Zgjedhjet në shumë vende kanë tejkaluar pjesëmarrjen para pesë vitesh. Në Gjermani dhe rreth 20 vende të tjerat vendvotimet mbyllen në mbrëmje.
Në shumë vende të Bashkimit Evropian është tejkaluar përqindja e pjesëmarrjes në votimet e para pesë vitesh. Në Francë sipas vlerësimeve të para, deri në mesditë kanë votuar 19,26 % e zgjedhësve, kumtoi Ministria e Brenshme në Paris. Në vitin 2014 përqindja e votimit deri në mesditë ishte vetëm 15,70%, ndërsa me 2009 rreth 14,8 %.
Në Hungari dhe në Sllovaki kanë votuar deri në mesditë madje më shumë votues se në zgjedhjet nacionale. Në Hungari kanë votuar deri në ora 11:00, rreth 17,2 %. Para pesë vitesh në të njëjtën kohë kishin votuar 11,5 %. Ekspertët thonë se në këtë vend janë mobilizuar më së shumti zgjedhësit në zonat rurale.
Në Sllovaki kanë votuar, sipas prognozave të deritasnishme rreth 20%. Kjo është përqindja më e lartë deri tani, krahasuar me të gjitha vendet tjera të BE.
Edh në Rumani është tejkaluar dukshëm niveli i numrit të zgjedhësve që kanë votuar para pesë vitesh. Deri në mesditë kanë votuar atje 19,75% e rumunëve, ndërsa me 2014 ishin në të njëjtën periudhë kohore vetëm 12,4% e zgjedhësve që kishin shfrytëzuar këtë të drejtë. Përqindje më e madhe në votime është shënuar edhe në Letoni, Maltë dhe shumë vende të tjera
Prognozat e para për pjesëmarrje në votimet në Gjermani do të publikohen në 15:30, por sipas sondazheve të deritanishme, edhe në këtë vend janë tejkaluar shifrat e zgjedhjeve të kaluara. Prognozat e para për rezultatet në Gjermani do të publikohen në ora 18, ndërsa në ora 23.00 priten prognozat e para për të gjitha vendet e BE.
Të drejtën e votën kanë sot më shumë se 400 milionë banorë të 28 shteteve ë BE. Zgjedhjet kanë filluar me 23 maj dhe do të përfundojnë sonte.
bc/lh/jj (dpa, afp)