NJË LIBËR QË TË PANJOHURËN E NXJERR NË DRITËN TRONDITËSE TË VËRTETËSISË

Rreth librit të Enver Lepenicës ” Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”

Nga Qazim Shehu, poet

Studiuesi Enver Memishaj – Lepenica gjithnjë po befason me zbulimet që bën, me trajtesat dhe thellimet në fushë të historis, të trashëgimisë kulturore të popullit tonë, e, në ato areale, ai e ndjen veten kompetent dhe mendon se ia del për ta dhënë shterueshëm temën që merr në studim.

Lexuei i sotëm, interesuar për këtë fushë të krijimtarisë, është njohur vetëm me këngët partizane, autorët e saj, por nuk i ka rënë rasti të njihet me këngët e Ballit Kombëtar dhe autorët e tyre. Arsyet dihen dhe nuk ka nevojë të komentohen, po nuk mund të mos theksohet ideja se historia e kulturës shqiptare si kulturë e vogël është historia e përjashtimit për motive qoftë politike qoftë egocentriste. Kjo lojë e neveritshme përjashtuese i ka sjellë një dëm kulturës sonë duke e bërë më të vogël dhe, fatkeqësisht, vazhdon edhe sot si reminishencë nga e kaluara. Ne ende s`po mësojmë ta shtrijmë me një vetëdije të kthjellët vështrimin tonë edhe atje ku nuk na pëlqen, që të tregohemi realistë, jo miopë e dashakeqës, po të drejtë. Të habit fakti që ndonjë personalitet i komunizmit në superstrukturën e institucioneve të kulturës, në vend që të turpërohej nga padija ose dija e hequr si mohim, deklaron me krenari: ”Më gjeni një këngë të Ballit Kombëtar? Asnjë…”.

Por të vërtetat historike e kulturore mësohen e përftohen që në fillim kur fillon e shfleton librin voluminoz të Enver Lepenicës “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar” të strukturuar me kapituj të qartë që ruajnë një ritëm zgjerues e përforcues nga faqja në faqe.

* * *

Këngët e Ballit Kombëtar të përmbledhura me kujdes, seriozitet dhe në mënyrë shteruese nga autori i librit që marrim në analizë, janë himne, marshe luftarake të cilat i këndojnë lirisë, Shqipërisë, atdheut dhe përcjellin urrejtjen ndaj pushtuesit. Këngët që përmblidhen në këtë libër shprehin shpirtin luftarak, liridashës, gatishmërinë për theror në emër të lirisë së munguar, zgjerojnë frymëmarrjen tematike në dhjetra qindra raste, ngjarje dhe ndodhi, përcjellin kreanarinë për të kaluarën e lavdishme të popullit dhe inspirojnë për botën e drejtë. Si të tilla ato e mbajnë gjallë frymën luftarake dhe kanë një karakter mobilizues i cili përforcohet e merr krah nga thellësia e shpirtit liridashës. Në kapitullin e parë autori ka përmbledhur himne (kulte adhuruese),

ku dallohet ai i Kolë Tromarës: ”Sa të rrojë gjithësia”, i Vedat Kokonës:”Kushtrimi”, i Haki Tahës: ”Marshi i Kosovës”, i Xhevat Kallajxhi: ”Ngrehu Vlorë” , ”Bini Toskë e bini Gegë”, ”Himn i kryengritjes”, i Isuf Luzit “Prosopopea”, i Tefik Sfirit etj, etj. Ja sa të bukura janë vargjet e

Kolë Tromarës:

Sa rrojë gjithësia

sa të rrojë gjithë dheu

do të rrojë Shqipëria’

edhe emri Skënderbeu.

Kënqësia nuk ka fund kur duhet të recitosh poezi të tjera.Citojmë:

Thërret gjaku i vllaznëve

që po shkon rrëke

zani i dëshmorëve

që flasin nën dhe

Dom Zef Shestani:”Himni i Ballit kombëtar”.

