Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e shpalli të mërkurën ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti në Shqipëri.

“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e mërkurë, 27 nëntor 2019, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmetit në Shqipëri, i cili la dhjetëra persona të vdekur dhe shumë të lënduar”, thuhet në vendimin e presidentit Thaçi.

Një tërmet prej 6.4 shkallësh të Richterit goditi Shqipërinë në orët e hershme të së martës.

Epiqendra u regjistrua rreth 30 kilometra në veriperëndim të Tiranës, në një thellësi prej 20 kilometrash.

Tërmeti u pasua edhe me disa dridhje të tjera të tokës.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për njerëz të bllokuar nën rrënoja.

Deri më tash, autoritetet konfirmuan vdekjen e 16 personave dhe plagosjen e mbi 600 të tjerëve.