Bashkimi Evropian i bëri thirrje Iranit që të zmbrapset nga vendimi për të rritur nivelin e pasurimit të uraniumit përtej limitit të përcaktuar me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Zëdhënësja Maja Kocijançiq tha se blloku është jashtëzakonisht i shqetësuar, pasi Irani ka njoftuar se po prodhon uranium me një pastërti të paligjshme prej 4.5%.
“Ne fuqimisht i bëjmë thirrje Iranit që t’i ndalojë të gjitha aktivitetet që janë në kundërshtim me angazhimet e tij”, tha Kocijançiq.
Udhëheqësit evropianë druajnë se kjo mund ta përshpejtojë zhvillimin potencial të armës bërthamore, edhe pse Irani mohon se synon diçka të tillë.
Republika Islamike thotë se po u përgjigjet sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, që kanë nisur qysh vitin e kaluar, kur SHBA-ja është tërhequr nga marrëveshja bërthamore.
Ajo po ashtu thotë se fuqitë evropiane – nënshkruese të marrëveshjes – kanë dështuar të mbrojnë ekonominë e saj nga efektet e sanksioneve dhe këmbëngul se veprimet e saj janë në përputhje me marrëveshjen, të njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët i Veprimit.
Irani është zotuar se do të vazhdojë t’i reduktojë angazhimet e tij me marrëveshje çdo 60 ditë, nëse nuk fillon të shohë përfitimet e premtuara nga kjo marrëveshje.
Me marrëveshjen e vitit 2015, Irani ka kufizuar aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Por, në maj të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga marrëveshja duke thënë se kushtet e saj nuk ka kanë qenë të ashpra mjaftueshëm, sa për ta penguar Iranin nga krijimi i armës bërthamore.
Që atëherë, SHBA-ja ka rikthyer sanksionet kundër Iranit.