Senati amerikan miratoi të martën me 91 vota per dhe dy kundër, protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Protokolli ishte dërguar në senat nga presidenti Donald Trump më 30 prill, pak kohë pasi që dokumenti u nënshkrua nga të gjitha vendet anëtare në NATO-s në Bruksel.
Procesi po vazhdon në kryeqytetet e vendeve anëtare që duhet të ratifikojnë protokollin sipas procedurave të tyre. Deri tash 25 nga 29 vendet anëtare të NATO-s e kanë ratifikuar atë.
Anëtarësimi i saj është një goditje për Rusinë e cila kundërshton zgjerimin e NATO-s dhe rrjedhimisht edhe anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut.
Javën që lamë pas, Maqedonia e Veriut humbi mundësinë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe pas kësaj, Shkupi vendosi të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në prill të vitit të ardhshëm.