Presidenti Donald Trump, i cili nisi zyrtarisht fushatën për rizgjedhje, thotë se autoritetet amerikane të emigracionit do të fillojnë deportimin e miliona emigrantëve pa dokumente. Disa analistë pohojnë se kërcënimet e tij nuk janë tjetër përveçse pjesë e retorikës së nxehtë të fushatës, por për miliona njerëz mesazhi i tij është një paralajmërim serioz. Ramon Taylor i Zërit të Amerikës sjell këto hollësi.
Duke nisur zyrtarisht fushatën, Presidenti Trump u bëri jehonë disa temave të njohura:
“Ne besojmë se vendi ynë duhet të jetë vendi i shenjtë për qytetarët që respektojnë ligjin, jo për të huaj kriminalë”, tha ai.
Përpara kësaj, ai publikoi një numër komentesh në Twitter, ku paralajmëronte se autoritetet e emigracionit do të kryejnë dëbime masive, duke filluar nga java e ardhshme. Një operacion i tillë do të kërkonte qindra, apo mijëra agjentë dhe personel ligjzbatues, të cilët qysh tani përballen me një vëllim të madh pune. Analistët thonë se qeverisë i duhen më shumë mjete dhe njerëz.
Jessica Vaughn, është me Qendrën për Studimet e Emigracionit.
“Mendoj se gjëja e parë është se qeveria duhet të ketë kapacitetin, aftësinë dhe burimet për të zbatuar ligjin. Me fjalë të tjera, jepini fund krizës në kufi pastaj sigurohuni që autoritetet të jenë në gjendje të bëjnë punën në brendësi të vendit.”
Momenti kur Presidenti e dha njoftimin ngriti menjëherë pikëpyetje sa i përket qëllimeve të tij. Por kundërshtarët paralajmërojnë se retorika e tij tashmë është provuar se vjen me pasoja.
“Mendoj se nuk mund të lejojmë qeverinë federale të bëjë atë që ajo thotë se do të bëjë. Ne pamë se si ata nuk i ndryshuan planet për ndarjen e familjeve në kufi dhe, siç e dini, sado që kjo rezultoi diçka e tmerrshme, nuk i pengoi ata ta zbatonin. Prandaj duhet të besojmë se ata do të përpiqen ta bëjnë edhe këtë”.
Avokati i emigracionit Matthew Cameron thotë se një operacion masiv deportimi thjesht nuk është i mundur, por nuk ka dyshim se kjo do të ngjallë frikë në komunitetin e emigrantëve pa dokumente.
“Kjo do të thotë që njerëzit nuk do të shkojnë në takimet me mjekun, nuk do të shkojnë të marrin fëmijët nga shkolla, nuk do të shkojnë dot të punojnë, nëse vërtet besojnë se ka mundësi që kjo të ndodhë”.
Në të njëjtën ditë që kërcënoi për deportime masive, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara po përgatiten të nënshkruajnë një marrëveshje me Guatemalën, për të mos lejuar njerëzit nga ky vend i Amerikës Qendrore të largohen për t’i shpëtuar përndjekjeve dhe të vijnë të kërkojnë strehim në SHBA.