Sa shpejt ikin vitet dhe ne përsëri na ngjan që njerëzit, të cilët i kemi njohur e dashur, i kemi përherë pranë. Kjo ngjet jo vetëm me familjarët a të afrërmit tanë, por dhe me mësuesit e pedagogët, që kemi patur në vite të ndryshme shkollimi dhe na kanë dhënë dituri e kulturë, për të hyrë sa më të sigurtë në jetë.
Kësaj here, dëshiroj të kujtoj me nderim e respekt të veçantë, të gjithë pedagogët e mi, të profileve të ndryshme të diturisë, në Fakultetin Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës, që sapo kishte çelur dyert, në vitet ’70-të të shekullit të kaluar, për bijtë e bijat e popullit, nga qytete e krahina të ndryshme të Shqipërisë. Për mjaft nga këta Akademikë e Profesorë, kam shkruar edhe në librin tim “Filologë që nuk harrohen” (Tiranë,2002)
Ndërmjet pedagogëve tanë të lëndës së letërsisë, ka mbetur përherë i paharruar për mua edhe Prof.Mark Gurakuqi (Pogradec, 2 nëntor 1922-Tiranë, 16 shtator 1970).
Kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, që po e ribotoj shkrimin tim tani, për ta nderuar e kujtuar atë, në dy përvjetorë të jetës së tij.
Tiranë, 4 nëntor 2019
1.
“Kishte një pamje të qetë dhe buzëqeshte lehtë, kur bisedoje ose kur shkëmbeheshe me të nëpër korridoret e Fakultetit të Historisë e Filologjisë. Kishte një trup të drejtë e të gjatë. Sytë i kishte pak si të mjegullluar e shikonte ngultazi, cilësi kjo e një poeti të frymëzuar. Ishte ndër pedagogët, që më ka imponuar simpati e respekt që në njohjen e parë. Ndoshta, sepse të dy e dinim se jemi nga një pjesë e Veriut të Shqipërisë, si të thuash, mund të identifikoheshim si “patriotë”. Pasi në atë periudhë të viteve ‘60 ishin në numër të pakët studentët nga ato anë. Po kështu, mbiemri i tij më kujtonte Luigj Gurakuqin e famshëm, një ndër atdhetarët më në zë, personaliteti i shquar i politikës dhe i arsimit shqiptar.
Kur ndiqnim leksionet e letërsië shqipe, e dëgjoja me dëshirë tek fliste me pasion e frymëzim për autorët e periudhës së Pavarësisë ose të viteve ‘30. Veçanërisht, ishte i dhënë pas vargjeve të Mjedës, Nolit e Migjenit. Sa bukur i recitonte para nesh vargjet tingëlluese mjedjane!
Në ato vite të para të studimeve në Fakultetin tonë po i jepej rëndësi zgjimit të dëshirës së studentëve për t’u marrë me kërkime e studime shkencore, në fushat e letërsisë, gjuhësisë, folklorit, historisë, arkeologjisë, etnografisë etj. Për këtë qëllim, herë pas here, pedagogët tanë kërkonin që ne të shkruanim tema mujore ose vjetore. Më kujtohet se prof. Mark Gurakuqi na zhvilloi leksionin për jetën dhe krijimtarinë e Fan Nolit. Morëm pjesë gjallërisht në mendimet e shprehura nga ai dhe na rekomandoi të lexonim krijimtarinë e botuar në atë kohë. Gjithështu, na porositi që secili nga ne studentët e grupit të komentonim, sipas dëshirës, një poezi të Nolit. Siç mund ta kem përmendurr në ndonjë rast tjetër, që në fëmijëri jam njohur me jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Heroit të Popullit Bajram Curri. Ai kishte qenë dhe mik në shtëpinë tonë e babai e kishte përcjellë në shtigje të rrezikshme. Prandaj unë zgjodha të komentoja elegjinë e Nolit, kushtuar atij “Tribuni të vegjëlisë”.