Autorë si Vedat Kokona, Beratasi, Izet Vrazhdo nga Bolena, Bardhi- Xhevat Kalljaxhi, Hysni Sheme Sadiku nga Dukati, Dom Mar k Hasi etj, etj, përmes himneve shkulmuese dhe ngjitëse, ngrenë lart gjithnjë vlera të pakontestueshme, i lidhin me historinë, rrethanat e reja dhe krijojnë një

realitet të ri të shpirtit patriotik të popullit tonë në atë kohë, po edhe të atyre intelektualëve kurajozë-krijues që me vargjet e tyre ditën të ngrenë lart përmes gjuhës së himnit, vlerën e paçmuar të lirisë.

Për të na treguar vërtetësinë e tyre, studiuesi Enver Lepenica, në fund të çdo himni e kënge, tregon edhe burimet referenciale prej nga i ka shkëputur këto këngë, himne, të cilat vijnë nga shtypi i luftës i Ballit Kombëtar dhe libra e broshura të autorëve të tjerë, kryesisht të kohës së luftës. Për këtë i është dashur një punë e kujdesshme dhe e mundimshme, të cilën e ka realizua, me durim, dhe korrektesë prej njeriu serioz, e me lodhje.

Në kapitullin e dytë pasqyrohen aspekte të Luftës së Dytë Botërore, ngjarje tronditëse si: Shtatë Prilli, evidentohet Flamuri si shenjë e kombëtarizmës dhe idealit të saj, ironizohet klika Dushano-Miladiniste, u këndohet trimave të lirisë, Betejës së Gëhotit, Luftës së Gjormit, Luftës

së Drashovicës etj etj, ngjarje që kanë të bëjnë me historinë e Shqipërisë, ku Balli Kombëtar është faktor.

”Shtatë Prilli kujtim i zi/ Për të mjerën Shqipëri..”, do të klithë Xhevat Kallajxhi. ”Mbi shkëmb e gur/Valo flamur” jep kurajo e kushtrim Dom Ndre Zadeja, poet meshtar. Autorë të tjerë si Tefik Sfiri, Veip Nexhip Kapaj, Hekuran Zhiti, Ali Baba Tomorri, Isuf Luzaj, Halo Askushi, Islam

Lleshi etj i pasqyrojnë këto ngjarje përmes vargjeve të rrjedhshme, plot koherencë dhe intonime të forta patriotike ku shprehet dhembja, krenaria, besnikëria ndaj idealeve të larta kombëtare. Simboli i Skënderbeut, Flamurit, Atdheut por edhe i dëshmorëve të rinj bëhet pika nevralgjike prej nga kalojnë sa e sa ndjenja të fuqishme drejt sublimimit për liri. Lexuesi nuk ka se si tërhiqet e t`i kalojë në indiferencë këto krijime “të panjohura”, jo vetëm për vlerën e ridaljes në dritë, po më së shumti me ato çfarë afrojnë, jo vetëm si aspekt historik, por edhe si modele këngësh e poezish ku gjejmë ritmin e duhur, thjeshtësinë e prekshme, figurën artistike dhe frymëzimin e sinqertë që u gatua në rrethanat e luftës.

