Tendenca e përfitimit nga vlerat e të tjerëve është njëra nga dukuritë më të shëmtuara të politikanëve (pushtetarëve) të pasluftës.
Ndarja dhe klasifikimi i intelektualëve jo për nga veprat dhe meritat, por nga përkatësia ideologjike, nga kundërshtia apo dëgjueshmëria është produkt i kusarëve politikë që nuk shohin përtej hundës së tyre.
Çdo ditë jemi dëshmitarë të organizimit të përvjetoreve nën patronatin e presidentit dhe kryeminstrit, kohëve të fundit edhe të organizimit të ceremonive të varrimit të familjarëve të njerëzve të pushtetit me para të shtetit, por asnjëherë deri më tani nuk janë bërë publike shumat e shpenzuara për rastet në vaçanti apo në përgjithësi nuk janë bërë publike lëvizjet financiare nga Ministria e Financave për këto destinacione.
Arka e shtetit është gjithnjë e hapur për njerëzit e pushtetit, ndërsa është e mbyllur për njerëzit që kanë kontribuar më së shumti për shtetin.
Kështu, pushtetarët me paratë e shtetit i ndajnë dhe diskriminojnë qytetarët e vendit; në qytetarë të rangut të parë, të dytë, të tretë e kështu më radhë.
Ndarja e intelektualëve, produkt i pushtetarëve
Brenda 10 ditësh na ikën nga kjo botë dy intelektualë të spikatur, dy atdhetarë të devotshëm, dy penda të krijimtarisë letrare dhe publicistike.
Mjerimi më i madh i një pushteti është ndarja e dëshmorëve dhe intelektualëve në baza partiake dhe ideologjike. Sikurse dëshmorët dhe heronjët që janë të popullit dhe vetëm të popullit, edhe intelektualët i përkasin popullit e jo pushtetarëve.
Pra vetëm brenda 10 ditësh në Kosovë u shuan tri figura të jetës politike, publicistike, letrare e kulturore (Rrok Berisha, Gani Sylaj dhe Xhemshit Duriqi), por që nuk u trajtuan njëjtë prej pushtetarëve, dy prej të cilëve janë pjesë e kësaj analize.
Njërit prej tyre (Rrok Berishës) ceremonia e varrimit iu krye vetëm prej familjes, por me pjesëmarrjen e shumë atdhetarëve, i injoruar nga mediat (e pushtetit) dhe pa pjesëmarrjen e pushtetarëve, ndërsa tjetrit (Gani Sylajt) nën patronatin e presidentit dhe mbështetjes së fuqishme mediale.
I pari është gazetari i njohur dhe publicisti Rrok Berisha, i cili ndërroi jetë më 26. 06. 2019, ndërsa i dytë është idealisti dhe politikani Gani Sylaj që ndërroi jetë më 04.07.2019.
Nëse i referohemi biografisë së këtyre dy figurave të shquara të kombit, kemi të bëjmë me dy profile intelektualësh të përmasave kombëtare.
Kush është Rrok Berisha!?
I pari, Rrok Berisha i lindur më 5 gusht të vitit 1956 në Gllogjan të Lugut të Baranit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Prishtinë, studimet në FSHNM, për Biologji – Kimi. Gjatë shkollës së mesme boton vargjet e para poetike, në gazetën e shkollës dhe në revistën “Zëri i Rinisë”. Gjatë studimeve ishte bashkëpunëtor aktiv i gazetës studentore “Bota e Re”. Nga viti 1978 – 1990 ka punuar gazetar në RTP ( Radiotelevizionin e Prishtinës). Rrok Berisha ka bashkëpunuar ngusht me QIK-un, gazetën “Bujku” dhe “Informatorin“.
Nga ajo kohë e deri në fund të jetës së tij, Rrok Berisha ishte marrë me gazetari dhe publicistikë, përkatësisht me shkrime politike të botuara kryesisht në gazetën “Bota Sot” dhe portalet e kohës.
Rrok Berisha, gazetar, politikan dhe poet, me pendën e tij luftoi të keqën dhe mbrojti interesin e popullit të tij.
Rrok Berisha ishte edhe ndër themeluesit e Partisë Shqiptare Demokristiane. Në zgjedhjet e marsit 1998, Berisha ishte zgjedhur deputet i Parlamentit të Kosovës (për zonën e Lugut të Baranit, nga PSHDK-ja).