Punova në mënyrë të pavarur në komentin e vjershës së mësipërme dhe erdhi dita që ta paraqisnim në auditor, para prof. Gurakuqit. Edhe sot e kësaj dite e ruaj dorëshkrimin në fjalë. Atë ia dorëzova atij, ashtu siç vepruan shokët e shoqet e tjera të grupit. I futi në një dosje dhe i mori t’i shihte me qetësi e vëmendje në shtëpi. Në orën tjetër të radhës, ai nuk na mbajti ndonjë leksion letërsie, por u mor me shfletimin dhe komentin e punimeve tona. Po e dëgjoja me vëmëndje, kur prof. Marku mori në dorë fletët e mia. “Murati ka bërë një punim të mirë,-foli ai.-Ka komentuar vargjet e elegjisë së Nolit kushtuar “Plakut të Maleve”, Bajram Curri. Dëshiroj t’u lexoj diçka, nga ato që ka komantuar ai…”. Pashë që në fytyrë iu ravijëzua një ndjenjë kenaqësie dhe buzëqeshi lehtë. Pastaj lexoi këto radhë, nga punimi im:
“Noli-ky poet i fuqishëm i letërsisë sonë, në mes vjershave të tij të çmueshme, na ka lënë edhe elegjinë 7-strofëshe për Bajram Currin, “Shpell’ e Dragobisë”, e cila përshkohet fund e krye prej frymës patriotike…”. Ndërsa në mbyllje ishin këto radhë: “Lexojmë elegjinë e F. Nolit dhe përpara na del e gjallë, madhështore, figura e Bajram Currit, patriotit të madh të lëvizjes sonë kombëtare”.
Unë rrija si i strukur pranë tavolinës sime dhe shihja se shokët e shoqet më vështronin, herë njëri e herë tjetri, duke ndjekur ligjërimin e prof. Gurakuqit. Sigurisht, punimi im nuk u cilësua më i miri dhe as nuk po e kujtoj këtë ngjarje për këtë arsye. Përkundrazi, secili student ishte përpjekur të komentonte sa më mirë e me frymëzim një poezi të Nolit të pavdekshëm. Në mbyllje, ai m’u drejtua: “Gecaj, mendoj se punimin mund ta çosh për ta botuar në ndonjë gazetë”.
Nuk më kujtohet mirë se pas sa kohe e dërgova atë punim për ta botuar. Por di se u shfrytëzua rasti i 37-vjetorit të vrasjes tragjike të Bajram Currit, pra 29 marsi, kur ai u botua i plotë në faqet e gazetës “Drita”, më 1 prill 1962. Jo vetëm në atë kohë, por gjithashtu në vitet vazhduese dhe tani, kam ndjerë e ndiej respekt për kujdesin e treguar nga pedagogu im për nxitjen e punës së pavarur, të kërkimit e botimit.
Siç e kanë ndjerë të gjithë njerëzit, kur kanë dhënë provime, ndoshta, ky që po tregoj më poshtë, është rasti më domethënës për mua, ku shfaqen cilësitë e një mësuesi ose pedagogu. Më kujtohet se në qershorin e vitit 1962 do të jepnim provimin e letërsisë shqipe, me prof. Mark Gurakuqin. Ç’është e vërteta, në ato vite studentët ishin mjaft të ngarkuar, me paraprovime e provime. Në sesionin e dimrit, por dhe të verës, na takonte që çdo radhë të jepnim 3-4 paraprovime dhe 5-6 provime. Bile, paraprovimet ishin më “të rrezikshme”, pasi nuk lejohej hyrja në provime, pa i shlyer ato. Megjithatë, paraprovimet i kaluam dhe na erdhi koha e përgatitjes për provimin e letërsisë. Gjithësej, ishin caktuar nga Dekanati 4 ditë përgatitje, se aq kohë i ishte planifikuar atij provimi, duke e vlerësuar dhe diçka më të lehtë. Por mua më ndodhi një “incident” i vogël. Do të martohej kunati i vëllait, Hamit Ganaj, i cili e merrte nusen, Ruzin, në Berat. Nuk e di se si u hodh “shorti”, por mua më caktuan që të shkoja krushk, ndërmjet të tjerëve. Kundërshtova ca, duke paraqitur shkakun e provimit, por “lutja” ime nuk u muar parasysh. Unë vërtet kisha besim në vetëvete, por megjithatë kërkohej t’u bëhej një lexim i mirë të gjitha leksioneve.
