I nderuari Nderon, ndaj dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, z. Rrustem Berisha, në Kepenek të Bytyçit të Tropojës në Republikën e Shqipërisë, në një rast dhimbjeje e percjelljeje mortore të nanës së nënkolonel Rakip Sadikaj, vartës, koleg e bashkëluftëtar i tij në Betejën legjendare të Koshares, në Luftën e fundit të Kosovës.

Ministri i Mbrojtjës së Kosovës, gjeneral Rrustem Berisha ka qënë komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadani” në Betejen e Koshares, një nga betejat ma monumentale në historinë shqiptare.

Gjeneral Rrustem Berisha erdhi në këtë ceremoni pritjeje e përcjelljeje mortore të nanës së Rakip Sadikaj, ushtarakut të Shqipërisë e Kosovës, me një vargni me vetura dhe shumë kuadro të larta të Betejës së Koshares e të Luftës së Kosovës, ku ndër ta njoha dy nga veteranët e ushtarakët e lartë Anton Çuni, Feriz Trezhnjeva.

Nënkolonel Rakip Sadikaj është një nga ushtarakët e mirënjohur të Luftës së fundit të Kosovës, një nga artilierët e shquar të saj, një nga kontributorët e saj, i vlerësuar, i dekoruar nga dy shtetet shqiptare: Shqipëria dhe Kosova.

Nanëmadhja Hyrë Sadikaj është nana e Mines, Sabries, e të ndjerit – ing. e kuadrit Qamilit dhe e mësues Agimit, kuadrit financiar Hysenit, nënkolonel Rakipit e mësuesit e kuadrit të arsimit Naim SADIKAJ, gruaja e Kadri Qerim SADIKAJ të Kepenekit të krahinës së Bytyçit të Tropojës, një nga burrat ma të mirë të Malësisë së Gjakovës e të Hasit me rrethina.

Gjenerali e ministri i Mbrojtjes së Kosovës dhe miqtë e tij që e shoqëronin, me praninë e fjalët e tyre të mira për nënkolonel Rakip Sadikaj e Familjen e tij të Madhe Sadikaj (të trevllaznëve, të të ndjerit Avdyl dhe të Kadri dhe Daut Qerim Sadikaj); edhe për Nanëmadhen Hyrë Sadikaj; e nderuan dhe vetëveten, lartësuan traditat e mira shqiptare, treguan vlerat e larta të UÇK-së e Luftës së saj për Lirinë e Kosovës, shprehën unitetin e solidaritetin kombëtar shqiptar si në rast lufte e paqeje, në raste gëzimi e hidhërimi; morën vlerësime e mirënjohje nga Familja e madhe Sadikaj, fshati i Kepenekut, krahina e Bytyçit, Malësia e Gjakovës (Tropoja) e të gjithë të pranishmit e atyshëm.

Në këtë ditë e rast dhimbjeje e përcjelljeje të Nanëmadhes Hyrë Sadikaj të Familjes së Madhe të Kepenekut ishte pjesë e dhimbjes e ceremonisë dhe Prefekti i Qarkut të Kukësit, z. Zenel Kuçana dhe kuadro të tjera si dhe një pjesmarrje e madhe popullore nga krahina e Bytyçit e Tropoja, nga Hasi e Gjakova, nga Kukësi e Tirana, nga Prishtina e diaspora shqiptare deri në Mbretërinë e Bashkuar e Amerikë. (Ramiz LUSHAJ)