Agjencia europiane e Rojes Bregdetare dhe të Kufirit, FRONTEX, nisi sot misionin e saj në Shqipëri për menaxhimin e përbashkët të kufirit, i pari i këtij lloji në një shtet jo anëtar të Bashkimit europian. Të paktën 50 pjestarë të kësaj Agjencie, përfaqësues të 12 vendeve europiane, do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre së bashku me policinë kufitare shqiptare në zonën mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Komisioneri Europian për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopoulos shpjegoi gjatë një ceremonie në Tiranë se skuadrat e përbashkëta do të kryejnë kontrolle në pikat e kalimit kufitar, si dhe do të kryejnë vëzhgime për të parandaluar kalimet e paligjshme. Nië tjetër objektiv do të jetë dhe lufta kundër krimit ndërkufitar, si trafiku i qënieve njerëzore, kontrabanda si dhe kontrolle të specializuara për makinat e vjedhura apo dokumentat e falsifikuara.
“Megjithatë do të jetë vetë Shqipëria e cila do të mbajë përgjegjësinë për mbrojtjen e kufirit të saj, e për pasojë nuk mund të ngrihen dyshime lidhur me çështjen e sovranitetit, Skuadrat tona mund të kryejnë detyra dhe të ushtrojnë kompetenca vetëm në territorin shqiptar, nën udhëzimet dhe në prani të policisë kufitare shqiptare”, shpjegoi Komisioneri europian. Edhe Drejtori i FRONTEX-it, Fabrice Leggeri, saktësoi se “ekipet europiane kanë vetëm një rol mbëhstetës dhe nuk zëvendësojnë njësitë vendase”.
Në fjalën e tij zoti Avramopoulos vuri në dukje se “gjendja e përgjithshme përgjatë rrugës ballkanike mbetet e qëndrueshme me flukse relativisht të ulëta”, ndërsa shtoi se “krahasuar me tre vjet më parë situate aktuale është si nata me ditën. Megjithatë – u shpreh ai – duhet të jemi vigjilent”. Për Komisionerin europian, marrëveshja, përbën një “akt të rëndësishëm dhe një gur kilometrik, si për Shqipërinë ashtu dhe për vetë Bashkimin europian”. Sipas tij “e vetmja mënyrë për t’i bërë ballë me efikasitet sfidave të migracionit dhe sigurisë, me të cilat po përballemi sot dhe ato me të cilat mund të përballemi në të ardhmen, është që të punojmë së bashku. Çfarë ndodh në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor prek Bashkimin Europian dhe anasjelltas”.
Kryeministri Edi Rama nga ana e tij theksoi se “Shqipëria kthehet në një vend kontributor për sigurinë europiane” dhe se “ky projekt është sa një ndihmë shumë e madhe aq dhe një sfidë prej ku vendi do të përfitojë dhe në aspektin e reputacionit në sytë e partnerve europianë”, u shpreh zoti Rama. Ai foli për një marrëveshje shumë domethënëse, që është “tregues i vëmendjes dhe i mbështetjes së Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë në kuadër dhe të përmbushjes së rolit tonë, si një vend kandidat i Bashkimit Europian, me ambicie për të qenë nesër, anëtarë të Bashkimit Europain, por është i rëndësishëm edhe për faktin se, edhe falë jush dhe përmes jush, ne do të jemi në gjendje t’i tregojmë të gjithë miqve dhe partnerëve tanë në Bashkimin Europian, edhe më mirë, me edhe më shumë fakte dhe prova të pakundërshtueshme shprehjen e vullnetit tonë të palëkundur për të qenë në këtë copëz të vogël të Europës, një partner i besueshëm dhe një vend tërësisht i besueshëm edhe në aspektin e kësaj sfide të madhe europiane dhe më shumë se sa europiane të përballimit me flukset migratore dhe me emigracionin e paligjshëm”. Sipas kryeministrit shqiptar “vendi do të përfitojë nga marrëveshja, e cila i hap rrugë bashkëpunimit më të afërt, për sa i përket shkëmbimit të informacionit, analizës së riskut dhe përballimit të flukseve migratore nga vende të treta”.