Nuk dua të zgjatem me historinë e mësipërme, por nga ajo dasmë unë humba një ditë e gjysmë përgatitje. Pra, më mbetën vetëm dy ditë e gjysmë, duke marrë parasyshë edhe se lexonim deri në mesin e natës. Në ditën dhe orën e caktuar, më erdhi radha për të hyrë në sallën e provimit. Mora tezën dhe u ula në vend. E shfletova me nxitim atë dhe vërejta se dy pyetje i dija mjaft mirë, kurse tjetrën jo ashtu. Mbaroi përgjigjen shoku para meje dhe u ula para pedagogut Gurakuqi, me një koleg tjetër, që nuk më kujtohet. Ai buzëqeshi lehtë, siç e kishte zakon dhe më foli, duke më vështruar në sy: “Hë, fol Gecaj…”. Në pyetjen e parë nisa të përgjigjesha rrjedhshëm. Nuk më la ta mbaroja, por më tha: “Kalo në pyetjen tjetër”. Kështu ngjau dhe me pyetjen e dytë. Në të tretën nisa të flisja po aq i sigurtë, por… më tej kishte diçka që nuk e dija plotësisht. Pra, e ula pak zërin. Ndërkaq, prof. Marku ma ndërpreu fjalën, pa shkuar në atë pjesën “delikate”. Në atë kohë, ndjeva se u lehtësova dhe pashë me bishtin e syrit që ai po shënonte në librëzën time notën maksimale: “Pesë”. Jo vetëm atë çast, por tërë jetën e kam kujtuar atë veprim të pedagogut tim të letërsisë. Nuk mund të them se ai u tregua “dorëlëshuar”, përkundrazi ishte mjaft korrekt. Por kryesoren te studenti vlerësonte horizontin e përgjithshëm dhe jo datat ose numërimin e veprave “me gishta”, si matës të dijeve të fituara. Ai i njihte të gjithë studentët e tij, si një psikolog i mirë ose, siç thotë populli, “me dhëmbë e me dhëmballë” dhe kishte shumë besim te ata dhe te njerëzit, në përgjithësi.
Me këto cilësi të mira na ka mbetur tërë jetën në kujtesë, mua dhe shokëve e shoqeve të kursit, pedagogu i talentuar Mark Gurakuqi. Jam pikëlluar pa masë, kur kam marrë vesh se ai vdiq papritur, në moshën e pjekurisë së jetës, pra 48 vjeç. E sa dhembje të madhe provova edhe në vitin 2000, kur biri i tij, Iliri, në vitet ‘80 koleg i imi në gazetën “Bashkimi”, i mbylli sytë përgjithnjë larg Atdheut, në Romë, gjithashtu në moshën më të mirë të jetës.
Këto mbresa e kujtime të miat i rifreskoj shpesh, kur takohem me ish-redaktorin e njohur të gazetës “Zëri i Rinisë”, Zef Gurakuqi, vëlla i pedagogut tonë të letërsisë shqipe. Me dashamirësi, ai më solli një fotografi të rrallë dhe më ndihmoi me fakte konkretet për jetëshkrimin e tij.
2.
Poeti, studiuesi, kritiku letrar dhe pedagogu i letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës, Mark Gurakuqi lindi më 2 nëntor 1922, në Pogradec. Rridhte nga një familje nëpunësi shkodran, që i përkiste fisit të njohur atdhetar të Gurakuqëve.
Mësimet e para i kreu në qytetin e lindjes, kurse shkollën e mesme në Normalen e Elbasanit. Me dëshirën për t’i çuar më tej dituritë e tij, studimet e larta i nisi në Firence të Italisë, por i ndërpreu në pranverën e vitit 1943. U kthye në Shqipëri dhe u bashkua me lëvizjen antifashiste. Ishte anëtar i Komitetit të Universitarëve Antifashistë dhe pjesëmarrës në aktivin letrar të rinisë antifashiste të Tiranës. Pas çlirimit të vendit e nisi punën në gazetën qëndrore të kohës, “Bashkimi”. Gjithashtu, bënte pjesë në Drejtorinë e shtypit, propagandës e kulturës popullore. Shërbeu edhe në organe të tjera të shtypit dhe në Radio-Tirana. Kudo ranë në sy zelli në punë dhe prirjet e tij letrare.
Në vitin 1946 Marku i ri i vazhdoi studimet e larta në Beograd, por pas prishjes së marrëdhënieve me këtë vend, Universitetin e përfundoi në Sofje. Gjithnjë ëndërronte të ishte mësues dhe edukator i brezit të ri. Kështu, nga shtatori 1950 dhe deri në krijimin e Universitetit të Tiranës, dha mësim në Gjimnazin “Qemal Stafa”. Pastaj, për 13 vjet me radhë, deri në fund të jetës së tij, ishte pedagog i letërsisë shqipe në Fakultetin e Histori-Filologjisë.
