Autoritetet në Kosovë thanë të premten se kanë ndaluar importin e mjaltës natyrale dhe patates nga Maqedonia e Veriut për të mbrojtur siç thanë interesin e bizneseve dhe prodhimeve vendore.
Kjo masë u bë e ditur nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë në dorëheqje, Endrit Shala, i cili tha se kjo pasoi barrierat tarifore të vendosura nga shteti fqinj ndaj rasadit të peshkut që eksportohet në këtë vend nga Kosova.
Ai tha se që nga qershori i këtij viti ka provuar që të kontaktojë me zyrtarët e Maqedonisë së Veriut ndërsa ankesë është dërguar edhe në CEFTA.
“Sot kam marr vendim që të vendos masa reciproke për produktet e Maqedonisë së Veriut që importohen në Kosovë dhe të ndalojë hyrjen e disa produkteve në mënyrë që të detyrojë shtetin e Maqedonisë së Veriut që të reflektoj dhe të ketë tretman të barabartë për produktet e Kosovës që hyjnë në atë shtet”,thuhet në njoftimin e ministrit në dorëheqje, Endrit Shala.
Ai thotë se reciprociteti, partneriteti dhe trajtimi i barabartë i prodhimeve të Kosovës gjatë eksportit në vendet e rajonit, është e vetmja rrugë me të cilën duhet të shkohet përpara.
“Në rast se ky tretman do të vazhdojë ne do të marrim edhe hapa tjerë, jo vetëm ndaj këtij shteti por edhe shteteve tjera. Tashmë asnjë prodhim i Kosovës që eksportohet jashtë nuk do të ketë tretman të pabarabartë”, thuhet në njoftimin e ministrit.
Aktualisht Kosova ka vendosur tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe për shkak fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.