Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë organizuan një ecje me moton “marsh refuzimi” për të kundërshtuar, siç u tha, projektligjin për financimin e subjekteve politike, i cili, sipas tyre, nuk është konform frymës kushtetuese dhe cenon standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike.
Marshimi nisi nga Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë për të vazhduar përpara selive kryesore të partive politike.
Në oborrin e Partisë Demokratike të Kosovës, marshuesit u penguan nga personat e sigurimit të PDK-së, të cilët nuk e lejuan vendosjen e disa fletëve në dyert e ndërtesës së selisë së kësaj partie, ku tregoheshin arsyet përse shoqëria civile e sheh të papranueshëm projektligjin për financimin e partive politike.
Ismet Kryziu, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, i cilësoi të turpshme veprimet e personelit të PDK-së.
“Ftojmë kryetarin e PDK-së, i cili është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës që Partia Demokratike të jetë një parti demokratike dhe jo parti e dhunës”, tha Kryeziu.
Projektligji për financimin e partive politike pritet që të dalë në shqyrtim në Kuvendin e Kosovës në një nga seancat e radhës.