Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF) i ka kërkuar Spanjës të respektojë simbolet e Kosovës gjatë Kampionatit Botëror të Juniorëve 2019 që do të mbahet në muajin korrik.
Në të kundërtën, Federata Ndërkombëtare e Henbollit ka thënë se organizimi i Kampionatit do t’i jepet një vendi tjetër.
“Deri në fillim të qershorit, organizatori duhet të respektojë këto kushte. Në të kundërten Kampionati Botëror i Juniorëve do t’i jepet një federate tjetër nacionale”, thuhet në letrën të cilën drejtori i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, Amal Khalifa i dërgoi Federatës së Henbollit të Kosovës.
Letra është përgjigje ndaj një ankese të cilën Federata e Kosovës e kishte dërguar në Federatën Ndërkombëtare pasi gjatë ceremonisë së shortit për Botërorin e juniorëve, nuk ishte shfaqur flamuri i Kosovës por vetëm logoja e Federatës.
“Dëshirojmë t’iu informojmë që IHF-ja është në kontakt të afërt me Federatën e Hendbollit të Spanjës dhe me Komitetin Olimpik të Spanjës. IHF-ja qartë i ka komunikuar Federatës së Hendbollit të Spanjës dhe Komitetit Olimpik të Spanjës që flamuri juaj kombëtar duhet të shfaqet dhe himni juaj kombëtar duhet të intonohet gjatë Kampionatit Botëror të Juniorëve 2019”, thuhet në përgjigjen e Federatës Ndërkombëtare të Henbollit.
Spanja është në mesin e pesë vendeve evropiane që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.