Të hënën në Kili rifilluan protestat pavarësisht përpjekjeve të Presidentit Sebastian Pinera për të bërë ndryshime në kabinetin e tij, në një përpjekje për të qetësuar krizën politike që ka përfshirë vendin.
Pinera zëvendësoi tetë anëtarë të kabinetit, përfshirë ministrin e Brendshëm Andres Chadwick, kushëriri dhe mik i vjetër i tij, ndaj të cilit ka pakënaqësi të madhe publike.
“Ky nuk është Kili i disa javëve më parë. Ai ka ndryshuar dhe qeveria duhet të ndryshojë bashkë me të për t’u përballur me sfidat e reja”, tha presidenti kilian.
Por deri tani ndryshimet në qeveri nuk i kanë ndalur protestat. Në Santiago të hënën shpërthyen përleshje mes protestuesve që hidhnin gurë e policisë që përdori ujë e gaz lotsjellës ndaj tyre.
Protestat që kanë nisur më 18 tetor lidhur me një rritje prej 4 për qind të tarifave të metrosë së Santiagos janë shndërruan në demonstrata kundër pabarazisë ekonomike, për reforma në fushën e pensioneve dhe sistemit shëndetsor.
Shumica e protestave kanë qenë paqësore, por disa prej tyre janë shoqëruar me dhunë, duke lënë pas të paktën 20 të vdekur.
Javën e kaluar në një përpjekje për të qetësuar protestuesit, Sebastian Pinera, një miliarder i qendrës së djathtë, ofroi një mori propozimesh që përfshinin rritje të pagës minimale e të pensioneve, uljen e çmimit të ilaçeve dhe transportit publik.