Ndaj me të drejtë, mund të konstatojmë se duke shkuar më tej në udhën e leximit, në kapitullin e tretë të librit, shohim si vargu i këtyre këngëve vjen dhe merr intonime të reja në strukturën e sendërtimit të përmbajtjes, larg sforcimit apo të thënës pa bereqet artistik. Kjo pamje vihet re në mjaft këngë për dëshmorët. Dhimbja është e madhe. Dëshmori është shoku në krah të poetit që lufton në një llogore, po nga ky moment, ai nuk është më shok i tij, por shoku i të gjithëve, fytyrë e re e idealit të vjetër patriotik. Këngët kushtuar Mid’hat Frashërit e identifikojnë hijen e tij madhështore si njeri të penës, si burrin elitar dhe me mend shumë, ato janë këngë plot pathos lavdërues, po lavdërimi nuk ka kurrëfarë elozhi të tepërt, ashtu si dhe këngët për Skënder Muçon, Safet Butkën dhe Hysni Lepenicën që shprehin bashkë me këngëtimin për këto figura edhe dashurinë për atdhenë, veçanërisht për Labërinë duke i parë këto figura si pjesë e asaj tradite të madhe liridashëse që e karakterizon në shekuj Labërinë. ”Ty hero legjendar, kam shumë mall të të shoh/ se ty në beteja, si Herkul të njoh..” (Tahir Hoxha, Hysni Lepenicës). Mexhit Kokalari: ”U këput një këmbë mali/ Hysni trimi sedërtari/ në Gërhot të mbeti xhani/ të vajton sot gjithë vatani” Vazhdojnë më tutje sonetet e Uran Kostrecit etj.

Lexojmë jo pa kuriozitet edhe këngë për dëshmorët e tjerë si Azis Çami, Dom Ndre Zadeja, Jashar Cakrani, Selfo Hekali, Xhemil Meço, Lahe Nuro Alikaj, Rrapo Mete Premtaj e një numër i madh dëshmorësh të rënë në luftë kundër pushtuesve apo të grirë nga vëllavrasja me nxitje dushaniste.

Aty pasqyrohet jo vetëm dhimbja, po dalin në pah ato element të kohës të cilat shpjegojnë dramën e vërtetë e cila më vonë u kamuflua nga propaganda komuniste që nuk pushoi t`i paraqeste ballistët si puthadorë të fashizmit, si frikacakë, madje në ndonjë film socrealist ballisti ikte i frikësuar edhe nga fëmijtë që i gjuanin me llastiqe. Ky jo vetëm është një turp propagandistik me një grotesk rabëlesk, po edhe një shërbim i keq ndaj krijimit të mendësisisë në një pjesë të mirë njerëzish të indroktinuar.

Sidoqoftë le të vazhdojmë me paraqitjen e këtij libri që, nga gjerësia e pasqyrimit, mbetet unikal në këtë fushë dhe merion natyrshëm lavdërime.

Janë dy kapituj interesantë si vazhdim i pa ndërprerë i krijimeve të luftës: “Bijtë kujtojnë baballarët e pushkatuar pa gjyq” dhe vjersha e këngë të Ballit në emigracion. Ja çfarë tabloje pasqyrojnë këto vargje: ”Në vitin 46, zhurmë e egër prapë në Vlorë/ populli nga të katër anët thonë kanë zbritur vizitorë,/ sot një trim paskan sjellë komunistët në Pazar/ me një gjarpër si kollaro/ trupin krejt në gjak të larë…”

Këto vargje si dhe të tjera që lexuesi do ti gjejë në libër dëshmojnë se lufta ndaj Ballit Kombëtar nuk kornizohet vetëm si luftë brenda luftës, po ajo zgjati sa kohë komunistët mbajtën pushtetin. ”Rroj në vend të huaj si zog pa fole/ Nuk njoh njeri dhe njeri s`më njeh..”, krijoi këto vargje

Hasan Mishgjoni nga Tragjasi, në emigrim politik. Dhe më tej: ”Në kala të Krujës ku u ngrit flamuri/ Yll i robërisë vendin e tij zuri…” Shumë poezi e këngë pasqyrojnë realitetin mërgimtar dhe një realitet që shihet përmes dhimbjes se Shqipëria e detyruar t’i nënshtrohej një klike do humbiste shumë nga kjo, dhe se vetëm parimet demokratike ishin ato që do jepnin oksigjen çështjes  kombëtare. Kjo pamje nga mërgimtarët është jo vetëm qëndrueshmëri dhe mungesë thyerje dhe kompromisi po edhe largpamësi që shpreh që herët programin nacionalist të Ballit Kombëtar,

program që përfshinte të drejtën e lirisë për të gjihë trojet amtare.

