Kreu mbi dydekador i Partisë parlamentare Republikane, ing. Fatmir Mediu, dy herë minister i Mbrojtjes dhe i Mjedisit në Qeveritë “Berisha”, me njohje e lidhje ndërkombëtare euro-atlantike, anëtar i Komitetit Drejtues të Forumit të lartë Parlamentar të Inteligjencës dhe Sigurisë të organizuar nga Kongresi Amerikan (2018), në një komunikim të tij në masmedia, të 13 majit 2019, duke folur për largimin e kryeministrit aktual Edi Rama dhe ofruar zgjidhje për krizën politike të tanishme, i propozon disa emra të pavarur për Qeveri Tranzitore, ndër ta dhe politikani, diplomati, shkrimtari, analisti, përkthyesi, veprimtari i Të Drejtave të Njeriut, editori e pedagogu: Besnik Mustafaj.
Ndër të tjera, politikani i lartë, Mediu, deklaroi: “Unë mendoj që duhet të bëjmë zgjedhje të parakohshme lokale dhe parlamentare, ndoshta pas gjashtë muajsh. Dhe këtë periudhë gjashtëmujore duhet të kemi një qeverisje që përbëhet nga figura që kanë pasur autoritetin për të kontestuar të keqen brenda forcës së tyre politike, por edhe që kanë qenë me një eksperiencë politike të vlefshme që mund të garantonin një marrëdhënie të qëndrueshme të të dy krahëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po cilët mund të jenë këta përfaqësues nga ana e shumicës dhe opozitës? Po ju them disa emra, Arben Malaj, Arta Dade, Ylli Bufi, Rexhep Mejdani, Besnik Mustafaj, Rexhep Uka, Myqerem Tafaj. Pra ka shumë autoritete të cilat besoj kanë frymën dhe interesin për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe i kanë shërbyer me sinqeritet interesave të vendit. Këta janë elementë që e tejkalojnë interesin e palëve. Përveç kësaj, mendoj që Shqipëria ka figura të rëndësishme nga bota akademike dhe intelektuale, që nuk kanë lidhje apo interesa qoftë nga pikëpamja ekonomike, qoftë kriminale”.
Gazeta e Alpeve “Tropoja”, gazetë rajonale e ndërballkanike, nuk e ka në misionin e platformën e saj marrjen me politikën e ditës në të tilla çështje e problematika, në të tilla kriza politike të prejardhura e krijuara, po i gëzohet faktit se dhe nga një politikan i nivelit të lartë si Fatmir Mediu, në një komunikim publik të tij, ndër emrat e propozuar për Kryeministër i Shqipërisë figuron dhe emri i Besnik Mustafajt, i cili është dhe antar i Bordit Botues të Gazetës së Alpeve “Tropoja”, Gazetë e Hapësirës Alpine nga brigjet e Drinit e Moraçës e deri të Limit e Ibrit.
Natyrisht ky nuk është i pari e as i vetmi rast që Besnik Mustafaj propozohet për poste të tilla të larta të politikës e shtetit shqiptar, pasi është një personalitet e politikan formatmadh shumëdimensional, i përmasave e niveleve të larta politike, diplomatike, Letrave Shqipe, mediave, Shoqërisë Civile, etj. Ai, ma herët, ka qënë ndër të propozuarit listnor edhe për Çmimin Nobel në Letërsi; ka kryer detyrën e lartë të kryeshefit të Diplomacisë Shqiptare në kohën e pranimit të Shqipërisë antare në NATO e kandidat për në BE dhe të Pavarësisë e Shtetëtësisë së Kosovës; ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për krijimtarinë e tij letrare; është shkrimtari më i përkthyer pas Kadaresë në disa gjuhë e shtete të huaja si frengjisht, anglisht, italisht, greqisht, etj.; ka qënë ambasador i Shqipërisë në Francë e pranë UNESCO-s; një ndër veprimtarët e parë të PD-së qyshse në Vitet ’90 e deputet i saj në Kuvendin e Shqipërisë në disa legjislatura; ka qënë në Forumin e Të Drejtave të Njeriut në Shqipëri në Vitet ’90; është në Këshillin e Ambasadorëve të Shqipërisë; ish-kryeredaktor i revistës “Bota Letrare” dhe editor i ish-entit botues “Ora”, pedagog në disa universitete, etj.
Sigurisht, dihet, emërimi i një kryeministri ka kohën, vendin e mënyrën e vet, ka praktikat e zgjidhjet e veta, këto janë çështje të politikës së madhe të ditës e të kohës, ky propozim i kryerepublikanit Mediu edhe mund të bëhet realitet i sotëm apo i nesërm, por ne i gëzohemi faktit se emri i personalitetit të njohur panshqiptar Besnik Mustafaj, sikurse në Letrat Shqipe, në Diplomaci e në Masmedia, vlerësohet dhe në Politikën Shqiptare, e çila ka’i’herë pëson fatin e akrepit e ka’i’herë merr hovin e Shqipes së Alpeve. (Ramiz LUSHAJ)