Në muhabet të lirë, biseda mori kahje në atë drejtim i cili mbeti të jetë sa terheqës, aq edhe interesant për të mësuar se si është vetëqeverisur tradicionalisht fshati në anët tona në Malësi të Gjakovës e posaçërisht në krahinën e Bytyçit, fshati Kepenek përmes razitjes. Razitja ka qenë një marrëveshje fshatshe ku janë harmonizuar drejtësisht e reciprokisht shumë punë e rëndë punësh duke e pa interesin e ngushtë të gjithsejcilit në harmoni me interesin e bashkëvendasve të tyre. Në këto raste, në raport me kushtet dhe rrethanat e kohës, duket më së qarti se nga banorët vendas të fshatit nuk kanë pritur nga lart prej qiellit dhe as që punët e tyre të përditshme të bashkërendohen as nga qeverisja qëndrore e aq më pak të ketë ndikuar ndasisht politika. Ishte ajo kohë dhe ajo traditë e formësuar jetësisht ndër dekada e shekuj, kur fqiut i binte që të ja linte fqiut në përkujdesje, shpinë e rrethin e shpisë, nga ai para shihej dhe përkujdesej për ato se sa të vetat, ose në kësish rastesh nuk i vihej dryni derës së shtëpisë, por vetëm një krande në rezën e derës me qëllim që atë të mos e hapnim macat apo qentë e të mos bënin ndonjë dëmtim se sa për ta ruajtur nga kojshia. Ishte proverbiale në atë periudhë përgjigja kur pyetishin në mes veti me të zonave të tjera se: “si po ja kaloni me ata kojshi”, e përgjigja ishte pa ndonjë koment të gjatë por përmbajtësore se: “boll mirë, mbasi shkojmë në Has e Malësi (sepse në këto dy zona ishin më të perhapura lidhjet miqësore) dhe nuk ndonte kush dry në derë”. Mjaft interesante është ajo se si organizoheshin punët e përditshme, për rastet kur kërkohej në mes familjeve të fshatit, bashkërendimi i tyre me njëri tjetrin.

Administrimi i ujt të vaditjes, por edhe atij të pishmit

Administrimi i ujt të vaditjes (ujtjes) bëhej nga ana e komisionit të ujt`.

Në fshatin Kepenek, komisioni i ujt përbëhej nga pesë antarë, ose nga një përfaqësues për çdo vllazni të atij fshati. Ata shihnin se si me e bë më mirë organizimin dhe  administrimin e ujt për vaditje, i cili ishte vëllazërisht për të gjithë. Fjala e tyre ishte e detyrueshme për të gjithë. Ata ishin shum të rreptë në zbatimin e rregullave të përgjithshme. Në kohën e pranverës, e ma vonë kur fillonin nevojat për përdorimin e ujt, bëhej pastrimi i jazit të ujt i cili ishte mbushur gjatë prurjeve të ujrave dimrore.  Ai pastrohej kolektivisht duke marrë pjesë gjithë fshati, në dy forma: Ose duke ja nisur nga fillimi bashkarisht e deri sa maronte në pikën fundore të tij. Ose duke ja ndarë përgjatë gjithë gjatësisë së tij pjesë pjesë, për çdo familje. Kurse pjesët takuese të jazit që kalojnë në oborret e shtëpive dhe tokat e atyre që i kishin të vetat, i pastronin sejcili vetë deri sa kalonte në pjesën e përgjithshme e cila i nënshtrohej rregullit të përgjithshëm.- Ishte e detyrueshme që stomi i kanalit duhej që të ishte i lëshuar me qëllim për të kaluar lirshëm nepër të, pasi dilte nevoja që rast pas rasti me e pastruar kur zinej nga prurjet që binte uji më vete, apo me e pa se ku mund të thehej jazi (apo vija) e me eliminuar problemet me jazin apo vin e ujt. –Në ato raste kur i binte që mbi kanale të vinin gardh me qëllim ruajtjen e të mbjellave nga futja e bagetive në ara, ishte e detyruar me ba shkallë-kaluese pa pas pengesa e vështërsi për ta kontrolluar lirshëm jazin apo vin e ujit. Ujt që përdorohej për vaditje me rend për gjithsejcilën shtëpi të katundit.– fillimisht ishte që në rënd të ujt të hynin vetëm ai që ka tym në veti, pra shtëpi në vete. –Kurse më vonë u vëndos që rendi i ujt të përdorohej me sahat në bazë të sipërfaqes së tokës që kishte njëra apo tjetra shtëpi e katundit. –ka qenë rregull që kanalet e novojtoreve ishte e ndaluar me ra në vi të ujt. – Në ato raste kur nuk kishte mundësi tjetër, e ato duhej të kalonin andej, ato depërtoheshin mbi kanalose me lugj, ose me tuba uji. Po ashtu ishte e ndaluar që as teshat të mos laheshin në jaz të ujit. -Mbi amën e jazit (vendi ku zinej përroi që ujt të kthehej për jaz ose vijë të ujt) nuk kishte kush të drejtë me ngritë amë tjetër. Biles në një rast Myftija pati çelë me shumë shpenzime një kanal i cili vendosej mbi amën e jazit të katundit, ku mblidhte edhe rrjedha të tjera uji e katundi i tha se nuk ban e ai u bind katundit sipas asaj që kishte vendosur. Po ashtu kanë qenë edhe disa rrjedhje të vogla të cilat ishin në Shulla mbi fshatin e Kepenekut, e ato grumulloheshin me pusa vetëm për 6 shpi të lagjes Mulajve sepse ujt që grumbullohej nuk mrrijke me ra fund katundit e tu shërbente edhe të tjerve, edhe për këtë rast ke diskutue me e marr edhe katundi por u provue dhe u pa së nuk arrinte me ra ujt deri në katund poshtë dhe e lanë atë punë. Po ashtu prej Stoberde e deri në Lajthizë nuk kishin të drejtë me e ndalur ujt e burimet dhe me zënë pusa.