Ish-nxënësit dhe studentët e tij e kujtojnë me nderim për sjelljen njerëzore dhe taktin pedagogjik, për kulturën e gjerë, pasionin dhe këmbënguljen e dallueshme për gjurmimin e vlerave të traditës sonë letrare. Gjithashtu, kurdoherë u tregua i palodhur për të ndihmuar talentet e reja në udhën e tyre të krijimtarisë letrare. Për këto arsye, pas vdekjes iu dha titulli “Mësues i merituar”.
Krahas punës arsimore e pedagogjike, M. Gurakuqi është marrë me publicistikë letrare dhe shkencore. Kjo vihet re që pas mbarimit të shkollës së mesme. Kështu, në vitin 1945 botoi vëllimin e parë “Skica dhe tregime” dhe më 1951 librin “Miniera nuk u mbyll”. Në vazhdimësi, panë dritën e botimit këto vëllime të tij me vjersha: “Kangë për jetën”(1951), “Pranverë”(1953) dhe poemën “Gjeto plaku”(1955). Ndërsa gjatë viteve të punës me studentët publikoi librat: “Kangë për dashuninë”(1957), “Në udhët e jetës”(1960), “Në gjurmët e viteve”(1964). Veçori dalluese e këtyre vëllimeve me poezi janë frymëzimi i natyrshëm dhe ndjenjat e holla shpirtërore, duke shfaqur personalitet dhe individualitet të veçantë. Por Gurakuqi botoi edhe libra në prozë, si: “Në rrjedhë të viteve”(1968), “”Gjurmë të padukshme”(1971) etj.
Në krijimtarinë e Mark Gurakuqit zënë vend të merituar botimet për fëmijë, që u përmblodhën në librin “Porosia e fundit e Gjergj Kastriotit”(1967). Gjithashtu, botoi edhe mjaft krijime të tjera për të vegjëlit, në organe të ndryshme të shtypit.
Si krijues e pedagog me interesa të gjëra, ai u muar edhe me kritikë letrare. Numërohen afër 60 studime të tij për krijimtarinë letrare të poetëve e shkrimtarëve: Drago Siliqi, Kolë Jakova, Luan Qafëzezi, Dritëro Agolli, Dhori Qiriazi etj. Po kështu, dha mendime të çmuara për disa romane, drama e vëllime me poezi të kohës.
Duke krijuar një fytyrë të veçantë në fushën e studimit të traditës letrare, ai u muar sidomos me krijimtarinë letrare të poetëve dhe shkrimtarëve të periudhës letrare të viteve 1912-1944. Këtu, spikatin dhjetëra artikuj studimorë për jetën, veprën dhe vepimtarinë e gjithanshme të Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit, Andon Zako-Çajupit etj. Me vlera janë edhe studimet e tij për autorët e letërsisë arbëreshe. Në vëllimin me krijimtarinë e zgjedhur të Luigj Gurakuqit (1961), përfshihet dhe një studim i gjatë e i hollësishëm për jetën e veprën e tij. Më 1966 botoi librin “Autorë dhe probleme të viteve ‘30”, ku janë përmbledhur studime për krijimtarinë e Migjenit, Nonda Bulkës, Kristaq Cepës, Petro Markos, Aleks Çaçit, Andrea Varfit e Gaspër Palit. Ndërsa monografia e M. Gurakuqit me titull “Mbi veprën poetike të Ndre Mjedës”, me shumë fakte të panjohura më parë, u botua me shkurtime vetëm në vitin 1980, dmth dhjetë vjet pas vdekjes së tij.
Sa plane e dëshira kishte ai për të realizuar, por ato iu ndërprenë në mes, në kulmin e pjekurisë si pedagog, studiues, poet e kritik letrar, më 16 shtator 1970. Në vjershën “Mes njerëzve”, ai shkroi edhe këto radhë kaq domethënëse:
“Gjithmonë më josh fluturimi
e mirë mes njerëzve ndjehem prorë,
me shokë unë qeshë ndër vuajtje dhe gëzime
e s’dita të qëndroj kurrë spektator!”
Janë dy përvjetorë, të afërt me njëri-tjetrin: i lindjes dhe i vdekjes. Prandaj çdo vit, sëbashku ne i bëjmë homazh Mark Gurakuqit, pedagogut e krijuesit tonë të talentuar dhe të paharruar”.
(Murat Gecaj, nga libri “Filologë që nuk harrohen”, Tiranë, 2002, faqe 52-57)