çështjes së atdheut.