UDHËZIMET SHTETËRORE TË KOHËS PËR SHKOLLËN SHQIPE DJE DHE SOT – Nga Ma.sc. Izet Shala

Malishevë, 7 maj

III.1. Rëndësia e udhëzimeve shtetërore në përmbushjen e detyrave në arsim

Praktikat politike shtetërore tregojnë se baza ligjore dhe amandemantimi i ligjit ka procedurat nëpër të cilat duhet të kalojë dhe të merr fuqinë e zbatimit. Janë të njohura institucionet dhe strukturat që nga sponsorizimi e deri të nënshkrimi i ligjit.

Të shohim dhe analizojmë gjatë kësaj pike interesante disa udhëzime për shkollën dhe arsimin shqip, që nga viti 1922 e deri më sot se cilat janë analogjitë dhe ndryshimet.

Në këtë mënyrë Ministria e Arsimit kishte lëshuar një qarkore-udhëzim administrativ, të cilin duhej ta zbatonte Këshilli i inspektorëve të arsimit.

Në programin e ri të shkollave qa ju ashtë komunikue ku tregohen orët e së cilës lëndë mësimi janë për t’u bërë këto ndryshime:

a) Orët e mësimit të besimit për muhamedan janë ato të caktueme prej komisionit të posaçëm të gjygjit të naltë e të kumtueme në qarkoren t’onë nr. 3370-II me 19-X-1922. Sa për orët e mësimeve të besimit katholik e orthodox, këto do t’i caktonin marrëveshje me parit fetare të këtyne besimeve.
b) Në njoftimin civil e moral, orët e klasës VI kanë për të qenë (2) orë dhe jo (1)  si më pare.
c) Shuma e orëve në klasë të V, përveç orëve të besimit asht (34) si dhe në të (VI) e jo (35)  T’u marr parasysh kalamajt e klasave të ulta nuk mund të gjinden në shkollë para ores nënët (9), të mengjezit, vetëm për këto muaj deri më 15 Mars mund të pakësohen
d) Disa orë në disa lëndë: Airtmetika, gjimnastika, e kangës e artit me shkurtim në nga 20 minuta.

Udhëzimi është i mbështetur në Ligjin mbi arsimin dhe shkollën shqipe të bazuar edhe nga politikat e qeverisë. Këtë udhëzim ministri i arsimit dhe inspektorët e arsimit e dërguan në shkolla, sepse shkolla është institucioni i fundit për ekzekutim. Ajo që zgjon kureshtjen e studimit të këtij udhëzimi, është se ende vërehet fryma e Perandorisë Osmane dhe ndikimet që ushtrojnë në përcaktimin e orëve të qytetarëve me besime të ndryshme. Derisa, për ata të besimit islam merret gjyqi i lartë e për të tjerët vetëm strukturat e niveleve lokale, të jep të kuptosh se sa larg ishte zbatimi i një arsimi laik. Kurse nga obligimi që del për disa lëndë mësimore në shkurtim të minutave, hetohet mangësia e informacionit të ministrisë, e cila kategorizon disa lëndë me prioritet e disa më pak të rëndësishme. Mendojmë se edhe sot me gjithë përafrimin e bërë në minutazhë, ka dallime në arsimin parauniversitar në dhënien e peshës dhe vendin e duhur lëndëve si Art pamor, Edukatë muzikore, Punëdore etj.

Sa për ndërrimin, se cikli i ulët të fillojë për një orë më vonë mësimin në stinën e dimrit, mund të qëndrojë arsyetimi, pasi mosha dhe largësia e shkollës ndikonin tek më të vegjlit. Kjo ndikonte pozitivisht tek fëmijët, pa u ndalur në hollësi që të qesim në pah elementet që kishin ministrin të merrte një vendim të tillë të përkohshëm.

III.2. Efektet e inspektorëve shëtitës (nëpër shkolla)

Me qëllim që të sigurohet inspektim i shpejtë e i kujdesshëm i shkollave të qarkut tuaj kjo ministri me ligjin e saj organik, hoqi nga veprimi gjithë zyrat e inspektorëve dhe i la ata shëtitës. Me këtë veprim të duhur të ministrisë, qëllimi kryesor ishte njohja e gjendjes nga afër apo brenda shkollës dhe jo të konkludohet nga raportet e drejtorëve të shkollave, përmes raporteve statistikore dhe shkrimore. Kur dihet edhe mungesa e njohjes së kompetencave në mësimdhënie dhe mësimnxënie, në vlerësim dhe në nxjerrjen e rekomandimeve nga shkolla. Prandaj, edhe sot kjo dukuri e mungesës së inspektorëve reflekton në cilësi të ulët dhe në suksesin e përgjithshëm në shkollat tona. Duhet kërkuar rrugë dhe krijuar kapacitet në shkollë, prandaj jemi të detyruar të vijojmë simbas këtyre pikave:

1) Inspektimi duhet të bëhet pikërisht simbas rregullores së inspektorëve.
2) Raportet teknike të të gjitha shkollavet të qarkut do të dërgohen në qendër me gjithë hollësirat e nevojshme në krye të tre muajvet, për punë të ngutshme me shpejt.
3) Për nevojat shkollore të qarkut, inspektori ti drejtohet Kryetarit të Këshillit shkollor.
4) Raportet do të drejtohen drejt në Ministrinë e Arsimit.
5) Inspektorët kanë të drejtën t’u japin mësuesvet deri në 10 ditë kohë për raste të jashtëzakonshme në mos kryerje të detyrave më paskëtij afati lajmërohet ministria.
6) Inspektorët kanë të drejtën ta pezullojnë mësuesin simbas ligjit dhe ta informojnë ministrin më argumentet, nëse veprohet njëanshëm dënohet inspektori dhe dëmshpërblehet mësuesi. Ky dokument fakton shumëçka dhe shton efikasitetin në punë dhe cilësi në mësimdhënie dhe mësimnxënie, si dhe funksionalizon strukturën drejtuese dhe përgjegjëson atë.
7) Raportet e inspektorëve dhe e drejta ligjore t’u besohet, por edhe nëse vërehen shkelje të ndëshkohen edhe njëra edhe pala tjetër.

Me shumë interes këtu shihet ndihma e drejtpërdrejtë e ministrisë në mbështetje të zonave dhe me kapacitet e tjera jashtë shkollore, por që mund dhe duhet të japin dijen e tyre që shkolla dhe arsimi kombëtar të zhvillohen me cilësi dhe standard të shkollave të tjera në rajon dhe Evropë.

Ky kooperim sikur sot ka ngecje apo ngulfatje me apo pa vetëdije se shkolla dhe komuniteti nuk janë obligime të tij. Athua ai nuk i takon këtij mjedis social.