Gazeta “Frankfurtur Algemeine Zeitung” i ka kushtuar një artikull të vecantë zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, me titullin “Një pikë kthese në historinë e Kosovës“
Shkrimi i plotë:
Kosova, shteti më i ri në Europë, ka nisur një ndryshim të madh të pushtetit. Për herë të parë, në ish-provincën serbe u zgjodh një parlament në vitin 2001, në atë kohë vendi ishte ende nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Të gjitha votimet prej aëtherë kanë pasur një të përbashkët: në fund, në një mënyrë a tjetër, gjithmonë në pushtet ishte një parti e dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
UÇK u shfaq në mesin e viteve ’90 me qëllim rezistencën ndaj pranisë së shtetit serb në Kosovë. Ata e mbronin veten kundër sundimit të dhunshëm të Beogradit me mjete terroriste, sulmonin ushtarët, oficerët e policisë dhe përfaqësuesit e tjerë të pushtetit serb. Fitorja e saj erdhi në vitin 1999 kur arritën të tërheqin NATO-n në konflikt.
Në përfundim të luftës ajrore gati tremujore të NATO-s kundër Serbisë së Sllobodan Millosheviç, trupat serbe u detyruan të tërhiqen nga Kosova. Shumë komandantë të UÇK-së formuan partitë e tyre në atë kohë, për të siguruar politikisht fuqinë e tyre në shtetin e ngritur gradualisht nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.
Më të suksesshmit ishin Hashim Thaçi dhe ‘Partia Demokratike’ e tij dhe Ramush Haradinaj me ‘Aleancën për Ardhmërinë’. Fillimisht, Thaçi dhe Haradinaj ishin mjaft popullorë mes shqiptarëve të Kosovës. Ata festoheshin si çlirimtarët nga zgjedha serbe. Por sidomos pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, zhgënjimi u rrit.
Gjithmonë e më shumë kosovarët kishin përshtypjen se ish-rebelët zyrtarë të UÇK-së po abuzonin padrejtësisht me shtetin e ri si një dyqan vetë-shërbimi për veten dhe klanet e tyre. Përmes taktikave të zgjuara dhe aleancave të ndryshueshme, kampet e vjetra siguronin vazhdimisht që të mbeteshin në pushtet.
Por të dielën nuk mjaftonte më. Edhe pse nuk ishin numëruar të gjitha votat, dukej e sigurt, ose të paktën e mundur që qeverinë e re në Prishtinë ta dominonin dy parti që nuk kanë dalë nga UÇK-ja.
Një forcë politike me të vërtetë e re dhe e veçantë është partia ‘Vetëvendosje” e ish-drejtuesit të studentëve, Albin Kurti. Ai ka patur në fund të viteve ’90 lidhje me UÇK-në dhe mendimtarin e saj politik, Adem Demaçi. Por ai nuk ka qenë kurrë komandant luftëtarësh. Mbi të gjitha, ai nuk i përket klikës që prishi lavdinë e luftëtarëve pas përfundimit të luftës duke plaçkitur Kosovën.
Edhe Vjosa Osmani, kandidate kryesore e ‘Lidhjes Demokratike të Kosovës’ konsiderohet e pastër. Në sondazhe, ajo dhe partia e saj ishin pak përpara ‘Vetëvendosjes’. Pas zgjedhjeve duket se ajo qëndron pas.
Osmani dhe Kurti e kanë bërë të qartë përpara zgjedhjeve se duan të bëjnë koalicion me njëri-tjetrin.
Qëllimi kryesor është lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit, dhe si parakusht një reformë e gjyqësorit duke përfshirë rishikimin e plotë të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (veting). Duket se tani ata mund të ndjekin fjalët e tyre në fushatën zgjedhore për t’i kthyer në vepra në pushtet.