Berisha kishte ndihmuar në sistemimin dhe organizimin e njësiteve operative të UÇK-së në Dukagjin, të oficierëve të FARK-ut. Ai ka qenë i caktuar drejtor për informim në Zyrën e Brigadës 131 të njësive operative të UÇK-së në Baran, përkatvsisht ushtar dhe shef i Zyrës për Informim i Njësive Operative të UÇK-së-Brigada 131 “Adrian Krasniqi”, Baran i Ultë (Pejë).
Rroku dha kontribut në ndërtimin e Institucioneve paralele të Republikës se Kosovës, që ishin e vetmja mënyrë e funksionimit të jetës e veçmas në segmentet e arsimit dhe shëndetësisë. Rroku dhe familja e tij shquhen edhe për në ndihmën humanitare, për mbijetesën fizike të kombit në aksionin e gjërë–familja ndihmon familjes dhe aktiviteteve të ndryshme dhe jo vetëm, shtëpia e tij në Gllogjan (Lugu i Baranit) ishte bazë e aktiviteteve-kombëtare e politike, i kishte gjithmonë dyert e hapura per aktivitete politike, kulturore dhe arsimore, ishte vend strehim i qindra e qindra te shpërngulurve nga vatrat e luftë.
Pas masakrës së Kralanit në shtëpinë e Rrokut për një kohë qëndruan mbi 55 gra e fëmijë nga fshatrat Brojë e rrethinë të Skënderajt.
Në këtë shtëpi gjetën strehim, ushqim dhe qetësi shpirtërore shumë familje shqiptare në përiudhën e parë të luftës, derisa forcat çetnike serbe e kallën me mjete djegëse, me 4 gusht 1998-të. Shtëpia e Rrokut ishte vendtakim i faktorit politik dhe ushtrarak i të dy krahëve të UÇK-së.
Më 3 korrik 2010, Rrok Berisha jep dorëheqje nga të gjitha postet partiake dhe i perkushtohet krijimtarisë letrare dhe publicistikës”.
Nga krijimtaria letrare e Rrok Berishës veçojmë si në vijim;
Vëllimet poetike: “Ti aty mbush ujë”; “Kërkimi i vetvetes”; “Vetmia e udhëtimit”; “Larg e Afër”; “Shpirti i dritës së amshuar” ( poezi kushtuar Nënë Terezës, shqip- anglisht); “Akuarelet e Shpirtit” “Kujtimet e varura” dhe “Pesha e Hapit”.
Vëllimet publicistike: “Krimbi në mollë”; “Bardh e Zi”; “Kukullat”; ”Shitësit e Mjegullës”; “Argatët e Dreqit”. “Letër Jo e Zakonshme” (memoare dhe pjesë ditari nga koha e kaluar dhe periudha e luftës); si bashkautor me Mikel Gojanin monografinë ”Anton Frrokaj – në piedestalin e përjetësisë”.
Kush është Gani Sylaj!?
I dyti, Gani Sylaj u lind me 14 janar 1952, në fshatin Kishnarekë, Komuna e Drenasit, ish Gllogoc. Shkollën fillore e ka nisur në Kishnarekë, ndërsa e ka përfunduar në Komoran. Në Prishtinë ka mbaruar Shkollën e Mesme Normale në vitin shkollor 1971/72. Në vitin 1973 regjistron degën e Filozofi-Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, të cilin e ndërprenë në vitin 1974, kur i përkushtohet tërësisht organizimit ilegal në Grupin Revolucionar të Kosovës. Në vitin 1979 burgoset dy muaj për kundërvajtje, në Gjykatën komunale në Drenas, ish Gllogoc. Pa mbaruar këtë dënim, në Burgun e Prishtinës, dërgohet në Burgun e Shkupit, ku në vitin 1980 dënohet me 4 vjet burgim. Fillon vuajtjen e dënimit në Burgun e Idrizovës, në Maqedoni deri në shkurt të vitit 1982, kur Sigurimi jugosllav e transferon në Burgun e Prishtinës, për ta dënuar me 12 vjet burg, të cilat i mbajti në burgun e Mitrovicës dhe në Burgun Hetues të Somborit, në Vojvodinë. Nga burgu është liruar në vitin 1990.
Pas burgut, nga viti 1990 – 1994 ushtron disa funksione dhe merret me një sërë aktivitetesh: me iniciativën e kolektivit të shkollës fillore të fshatit të lindjes, zgjidhet drejtor i Shkollës Fillore. Kur u themelua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, u zgjodh kryetar për Komunën e Drenasit, ndërsa në kuadër të kryesisë së kësaj shoqatë ishte i ngarkuar edhe me detyra të tjera; në Lidhjen demokratike të Kosovës, anëtar i kryesisë së degës së Drenasit dhe delegat në kuvendin e saj; në Lëvizjen për Republikën e Kosovës, kryetar; Në Këshillin për Financim, anëtar i kryesisë së degës në Drenas dhe anëtar i komisionit të kontrollit në nivel të Këshillit. Një ndër redaktoret e Gazetës “Bashkimi” etj.
