Një nga faqet më të lavdishme të Flotes Luftarako Detare të Shqipërisë ka qenë ajo që ne shpesh e quajmë :” Epoka e Nendetseve Shqiptare”, që për 40 vjet rresht ,1958÷1998, si njësi speciale e ushtrisë tonë vigjëlojë ditë e natë, nen ujë e mbi ujë, në Adriatik , Jon e Mesdhe në kryerjen e detyrave të kohes.
Por lavdinë dhe madhështinë e kësaj arme misterioze e moderne për kohen, të kësaj epoke të luftes së ftohtë ja krijuan, rriten e bënë historike kuadrot e detaret që sherbyen në vite e dekada në Nendetse, që me pregatitjen e tyre të lartë ushtarako detare, njohjen deri në perfeksion të kësaj arme të frikshme, me inteligjencë elitare ,përkushtim e patriotizem të flaktë, me heroizmin e tyre masiv në kushte të vështira të detit por dhe të kohes që kalonin, i këthyen nendetset shqiptare në një ëmblemë të elites ushtarake e detare të vendit tonë.
E njëri nga këta kuadro lëgjendë të ND/ND ka qenë edhe ish komandanti e komisari i nderuar SKËNDER DOÇI.
SKËNDER DOÇI, birë i bjeshkëve të Tropojes, lindi më 15.4.1936 dhe u rrit nën hijen e atyre maleve kryelartë që duket se kuvendojnë me perenditë, me bukurinë e hijeshinë e tyre, u rrit i mëkuar me jehonen e miteve e kreshnikëve, bukurinë e zanave e shtojzovalleve, me burrërinë, trimërinë e atdhedashurinë e baces Bajram Curri, e të kreshnikëve të tjerë të asaj krahine, me trimërinë e patriotizmin e flaktë të prinderve e të fisit të tij që luftuan me pushkë në dorë për çlirimin e Atdheut, u frymëzua në odat e burrave që të mbledhur rreth oxhakut apo në mejdane , përhapnin urti , trimëri e atëdhetarizem , u flladit e u freskue me ujrat kristal të Valbones, si damar gjaku e burrërie të asaj ane.
Dhe ashtu si Valbona rrjedh vrullshem honeve e maleve me gurgullimë për tu bashkuar e pushuar në det, edhe Skënderi një djalë i ri , energjik ndoqi rrjedhen e Valbones edhe ai i marrosur pas këtij lumi, me strajcen e ëndërrave, për tu bashkuar edhe ai me detin, mori rrugen e zbriti vrullshem, por fillimisht u ndal në detin e madh të dijes, dhe u ul më bankat e Shkolles Ushtarake “Skenderbej”.
Mbas Shkolles “Skenderbej” i del bursa për të vazhduar shkollen e lartë të marines”KIROV” në Baku të Azerbajxhanit, ahere pjesë e Bashkimit Sovjetik. Si në shkollen “Skenderbej” dhe veçanërisht në shkollen e lartë të marines, në Baku, ka qenë nxënes e student shembullor. Shkollen e lartë të marines e mbaroj “Shkelqyeshem”. Për arritje të larta në mësime , maturinë e pjekurinë e tij Skënderi ka qenë për kater vjet të shkolles lartë përgjegjes i grupit të studentave shqipëtarë.
Vitet ecnin , shkolla mbaroj dhe erdhi në Atëdhe e priste të caktohej në anijet e në detyrë si oficer komandues .
Tek i pyeten një ditë se ku kishin dëshirë të sherbenin Skënderi u përgjigj shkurt e prerë: ” Ku të ket nevojë Atëdheu”. Dhe e caktuan në Nendetse që sapo kishin ardhë në SHQIPËRI, që përmblidhte në vetvehte një armë të re sa të mistershme aq dhe krenari se ku do të sherbente.
Epizmi dhe heroizmi i origjines e ndoqi pas gjithë jeten si i ri , si i moshuar.
Erdhi në det si shqiponjë e maleve kreshnike dhe u këthye në shqiponjë e detit.
Që në fillim të karieres së tij spikati në çdo drejtim. Falë pregatitjes së tijë të gjithëanshme më vitin 1961 u emrue , pas një periudhe prej tre vitesh si zv/komandant, komandant i Nendetses Dytë.
Me pregatitjen e lartë dhe me prezencen e figures e personalitetin e tijë fitoj shpejt respektin e mbi të gjitha besimin e efektivit të nendetses, të kolegëve e vartësve të tij.
Skender Doçi komandant, ishte një djalë i ri, djalë i gjatë e simpatik, me shikimin si të shqiponjes, që sillte në nendetse, në këto shqiponja të nenujshme, madhështinë e krenarinë e bjeshkëve të Tropojes, epizmin e heroiken e tyre.