Argatija

Ishte një sipërmarrje kolektive, fshatshe për ti kryer punët e ditës në bujqësi, me qëllim që ato të administroheshin në mënyrë efektive për gjithsejcilën familje të fshatit.

Zanja e argati, ishte kur i shkoje tjetrit argat e ai e kishte për detyrë me ta kthye argatin atëherë kur ti kishe nevojë për të, për ta krye një proces pune i cili donte të realizohej në një kohë të kufizuar. Orta e katundit, quhej kur u bashkojshin katundi në argati me prashitë e me kositë së bashku e me radhë tek njëri tjetri, ai grumbullim forcash krahu quhej Orta. Orta e mbledhur për të kryer disa procese pune në bujqësi, e kishte të përcaktuar orarin e mjesit kur me e fiulluar punën, orarin e drekës sa me pushuar dhe orarin se kur me e lanë punën pas dite. Orta e argatve ishte me kositë dhe me prashitë. 1 kosaçë ishte e barabartë me 1.5 argat. Në ortë të katundit nuk pranoheshin ata që ishin të paaftë për punë, sikurse mund të ishin ata të cilët nuk e kishin mbushur moshën e duhur për t`u përfshi në argati, si dhe as ata me moshë të thyer. Pra në në moshën 16 vjeç nuk u pranojke në Ortë, po ashtu edhe mbi 75 vjeç. Orta e katundit e mbledhur për punë, kur e mbaronte një arë së prashituri para kohë, ose livadhet së kosituri para kohe gjatë asaj dite që ishin të angazhuar tek ndonjë familje e fshatit, vendosni se ku me i plotësuar orët që kanë mbetur. Kur kishtë ndonjë familje që nuk kishtë krahë pune, e ndihmojshin orta vullnetarisht. Argat quheshin ata që prashitshin, kurse kosaçë ata që kositshin. Për argatët apo edhe kosaçët, ushqimi që kthehej për drekë nuk ishtë i caktuem por sipas mundësive. Zakonisht ushqimi ishte më i mirë sesa aty që hahej përditë. Femrat nuk janë pranuar në ortë, por me zanë argat me njana tjetrën po.  Si përshembull me korrë në ara, me mbledhur sanë në livadhe, me ba plasa, me ba otorr, me qerue kollomoq, etj.

Mbajtja dhe dhënja e kalit të punës

Transportet kryesore jashtë fshatit bëheshim me kuajt e e samarit. Kurse kali i shalës mbahej vetëm për të udhëtuar me të në distancë kryesisht të largëta, për të marr pjesë në dasma i thirrur si krushk, për gara vrapimi etj. Kali i punës jepej pa pagesë, sikurse mund të përdorej e nevoitej për të mbartur ngarkesën e blojës për në mulli, me qit dru të dimnit nga mali, me bajt sanë në prag të dimnit, ose edhe me e ngarkuar për dusht e ngarkesa të tjera të përshtatshme. Familjet që nuk kishin kali ngarkese, kur kishte nevoj e kërkonte në kojshi dhe ja jepnin kur e kërkontë atë, por me kusht që mos ta ngarkonin ma tepër se sa 2 sheka drithë (1 shekë ishte e barabartë me 30 kilogram), t`i mirrte ushqim me vete për ta ushqyer gjatë ditës, por edhe kur e kthente kalin, e binte me një vakt ushqim, sanë apo tallë, e sipas mundesisë edhe tagji drithi.

Kullosa

Kullosat ishin natyrale, por edhe në ara kur lëshoheshin pas marrjes së kores apo kositjes së barit. Ato të ndame se në cilin krah të kullosës i çonin bagëtin sejcila lagje e fshatit nga e kishin ma mar drejtimin për kullosje, por jo se ishte e ndaluar me i çue bagëtin edhe në vendet e tjera.

Duzhnjet

Edhe vendi i duzhnjeve (vendi ku pritej gjethi për t`u tharë dhe përdorur nga bagëtia gjatë dimnit kur binte dëborë) ishte i përcaktuar për çdo lagje, në atë drejtim ku e kishin ma afër e ma mbarë me i prerë duzhnjet, dhe rrahina e dushkit ishte e ditur për sejcilin lagje masë edhe familje.

