Java e fundit e tetorit, në Preshevë, u karakterizua me një seancë solemne të Konferencës shkencore: “Trashëgimia kulturore dhe turizmi”, në të cilën u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit Kulturor: Tiranë-Tetovë-Mitrovicë-Preshevë dhe Bujanoc.

Qëllimi kryesor i nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Kulturor është organizimi i Festës së Plisit të Bardhë, në të gjitha rajonet shqiptare, nënshkruese të kësaj Marrëveshjeje, me qëllim që Festa e Plisit të Bardhë të shpallet Festë Mbarëkombëtare, që Plisi të jetë qenësor, në mbrojtjen dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, kuptohet pos qenësive të tjera, thuhet mes tjerash në këtë memorandum bashkëpunimi kulturor.

Kjo festë kaq e dashur për popullin shqiptar, po kremtohet në Shqipëri dhe Kosovë, nën organizimin e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, jehona e së cilës do t’i tejkaloj kufijtë politik, për t’u shtrirë edhe në viset e tjera të etnikumit shqiptar.

Për ta bërë këtë festë sa më madhështore krerët e sektorit joqeveritarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës, arritën të firmosin  një Marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë kulturor, shkencor e artistik.

Subjektet kulturore, shkencore e të artit: Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” Tiranë (Agron Isa Gjedia) , Shoqata për shkencë e kulturë “Pellazgët” Tetovë (Shefki Selami), Qendra për Studim dhe Hulumtim Mitrovicë (Mustafë Haziri), Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë (Xhemaledin Salihu)  dhe nga Bashkësia Kulturore Shqiptare “Perspektiva”  Bujanoc (Sevdail Hyseni), nënshkruese të kësaj Marrëveshjeje, në vazhdimësi do të zhvillojnë veprimtari me interes të përbashkët shoqëror e kombëtar.

Në tekstin e firmosur të këtij memorandumi bëhet e ditur se “Bashkëpunimi i tillë synon thyerjen e barrierave të ngritura me kufij të panatyrshëm ndërmjet popullit shqiptar, të depërtimit të ideve kulturore, shkencore e të artit, në të gjitha rajonet shqiptare, për ta arritur synimin e integrimit shpirtëror të popullit shqiptar, të ndarë padrejtësisht”.

Nikoqiri i kësaj seance solemne, prof. Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari, me seli në Preshevë, thotë me krenari se “Nënshkrimi i Marrëveshjes së bashkëpunimit kulturor është me rëndësi jetike dhe ka rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm për subjektet nënshkruese, por edhe për rajonet shqiptare në përgjithësi, në integrimin shpirtëror të popullit shqiptar dhe të arritjes e krijimit të një hapësire të përbashkët kulturore kombëtare”.

Vlen të ceket se Shoqata për Trashëgimi në Preshevë, qe disa vjet organizon Konferenca shkencore, në të cilën marrin pjesë studiues nga Tirana, Kukësi, Struga, Tetova, Shkupi, Kumanova, Mitrovica, Prishtina, Gjilani, Vushtrria, Bujanoci, Medvegja dhe ka arritur të nxisë bashkëpunimin kulturor rajonal shqiptar dhe integrimin e kulturës shqiptare.