Përbërësit:

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

5-6 lugë gjelle me miell misri

4-5 patëllxhanë

3 lugë gjelle gjalpë të freskët (për një gatim më të shëndetshëm AgroWeb.org ju këshillon përdorimin e vajit të ullirit)

4-5 lugë gjellë gjizë e freskët

4 thelpinj hudhra

4 gota ujë

Spec djegës pluhur

Kripë

Pak gjalpë për spërkatje

Disa thelpinj arrash

 

Përgatitja:

Si fillim pastroni patëllxhanët dhe t’i vendosni në një tenxhere me ujë në zjarr që të ziejnë derisa pjesa e tulit të tyre të zbutet mirë. Më pas përmes një luge merrni të gjithë tulin e patëllxhanit, shtypeni në formën e puresë dhe vendoseni në një enë mënjanë për ta përdorur më vonë në përgatitjen e fërgesës. Ndërkohë, vendosni një tenxhere në zjarr dhe kaurdisni miellin e misrit me gjalpë derisa mielli të zverdhet. Në këtë moment, shtoni gjizën, hudhrat e shtypura, kripën, specin djegës dhe ujin.

Përziejini dhe lërini të ziejnë derisa masa të trashet. Në fund shtojini tulin e patëllxhanëve që keni lënë mënjanë. Përziejini bashkë dhe largojini nga zjarri. Lëreni fërgesën të ftohet pak dhe kur ta shërbeni spërkateni me disa pika gjalpë të tretur dhe disa thelpinj arrash. Nëse preferoni mund ta spërkasni edhe me pak djathë të thërrmuar. Kjo fërgesë fantastike shoqërohet në mënyrë të mrekullueshme me sallata të freskëta të stinës, bukë të thekur apo edhe byrekë shtëpie.