Qytetet mund të sigurojnë një “kundërhelm” ndaj ekstremizmit dhe populizmit nëse ndërtojnë ura mes komuniteteve të ndryshme, tha kryetari i Londrës, Sadiq Khan.
Ai është kryetari i parë mysliman i një kryeqyteti evropian.
Khan, i bëri komentet gjatë një takimi të përfaqësuesve të shumë kryeqyteteve evropiane që u mbajt në Londër.
“Ne kemi parë një rritje të lëvizjeve nacionaliste dhe populiste, në të gjithë Evropën, madje edhe në Amerikë. Është e qartë është se qytetet mund të jenë kundërhelm për këtë lloj ekstremizmi”, tha Khan në Fondacionin “Thomson Reuters”.
“Nëse nuk jemi të kujdesshëm, njerëzit mund të jetojnë në silos: të pasur, të varfër, të vjetër, të rinj, të zi, të bardhë – kështu që ne duhet të sigurohemi që të kemi ura mes komuniteteve”, tha ai.
Sipas tij, që nga financimi i kurseve për prindërit deri te sigurimi i hapësirave për klubet sportive, qytetet në gjithë Evropën, mund të nxisin integrimin, dhe të frenojnë çarjet shoqërore që shpesh çojnë në ekstremizëm.
Dy të tretat e njerëzve në botë do të jetojnë në qytete deri në vitin 2050, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara.
Kryetarja e parë femër e Amsterdamit (kryeqyteti i Holandës) Femke Halsema, tha se ofrimi i mundësive sociale siç janë: arsimimi më i mirë dhe qasja në punë, mund të ndihmojnë në trajtimin e ekstremizmit.
Megjithatë, kryetari i Brukselit (kryeqyteti i Belgjikës), ku sulmet e vitit 2016 nga grupi ekstremist, Shteti Islamik vranë 32 vetë, tha se ishte një sfidë për të integruar komunitete të ndryshme në qytetet në rritje, raporton Reuters.
“Një nga rolet e një kryebashkiaku është ndërtimi i urave në komunitete, ne e dimë se nuk është shumë e lehtë”, tha Philippe Close.
“Është një sfidë, nuk është një luftë që mund të fitojmë në një ose dy vjet – është për gjenerata”, tha ai.