Zanja e livadheve

Livadhet që kositeshin dhe më pas kulloteshin ishin në mal dhe në fushë. Në Majën e Fushave, ishte livadhi i Partosit i cili kishtë sipërfaqe të konsiderueshme. Kur livadhet liheshin për t`u rritur dhe me u kositë ushqim bagetish për dimën, zineshin për një periudhë të domosdoshme kohe. Kryeplaku lajmërojke për zanjen e livadheve. – Zanja e livadheve bëhej me një shtagë të lvorueme duke e ngulur në mesin e livadhit e mbas kësaj mase të ndërmarrë nga i ngarkuari apo i interesuari, nuk kishin të drejtë me i kullotë livadhet me bagëti deri sa ato të kositeshin e të ishin të liruara nga masa e barit të kositur e tharë për t`u transportuar në lemejt e sanës. Biles kur merrte koha mirë dhe binte shi i përshtatshëm, livadhet riheshin përsëri nga një masë bari i butë, e prap se prapi livadhet zineshin ponov. -Edhe rogat në male apo livadhet e majeve të maleve, kur donte dikush me i kositë sepse nuk e siguronte ushqimin e bagëtive me tokën që kishte pasuri, e zinte atë duke e ngulur një shtagë të lvorueme duke e vendosur në mesin e rogës e çobant e dinin se ishtë e zanë për t`u kositur e nuk i lëshonin gjanë (bagëtin) me e kullotë atë sipërfaqe të zënë. Lëshimi i livadheve dhe i arave për kullosjen e bagëtive bëhej pasi ato liroheshin nga prodhimet, bahej sana në livadhe dhe talla ose kashta në arat që mbilleshin me grunë dhe drithë e pas kësaj lejohej që ato sipërfaqe të liruara të kulloteshin nga bagëtia. -Tubtë e bagëtivë të huja që s`ishin të katundit, nuk u majshin në katund, sepse me to vinin tek ndonjë i veti, njerzit që i ruenin dhe ishin të hujt për katundin. Jo vetëm në fshat por edhe afër Majës së Fushave e ka pasë shtëpinë e tokën Jemin Hyseni (i cili ka pasë vëllellezër Imer e Nezir Hysenin), tani si pasardhës të tyre janë të Baram Lushit.

Mirezi

Kur metke toka miraz, bija nuk mujke me e pru as burrin dhe as fëmijët, sepse ishin njerz të huajt në katund. Miraz kan qenë arat e Zogit (Zog Kadrisë), të cilat një bijë e Hysenlekajve ja ka pasë shitur vëllazrisë së Mulajve. Pra mirezet përfitohen në ato raste kur dikujt ju ka shkim hisja, nuk ka mashkuj pasardhës, ose as mashkuj dhe as femra. Biles kur nemnin, thojshin: “t`u shkimt hisja”. Kurse katolikt thonë“tu shkimt qiri”.

Mereja

Mereja ishte e pazot, por me të drejta të përbashkëta për të gjithë fshatin.

Legjenda

Ne grykë për kur shkon rrugës për Pac, asht një krue i cili nuk shtjerr kurr. As nuk shtohet dhe as nuk paksohet dhe i thonë “Kroni i gjarpërit”. Në atë vend ka pas shpija dhe toka u punojke. Toka nën (poshtë asaj vade) atë vade, e ne atë vend quhej rrafshi i Shingjergjit e tela e Hysenlekajve. Sipas gojdhënës, kishte ndodhë që një nënë e kishte pasë fëmijën sëmurë dhe e vënë me djep krye are, afër kronit dhe vetë shkon në arë me punue. Kur i bjen rendi me shke te fëmija  me pa gjendjen e tij ndodhë që e gjen mbi të një gjarpër katullaç e i hyn ftiga prej gazepit. Ja nis me britë të madhe. Kur e dëgjojnë e pyetin se çfarë ka ndodhur e ajo u tregon për ndodhinë. Ata që e marrin vesh prej saj se çfar ishte problem i thonë lene mos e luej se ikën vet. E ajo nuk e luejti gjarpërin, e la katullaçe mbi djepin e fëmijës deri sa kishte ikur vetë. Pas kësaj ndodhije fëmija ishte shëruar e u muer vesh ngjarja. Pas këti rasti edhe një grue tjetër e kishte pasë fëmijën të sëmurë dhe e dërgon po aty dhe e lenë fëmijën e sëmur afër atij kroji. Edhe asaj i ndodh e njejta gjë dhe po ashtu edhe ai fëmi u shërue. Nga atëherë që s`mbahet mend se kur e deri sot atij kroji i ka metë emri “Kroni i gjarpërit”.

Razija e katundit është jo vetëm një traditë e mirë nga e cila duhet të dimë të përfitojmë, por edhe si një vlerë etnokulturore e marrdhënjeve të caktuara të asaj vetëqeverisje.

Nga Agron Isa Gjedia