Ati i shenjtë gjatë qëndrimit njëditor në Shkup u takua me presidentin në largim Gjorgje Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev, i cili vizitën e Papës e ka vlerësuar si historike dhe që bart mesazhin e pajtimit dhe solidaritetit.
“Jam shumë i gëzuar që jam në vendin e shenjtores Nënë Tereza dhe mund të bëj një lutje në Kishën, ku ajo është pagëzuar në Kishën “Zemra e Shenjtë e Jezusit”, deklaroi Papa Françesku.
Duhet të jeni të lumtur që bëni pjesë si bashkëqyetarë të kësaj gruaje të madhe, nënvizoi kreu i Kishës Katolike, duke u ndalur në rëndësinë e karakterit shumë-etnik që ka Maqedonia e Veriut si shtet.
“Përkatësitë e ndryshme fetare dhe etnike, mes maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, kroatëve dhe të tjerëve, kanë krijuar një mozaik të bukur, e i cili do të zbukurohet edhe më tej nëse do të dini që ta bartni këtë mozaik edhe në gjeneratat e reja”, theksoi Papa Françesku.
Në fokus të fjalës së tij ishte edhe përballja e Maqedonisë me krizën e migrantëve:”Solidariteti juaj me ata të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre, shtëpitë, ju bën nder juve si shtet”, tha Papa Françesku.
Mesha në sheshin Maqedonia
Kreu i Kishës Katolike të Romës Papa Françesku mbajti meshën në sheshin “Maqedonia” në Shkup, ku morën pjesë rreth 15.000 qytetarë nga vendi si dhe besimtarë nga vende të tjera. Papa dërgoi mesazh për paqe, bashkëjetesë, dashuri më të madhe për Perëndinë dhe për njerëzit. Për të zëvendësuar indiferencën dhe shpifjet me ndjeshmëri dhe shpresë, për të kapërcyer stereotipet dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin.
Papa me kokë të ulur u lut përpara përmendores së Nënë Terezës dhe vendosi lule. Ai shoqërohej nga katër motra të nderit, që i përkasin urdhërit të themeluar nga Nënë Tereza. Në Shtëpinë Përkujtimore, Nënë Tereza, Papa u takua edhe me përfaqësuesit e komuniteteve fetare në vend dhe me grupet e qytetarëve të prekur. Ati i Shenjtë pasdite në kishën Katolike “Zemra e Shenjtë e Jezusit” u takua me të rinjtë nga Maqedonia e Veriut dhe e tërë bota , pjesëmarës në takimin ikumenik dhe ndërfetar.
Vizita e Papës frymëzim për qytetarët e Maqedonisë
Presidenti Gjorgje Ivanov bëri thirrje për pajtim dhe falje, për bashkim për rinovimin shpirtëror të Maqedonisë. “Dua të bëj thirrje për të gjithë bashkëqytetarët e mi, për të gjithë ata me vullnet të mirë dhe me zemër të pastër, pavarësisht nëse bëjnë pjesë në degën ortodokse, katolike apo protestane të krishtërimit, nëse janë myslimanë, hebraikë apo ateistë, ju ftoj që ta njohim simbolikën e kësaj vizite dhe përmes përulësisë dhe faljes, pajtimit dhe nxitjes, nëpërmjet përgjegjësisë dhe respektit për t’u angazhuar në rindërtimin shpirtëror të Maqedonisë para se të jetë tepër vonë”, tha presidenti Ivanov.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe shkëlqesia e tij Papa Françesku realizuan takim të veçantë në kuadër të programit të vizitës Apostolike të shkëlqesisë së tij, kreut të Kishës Katolike. Në takim u konfirmua lidhja shekullore shpirtërore ndërmjet shtetit të Papës dhe Maqedonisë së Veriut të vendosur me misionin e arsimdashësve slloven vëllezërit e shenjtë Kirili dhe Metodi. Sipas kryeministrit Zaev kjo vizitë apostolike është frymëzim për popullin e Maqedonisë së Veriut dhe ai i kërkoi Papa Françeskut që të lutet për të mirën e qytetarëve dhe vendit./DW