Satira është një vështrim tjetër poetik realist i këtyre këngëve të paraqitura në kapitullin e fundit të librit. Ja si i cilëson një këngë satirike udhëheqësit komunistë të asaj kohe: Enver Hoxha, sharlatan; Mehmet Shehu, zullumqar; Bedri Spahiu aktor; Tuk Jakova, karagjoz; Myslim Peza, katil; në këtë vijimësi epitetike gjendet pothuajse çdo këngë satirike që synon dhe demaskimin e diktaturës komuniste. Autorët Areza (pseudonim), Arshi Pipa, Shefkeq Musa-Raja, (pseudonym), Uran Kostreci, përmes fjalës së tyre thumbuese nxjerrin butaforinë e sistemit që kokëzohet në disa nyje djalli veshur me cipën shkëlqyese të hipokrizisë. Poema “Epopeja e Karkalecëve” edhe pse ndjek atë strukturë ritmike të poemës së komunistit Shefqet Musarajt për Ballin Kombëtar, llojin e vargut dhe procedimin vështrues –stilstik, si tipologji, duket se është një kundërvënie e hapur ndaj saj, po edhe ndaj gjithë atyre karkalecave që kërcenin nga një fjalë në tjetrën duke humbur boshtin e karakterit njerëzor. ”Kubeja e tërë/ ktheu bishtin pykë/ tepruan vetëm/ disa qyrtykë”… Janë të njohura edhe vargjet që shpjegojnë absurdin e asaj dredhie të madhe: ”Mora pushkën dola malit/ të luftoja për liri/ ku ta dija unë i ngrati/ se armiku ishe ti…”

* * *

Me një vështrim tërësor, ku nuk besohet se ka mbetur gjë pa thënë, autori kësaj vepre Enver Memishaj -Lepenica na sjell në spikamë personalitete dhe njerëz të panjohur, poetë, rapsodë, krijime anonime, duke respektuar kriterin kohor, që nga Lufta e gjer më sot, jo për të na treguar këngët, po për të na treguar se çfarë pasurie krijuese është mbajtur e kyçur në sirtaret e një harrese të imponuar. Kjo është vlera dhe rëndësia e kësaj vepre. Me durim e kujdes autori i ka mbledhur ato një nga një, në revista, libra, gazeta të kohës, kudo që janë kënduar, shkruar dhe botuar, dhe kështu të ngjan se krijon një enciklopedi poetike me vlera të rralla. Po për gjithë krijimet poetike autori ka dhënë shënime; si kanë lindur, kur, dhe bartësit e tyre si dhe krijuesit, duke plotësuar informacionin e nevojshëm historik,

kështu kemi një enciklopedi të vërtetë të historisë së Ballit Kombëtar. Kjo është vlerë si një zbulim që bëhet për herë të parë edhe për faktin se himnet dhe këngët e Ballit Kombëtar mbesin në shumicën e tyre perla të vërteta, kanë një gjërësi pasqyrimi plot hapësira dhe fluiditet, pasqyrojnë vetëm një ideologji: ideologjinë kombëtare.

Ato mund të lexohen e rilexohen vazhdimisht për të kupturar shpirtin poetik të një populli, një pjesë të tij të panjohur, por edhe dramën e Ballit Kombëtar që u “viktimizua” pa të drejtë prej shpifjes komuniste, dhe këtu, Enver Lepenica, sjell një ndihmesë sa poetike aq akademike. Me këtë libër ai e rrit më tepër staturën prej studiuesi duke na sjellë një vepër poetike kolektive, po përmes saj shpirtin historik, dhe materien e filozofisë nacionale që, aq bukur, e mishërojnë këto këngë e himne të bukura, të rrjedhshme e me vlerë ideopotenciale për dje, sot dhe të ardhmen.