Në Luzhën e moçme të Gashit t` Gurit,
Kanë lindë burra mot pas motit,
Trima të urtë besnikë të Currit,
Atdhetarë rritë n`kulla t`rodit.
Në kudhër t`jetës janë farkëtuar,
Për oxhak, fis e atdhe,
Brez pas brezit kanë qëndruar,
T’u dhanë jetën si me le.
Nëpër shekuj qarkun ngrehur,
Gur themeli i burrërisë,
Në truall t`shqipes nga kanë shkelur,
Bij të denjë të Shqipërisë.
Gdhend e kanë në libër t`jetës,
Ç`udhë do marrë oxhaku i Luzhës:
Të punës, dijes, gjakut e djersës,
Për atdhe në ballë të luftës.
Ushtojnë malet e Gashit t`Gurit,
Qamil Luzha, mor ku je?
Ia lëshojnë zanin atij farë burrit,
-Hajde burrë n`kuvend me ne!.
Tridhjetë vjet që s`jemi pa,
Lis je rritë në zemrat tona,
Malli fort ne marrë na ka,
Rrjedh për ty kënga e jehona.
Qamil Luzha i Gashit t`Gurit,
Njëqint vjet jetove ti.
Ashti yt në shtizë të flamurit,
Për Kosovë e për Shqipëri.
Refren:
Për Kosovë e për Shqipëri,
Të gjithë jetën e ke shkri.
Fjalët e tua plot urti,
Në kuvend kanë zanë vend.
Fjalë e artë në histori,
Ua le brezave testament.
Amanet nga do të shkoni,
Ju të mirët brezat e rinj,
Me mend dhe me ”dru” punoni,
Për Kosovë e për Shqipëri.
Refren:
Me mend dhe me ”dru” punoni,
Për Kosovë e për Shqipëri.
Ngjitu burrë n`këto male kështjellë,
Çou e shih Kosovën mbarë,
Gëzoju farës që ke mbjellë,
Për bashkimin kombëtar.
Refreni:
Gëzoju farës që ke mbjellë,
Për bashkimin kombëtar.
Një jetë të tërë përballë stuhisë,
Si shtetar e si atdhetar,
Ti iu fale veç lirisë,
Dhe bashkimit kombëtar.
S`të lodhi puna dhe shtegtimet ,
Nga Istogu e në Malësi të Vlorës .
S`të theu lufta e shantazhimet,
Të UDB-esë e të Mugoshës.
Fjala jote besa e burrit,
Për flamurin kuq e zi,
Më e fortë se palca e gurit,
Për Kosovë e për Shqipëri.
Refren:
Besa-besë, o burrë i dheut,
Për flamurin e Skenderbeut,
Për flamurin kuq e zi,
Për Kosovë e për Shqipëri.
Tiranë, maj 2019
________________
Fran CARA, psikolog, studiues dhe redaktor i shumë librave në fushën e letërsisë dhe të historisë, pasi lexoi librin: “Qamil Luzha, Jetën Bashkimit Kombëtar”, si vlerësim të përmbajtjes dhe mesazhet që sjell për lexuesit ky libër, dërgon këtë poezi-këngë.