Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri, tha të martën se ka marrë një letër të nënshkruar presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me të cilën konfirmohet hyrja në fuqi e marrëveshjes së ekstradimit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Unë, Donald J. Trump, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ratifikoj dhe e konfirmoj traktatin. Andaj, e kam nënshkruar këtë instrument të ratifikimit dhe e kam mbyllur me vulën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” thuhet në letrën e presidentit Trump të cilën ministri Tahiri e bëri publike në një njoftim të zyrës së tij dhe në rrjetet sociale.
Ai shkroi se pranimi kësaj letre është akt historik në marrëdhëniet dypalëshe dhe “është garanci e mëtejme se sundimi i ligjit është i pa alternativë dhe lufta kundër krimit do të shkojë deri në fund”.
Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, shkroi ai, e radhitë Kosovën në mesin e vendeve të besueshme nga prijësit e demokracisë liberale.
“Pesha historike e kësaj marrëveshje, me vulën e Presidentit Trump, do të lë gjurmë në historinë e shtet ndërtimit tonë dhe do ta markojë Republikën e Kosovës në rangun e një vendi, në të cilin prijësit e demokracisë liberale dhe sundimit të ligjit kanë besim të plotë”, shkroi ministri Tahiri.
Protokolli i instrumenteve të ratifikimit të Marrëveshjes së Ekstradimit në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, u nënshkrua javën e kaluar në Prishtinë nga Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.