Ai është djali i Veli Niman Doçit- ish komandantit të Brigades 25- Sulmuese që luftoj me pushkë në dorë për çlirimin e Atëdheut, nga i cili Skënderi, trashëgoj shpirtin luftarak e patriotizmin e flakët.
Familja e Skender Doçit në breza ka qenë një nga familjet më patriotike të krahines Tropojes. Gjithëmonë pushkë e ndezur për vatan, gjithëmonë vater e dijes dhe urtisë.
Gjyshi i tij ka qenë mësuesi i Bajram Currit.
Këto virtyte trimërie , burrërinë e maturinë
Skënderi i përshfaqi dhe gjatë kryerjes të detyres komandantit të nendetses dhe kudo ku kreu detyra të larta e të rëndësishme të kohes .Që në fillim ai tregoj aftësi të rralla në drejtimin e Nendetses nen ujë. Dijet e njohja në përfeksion e saj anije misterioze, zhdervjelltësia në zgjidhjen e situatave riskuese për jeten e efektivit e të anijes nen ujë personaliteti i tij si një kreshnik malesh , bënë që shpejt efektivi ta ndjente jeten të sigurt në lundrim me komandant Skënderin i cili u rrinte afer si detarëve e kuadrove, si komandant, si shok , si prind.
Si një patriot i vertetë Ai bëri një luftë dhëmb për dhëmb me oficerat rus të nendetseve të cilet kërkonin të rrembenin nendetset tona. Me inteligjencen , pregatitjen e lartë politiko ushtarake , me trimërinë e tijë Ai i tregoi vendin secilit provokatori rus, duke ju përgjigj me vendosmerinë e patriotizmin shqipëtarë, çdo llojë dredhije që perdoren ata për qellimet e tyre, duke i dal zot Atëdheut të tijë të dashur.Vlen të përmendet veç të tjerave fakti kur Skënder Doçi tregoj vigjilencë, atdhetari , kurë ruset në pamundësi për të marrë të kater nendetset tona, filluan të sabotonin duke kërcënuar e kryer akte sabotazhi. Në nendetsen e tij kolegu rus deshi të merrte fshehtas Formularin Taktik e Teknik të përdorimit luftarak të nendetses që ishte mjaft i domosdoshem në perdorimin praktik të anijes, por Skënderi me vigjilencë dhe me forcen e tij fizike ja rrembeu nga duart rusit duke e ruajt si gjë të shtrenjtë në nendetse. Apo në mos dorzimin e armatimit përsonal të tijë, pistoleten ” Makarov “të cilat ruset nga frika që kishin nga shqiptaret deshen ti çarmatosin oficerat shqipëtarë,duke kerkuar dorzimin e armatimit personal , por edhe në ket rast Ai forcërisht nuk e dorëzoj pistoleten e nuk u çarmatos.
Gjatë gjithë jetes si kuader i lartë i FLD, është karakterizuar nga pjekuria, aftësitë e larta politike e ushtarake ku spikati në fushen politike dhe të edukimit, urtësia e maturia në trajtimin e në zgjidhjen e situatave e të problemeve të shumta që kishte FLD-ja, dashuria dhe respekti për detaret e kuadrot e kësaj arme të vështirë.
Kurrë nuk merrej me llafe, kurrë nuk fliste për vehte, ishte i drejtë e parimor.
Eksperienca e gjatë në punë, qoftë në Brigaden e. NENDETSEVE ku sherbeu për mbi 3 vjet si zv/komandant e 8 vjet komandant e komisar nendetseje, zv/ komandant i Brigades Nendetseve e më pas Komisar I Bazes Ushtarako Detare të Vlores e Sazanit dhe për shumë vite Komisar i FLOTES LUFTARAKO DETARE,ku ai doli në pension, AI skaliti portretin e një nenujësi,komandanti , komisari,edukatori e drejtuesi exelent.
Ishte korrekt e serioz në kryerjen e detyrave , deri në detyrat më të larta e të vështira të kohes.U dallue në pregatitjen e kuadrit nenujës , aftësimin e tyre praktik e luftarak. Pas vitit 1990 kur doli në pension jetojë në AMERIKË, pranë fëmijëve. ATJE larg në Amerikë qëllojë kur u ndez lufta e UÇK-së për çlirimin e KOSOVES. Edhe pse i moshuar, pensionist, edhe pse mund të shijonte kënaqësinë e të pushuarit e të shijuarit të jetes,e ku në Amerikë, i vloj gjaku për Kosoven e vëllezërit tanë. Tradita luftarake e familjes tij u përshfaq nga Skënderi edhe atje në Amerkë ku bashkë me shokë të tjerë arriten që shumë shpejt të organizonin e të krijonin batalionin “ATLLANTIK” ku në drejtimin e tij si komandant u emrue Skënder Doçi .dhe mori pjesë aktive në luftimet e UÇK në Kosoven martire. Në luftë të parët, në luftë i jati, në luftë dhe Skënderi , djali trim i tyre
Trashëgimi luftarake brezash. Është i vetmi oficer marine që ka marrë pjesë në luften e UÇK në Kosovë dhe i vetmi komisar që ka lidh fjalen me vepren, jo vetem na edukoj me atëdhetarizem , por dhe na dha shembullin përsonal si trim,si komisar e komandant duke luftuar me pushkë në dorë për çlirimin nga hordhitë serbe të vëllezerve tanë kosovarë.
