Shtetet e Bashkuara do t’i heqin sanksionet ndaj Turqisë, të ndërmarra pas ofensivës turke kundër luftëtarëve kurdë në verilindje të Sirisë, tha presidenti amerikan, Donald Trump.
Vendimi erdhi pas një marrëveshjeje midis Turqisë dhe Rusisë për vazhdim të armëpushimit në kufirin sirian dhe patrullim të përbashkët atje.
Ofensiva turke ka nisur më 9 tetor, pas vendimit të papritur të Trumpit për të tërhequr trupat amerikane nga veriu i Sirisë.
Ajo ka zgjatur tetë ditë, duke lënë qindra njerëz të vrarë dhe të plagosur dhe duke detyruar mijëra të tjerë të zhvendosen.
Ofensiva është ndalur pas këmbënguljes së SHBA-së, më 17 tetor, për t’iu mundësuar forcave kurde – që Turqia i konsideron si terroriste – të largohen nga kufiri me Turqinë.
“Sanksionet do të hiqen derisa nuk ndodh diçka që nuk na bën të lumtur”, tha Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.
Ai shtoi se Turqia e ka siguruar atë se do të ndalojë së luftuari në rajon dhe se do ta bëjë të përhershëm armëpushimin.
Sanksionet amerikane i janë vënë Turqisë më 14 tetor, në përgjigje të ofensivës.
Turqia i sheh luftëtarët kurdë si terroristë dhe dëshiron të krijojë një “zonë të sigurt” nga ta – të thellë 30 km – përgjatë anës siriane të kufirit.
Trump është kritikuar ashpër për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga veriu i Sirisë, pasi kurdët kanë qenë aleatë kryesorë të SHBA-së në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në rajon.
Trump tha të mërkurën se dëshiron të mbajë një “numër të vogël” trupash në disa pjesë të Sirisë për të mbrojtur instalimet e naftës.
Ai gjithashtu i kërkoi Turqisë që të angazhohet që militantët e Shtetit Islamik të mos rimarrin nën kontroll ndonjë pjesë të territorit sirian.