Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se Serbia në aspektin strategjik është e orientuar kah Evropa, mirëpo nëse ajo nuk e dëshiron, atëherë ekzistojnë aleatë të tjerë për Serbinë.
“Ne e dëshirojmë anëtarësimin (në Evropë), është orientimi ynë strategjik, dëshirojmë të ju përkasim vlerave evropian si dhe të bashkëpunojmë, por jo të iu lutemi atyre për hyrje në Evropë, jo me këtë çmim”, tha Vulin për televizionin Pink.
Ministri serb Vulin, i cili njihet për qëndrimet e tij pro-ruse, tha se kjo nuk do të thotë se Serbia do të hyjë në një lloj aleance tjetër dhe se nuk ka asnjë mekanizëm të organizuar siç është BE-ja, por, sipas tij, Serbia duhet ende të luftojë për interesat e saj.
Sipas tij, edhe Evropa në mënyrë të qartë ka thënë se “është e lodhur nga zgjerimi”.
Ndryshe, Serbia synon integrimin në Bashkimin Evropian por mban edhe lidhje të afërta me Rusinë.
Gjatë vizitës së presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në Beograd më 17 janar u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi.