Bashkimi Evropian është goditur nga një numër rekord i barrierave tregtare gjatë vitit të kaluar, të cilat i kanë kushtuar bllokut miliarda euro, tha Komisioni Evropian.
Në raportin e publikuar të hënën thuhet se 425 barrierat tregtare janë imponuar nga 59 vende të ndryshme.
“Proteksionizmi është qartazi në rritje”, tha komisionarja për Tregti e BE-së, Cecilia Malmstrom.
Sipas raportit, vitin e kaluar janë vendosur 45 barriera të reja tregtare, përfshirë tarifat mbi importet e çelikut dhe aluminit, të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara.
Përveç SHBA-së, Kina, India dhe Algjeria kanë qenë përgjegjëse për ndikimin më të madh përmes masave të reja tregtare.
Ato kanë përfshirë disa masa mbrojtëse të sigurisë në internet, të paraqitura nga Pekini, dhe një kërkesë të re të Indisë që importet e lëkurës të shoqërohen me certifikata veterinare, vuri në dukje Malmstrom.
Alegjeria, ndërkaq, ka ndaluar importin e gati 900 produkteve.
BE-ja po lufton për të mbështetur rregullat ndërkombëtare të tregtisë, mbi të cilat varen shumë disa nga kompanitë prodhuese.
Vitin e kaluar, Komisioni ka arritur të eliminojë 35 barriera tregtare, të vendosura nga Kina, Japonia, India dhe Rusia.