Një punim i piktorit francez Claude Monet u shit të martën në ankand për 110.7 milionë dollarë, duke vendosur një rekord për shitjen e pikturave impresioniste.

Një nga 25 pikturat e serisë “Haystacks” (Mullarët) të Claude Monet , punim vaji në kanavacë, është ndër të parat piktura impresioniste që shitet më shumë se 100 milionë dollarë, njoftoi shtëpia e ankandit që e shiti atë “Sotheby” që ndodhet në Nju Jork.

Kjo është dhe shuma më e madhe e paguar ndonjëherë në ankand për një pikturë të Klod Monesë.

Subjektin kryesor të serisë së pikturave “Haystacks” e përbëjnë dëngjet me grurë të korrur që i përkasin fqinjit të piktorit të famshëm në fshatin Giverny të Francës. Veprat janë vlerësuar gjerësisht për lojën me dritën dhe ndikimin e tyre në lëvizjen impresioniste.

Blerësi që arriti ta siguronte pikturën dhe që nuk është identifikuar, mundi pesë oferta të tjera.