Tashmë nuk ka asnjë dyshim se Resmi Osmani është bërë një zëdhënës artistik i një stili të tij. Dhe ka hyrë në trajtimin e temës çame në një kohë që ai ka marrë edhe përvojën e romanit, të tregimit të autorit . Novela e tij e fundit “Udha e dhimbjes” të kujton novelën e Bilal Xhaferrit “Përtej largësive“ e vendosur si ngjarje, si personazhe të tokës çame ajo bëhet një cicërone që do ta donin ta kishin brenda shpirtit të tyre. Të moshuarit duan rizgjimin e kohës që jetuan, të rinjtë duan të njohin historinë e prindërve dhe të gjyshërve. Ata që do të lindin të njohin të gjithë vuajtjet e një brezi sakrifice. Futja në këtë lloj letrar e Resmi Osmanit Vjen pas një njohjeje shumë të mirë të kësaj teme, të histories çame. Fabula është e thjeshtë. Janë çamët që ecin në një rrjedhën e të që ata e askush tjetër që e do truallin e të parëve të tyre nuk do të donte që të ikte në atë mënyrë. Ngjarjet marrin rrjedhën historike të dëbimit të çamëve ku dhe vetë autori ka qenë dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë. Janë personazhe që në pamje janë të paqartë për të kaluarën e tyre, por që kanë një ritëm jete nga më tragjiket që mund të ketë një familje. Vëllami Jorgji i tregon mikut të tij Tahirit se çfarë e pret pas disa ditësh. Është një tufan njerëzor që e pret këtë familje dhe mbarë Çamërinë. Në atë përshkrim fare realist do të veçoja këtë fragment: “Para tyre hiqnin udhën të tjerë, të tjerë vinin pas.

Ikje, braktisje. Tahiri, me një deng shtresash në shpinë, dhe djalin e vogël në krah, ngiste përpara me kapistrën e kalit përdore. Barra ishte e rëndë dhe djersa i kullonte pikë – pikë. Mbi kalë ishte nanë Memeja me mbesën e vogël që si kishte mbushur tre vjeçe. Prapa vinin të tjerët: Hatixheja, që zvarriste shtatzëninë e saj, mbesa Fatimeja, që i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat dhe tre fëmijët e tjerë, më i madhi dymbëdhjetë dhe dy të tjerët nëntë e shtatë vjeç. Pas tyre vinte karvani i kushërinjve dhe bashkëfshatarëve.” Në të njëjtën kohë tregimi është mjaft social, është me një tharm të forte atdhetar. Të gjithë personazhet shqiptarë të novelës e duan token, e duan çdo gjë që e lidh me të. Përballë kësaj dashurie është egërsia dinakëria greke e sidomos egërsia e kryexhelatit Napoleon Zerva që grabit e vret cdo gjë, Vret në mënyrën më të egër këtë popullsi të pafajshme që në novelë përfaqësohet nga familja e Tahir Selmanit, Erveheja. Në rrëfimin e novelës të bie në sy një origjinalitet i spikatur. Në rrëfimin e tij zë vendin më të madh përshkrimi i ngjarjeve veprimi i personazheve, bota e shpirtërore dhe një dialog i matur i bërë në varësi të rrethanave tragjike ku ata ndodhen. Krahas tyre ai bën dhe disa pjesë në formë kronikash që e thyejnë mjaft bukur tregimin.

Në tërësinë e personazheve na jepet edhe një personazh që zë pak vend Ai rrjedh nga fisi i njohur çam i Kasimëve që kanë qenë në të njëjtën kohë që ishin mjekë popullorë për 300 vjet në këtë krahinë. Në tërësinë e përshkrimeve do të veçoja njërin prej tyre atë të vrsjes së çamëve të pafajshëm: “Mbi ta u shkreh breshëria e armëve. Ranë të vrarët e parë të kositur nga plumbat: gra, burra, fëmijë, pleq. Kuja dhe vaji u ngjit në qiell. Mes një të çarë reje dielli hidhte dritën e zbehtë që bënte të skuqte më shumë gjakun që po derdhej. Dielli shihte, po Zoti nuk u erdhi në ndihmë! Në atë tollovi e zallahi të llahtarisur e të përgjakur, ca u stepën. Të tjerë vinin vërdallë si të marrë. Atëhere zervistët nxorën kamat e hanxharët, jo se s’kishin plumba, por prerja e kokave i ngazëllënte. Kokat e të gjallëve nisën të bien në baltë, më tej përpëliteshin në agoni trupat pa koka.” Ndërsa pjesa më e dhimbshme është vdekja e djalit të vetëm Autori në fund të romanit na tregon dhe shkakun e tragjedisë. Për këtë ai citon një deklatatë të arkitekti të kësaj masakre si ishte Napoleon Zerva. “Vite më vonë, kalorësi i apokalipsit, Gjenerali i Zi, Napolon Zerva, shkroi në testamentin etij: “Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pas lashë rrëke gjaku, tym, shkrumb, gërmadha, ulërima fëmijësh, nuse dhe gra nudo që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë…. Burra të varur, shpuar me bajoneta. Gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtërat helenë!”

Një nga meritat më të mëdha të kësaj novele që është po kaq e praqnishme edhe tek tregimet novelat e romanet e tjerë me temën çame është dhe përdorimi mjaft i mirë i fjalëve të leksikut çam. Herë pas here e sheh këtë po do të ishte mirë që disa prej tyre që kanë një përdorim më të paktët në gjuhën shqipe të viheshin dhe në fund të novelës. Ato vijnë natyrshëm në rrëfim. pa e lodhur lexuesin, po edhe duke e dashur shumë gjuhën shqipe came. Në vazhdim të saj është dhe kujdesi që ai tregon për etnografinë came. Janë furrat veshjet e tyre kujdesi ndaj të moshuarëve, gatimet tradicionale si trahanaja. Krijimet letrare si kjo novelë i bën nder të veçantë temës çame. Kemi nevojë që të lexojmë sa më shumë këto krijime dinjotoze, edhe pse dhimbja të bën që të stepesh pak ndaj shkronjës.

Shtator, 2017