Unë kam qenë me fat e jam krenar që e kam njohur nga afer Skënder Doçin , kam lundruar e kam punuar në sektorin politik të FLD-së me Atë dhe gjithëmonë kam ndjerë doren e ngrohtë të tijë , gjë për të cilen i jam mirënjohes. Ishte shtator i vitit 1978. Për arësye familjare e shëndetsore doja e kërkova të largohesha nga nendetsja. Kishte ardhur në Pashaliman një ekip I KQ.PPSH.Bëmë mbledhje me të gjithë kuadrot e nendetseve. Në presidium ishte dhe komisari i FLD- së Skënder Doçi.
Veç të tjerave drejtuesi i ekipit, një prepotent i kohes, na pyeti në se ka kush ndonjë problem. Probleme kishte shumë por ai më kryesori ishin kerkesat e shumë kuadrove për tu larguar nga nendetset për arësye të kushteve të vështira dhe të kohëzgjatjes madhe me vite të tëra në nendetse.Në atë periudhë qarkullonte dhe një fjalim i udhëheqsit të kohes që orientonte që sipas mundësive oficerëve, tu krijohen kushte të shërbejnë nëpër reparte sa më afer familjeve e prinderve të tyre.
I pari u ngrita unë dhe kerkova që të transferohem .Por kjo ishte një pikë e nxehtë që i dha shkëndijë si kuadrove të tjerë që mezi prisnin të mbaroja unë , por ishte pikë e nxehtë dhe për ekipin e lartë që ta shuante kët shkëndijë pa marr zjarr akoma. Pas disa debatesh ishte nderhyrja e SKËNDER DOÇIT që më qetsoj mua dhe shoket e tjerë.
– Po nuk ka nendetse në Mirditë – mu drejtua Ai mua.
– E di shoku Skënder , por në se nuk ka në Mirditë , ka anije në Shëngjin- reagova unë.
– Sipas rastit dhe mundësive do ta shikojmë
si rastin tuaj Mëhill dhe të shokëve të tjerë dhe më picëroj syrin e ma bëri me dorë të ulem. U ula me ngrohtësinë e fjales komisarit të FLD-së. Dhe komisar Skënderi nuk e harroj– pas një muaj më erdhi transferimi për në Shëngjin gjë për të cilen i jam mirënjohes për fjalen e burrit.
Skënder Doçi ka qenë dhe një sportist i talentuar. Ka luajtur shumë mirë futboll dhe volejboll. Deshi ta merrte ekipi i Partizanit por emrimi në nendetse e pengoj.
Ai ka qenë dhe është pjesmarres aktiv në mbremjet defryese e takimet shoqërore e familjare ,apo në guidat turistike.. Spikaste si kercimtar e vallëtarë virtuoz aq sa kur kercente me bashkëshorten e tij DIANA DOÇI, mësuesen e dalluar , një grua e fisme, e gjatë dhe e bukur me një hijeshi si çetinë bjeshke, a thue se kishin lind për njëri tjetrin, vallen e Tropojes, të gjithë pjesëmarrësit mrekulloheshim për virtuozitetin e kercimit , sikur kishin zbrit e po vallzonin dy shqiponja.
Ja kështu e kam njohur ahere dhe sot Skënder Doçin. Kuader i aftë e i përkushtuar, shok e mik i mirë, familjarë shembullorë, burrë kreshnik e fisnik.
Edhe sot e kësaj dite kur mbi supe i rëndojnë vitet e moshes së thyer, në ballë i brazdohen rrudhat si dallgë e floket e bardhë si shkuma e detit , mbahet i fortë dhe shumë vital.
Ka sfiduar moshen, ka sfiduar detin e vështirësitë e tij , lodhjen e punes në det e në tokë, por mbi të gjitha ka sfiduar si askush nga ne luften dhe riskun e sajë.
MËHILL MARKU
(ISH BASHKËNENUJES, E BADHKËPUNËTORË NË SEKTORIN POLITIK TË FLOTES LUFTARAKO DETARE)
-Për ZemraShqiptare, nga Shengjini, Shtator 2019-