Ishte bashkëpunëtor i Ministrisë së Arsimit në mërgim; Anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve dhe Pedagogëve Shqiptarë në Zvicër; kryetar i Emergjencës për Zvicër; Kryetar i degës së Lidhjes së Bashkuar Demokratike në Zvicër etj.
Prill-qershor të vitit 1999, Zëdhënës i UÇK-së dhe Zëvendëskomandant për Zonën e Veriut; anëtar i Fondit Vendlindja Thërret; 1999-2000, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Zëvendësministër i Ministrisë për Emigracion; 2000-2001 drejtor i Agjencisë së Lajmeve “Kosovapress”; 2001-2002, ndjek kursin për organizimin e partive politike në kuadër të NDI-së, (Instituti Nacional Demokratik).
Gjatë viteve 2002-2005, ishte Kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës për Drenas dhe anëtar i Këshillit Drejtues i PDK-së; Kryetar i Komunës së Drenasit; i certifikuar për pushtetin lokal në Universitetin Georgetoën në Uashington, SHBA (2004);
2006-2011. Drejtues ekzekutiv në Shoqatën e ish-të Burgosurve Politikë; 2008-2011 anëtar i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, etj.
Nga viti 2017 ka ushtruar detyrën e nënkryetarit të Komunës së Drenasit.
Konkluzioni i pavarur analitik
Pra, nga ajo që mësuam nga biografitë e këtyre dy intelektualëve, i pari, Rrok Berisha na del një profil i intelektualit të përmbajtur, të guximshëm dhe të qëndrueshëm në vizionin e tij, ndërsa i dyti, Gani Sylaj, asnjëherë nuk është mjaftuar me ato që i ka sjellur koha, gjithnjë ka kërkuar diçka ndryshe duke lëvizuar nga njëri skaj në tjetrin, nga njëri subjekt në tjetrin për të realizuar objektivat e tij personale dhe jo vetëm.
Ashtu sikurse në veprimtarinë e tyre atdhetare dhe politike, dallimi mes këtyre dy intelektualëve, përveqse në pikëpamjet ideologjike, është edhe tek qëndrimet dhe afërsia me pushtetin.
Përderisa i pari, Rrok Berisha asnjëherë nuk u pajtua me prapësitë e kohës, me devijimet dhe denigrimet e politikës, duke i mbajtur në thumb të kritikave politikanët (pushtetarët) e kohës, i dyti, Gani Sylaj u qëndroj më afër pushtetarëve të pasluftës, duke u rreshtuar në krahun ideologjik (PDK), u bë pjesë përbërse e pushtetit lokal dhe atij qendror.
Kjo çasje kontraverse, bëri që i pari, Rrok Berisha të injorohet në vazhdimësi nga pushtetarët deri në ditën e fundit të shkuarjes në përjetësi, ndërsa i dyti, më urtësinë e një intelektuali dhe elasticitetin e një politikani, përveqse pjesë përbërëse e pushtetit, u nderua edhe me “Dekoratë” nga presidenti Thaçi.
Në fakt, kjo flet më shumë se asgjë tjetër për rrugëtimin jetësorë dhe politik të këtyre dy intelektualëve të spikatur të kombit.
Dy intelektualët e sipërpermendur janë shëmbull për gjeneratat e ardhshme. Sikurse njëri, ashtu edhe tjetri lanë pas vetës nga një veprimtari të bujshme politike, krijuese dhe atdhetare.
Por Rrok Berisha la diçka më shumë se kaq, një javë para se të largohet nga kjo botë, e la një testament të fuqishëm për drejtësisnë kosovare…
Modestia dhe sinqeriteti, pavarësia dhe guximi janë vyrtyte të njerëzve të mëdhenjë.
Liderët shtetëror që ndajnë heronjët e dëshmorët, që klasifikojnë intelektualët dhe krijuesit sipas bindjeve, dëshirave apo urrejtjes së tyre, nuk janë udhëheqës shtetëror por pushtetarë dhe uzurpatorë të institucioneve shtetërore.
Vdekja e intelektualëve e varfëronë kombin, gëzon politikanët injorantë!
07.07.2019