Sot, më 1 Maj, në Ditën e Punëtorëve, punonjësit shqiptarë janë më të nënpaguarit e Evropës (paga minimale prej 211 eurosh është më e ulëta në Evropë), punojnë mesatarisht 200 orë në vit më shumë se evropianët (sipas Eurostat), ndërsa ka një informalitet në tregun e punës prej rreth 30%, çka nënkupton se një në tre punonjësi ose nuk i paguhen sigurimet, ose i deklarohet paga më e ulët sesa ajo reale, sipas një vëzhgimi të fundit të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit (RCC).
Nisur nga të dhënat statistikore të INSTAT- it, në këtë artikull do mësoni se cilat janë aktivitetet ekonomike (kompanitë dhe institucionet), që i paguajnë më shumë punonjësit.
Institucionet që i paguajnë më shumë punonjësit janë organizatat ndërkombëtare. Paga mesatare në këto institucione është rreth 152 mijë lekë (rreth 1,200 euro), sa trefishi i pagës mesatare në vend. Vitet e fundit, organizmat në fjalë i kanë rritur më shumë pagat për punonjësit e tyre, me gati 200 euro më shumë në raport me 2014- n.
Në vend të dytë renditen bankat e sigurimet, me pagën mesatare prej rreth 106 mijë lekë (850 euro) në muaj. Edhe bankat e sigurimet i kanë promovuar vit pas viti punonjësit e tyre, me paga mesatare që janë 130 euro më të larta në raport me 2014- n.
Organizmat ndërkombëtare, Bankat dhe sigurimet janë aktivitetet që shpërblejnë me paga relativisht të kënaqshme punonjësit e tyre, ndërsa sektorët e tjerë i paguajnë mesatarisht me më pak se 80 mijë lekë në muaj.
Në vend të tretë janë Aktivitetet Profesionale, Shkencore dhe Teknike, me pagë mesatare 79 mijë lekë në muaj, me rritje 15% në raport me katër vite më parë.
Aktiviteti i Furnizimit me Energji Elektrike, Gaz e Avull paguan mesatarisht 79 mijë lekë në muaj, me rritje 14% në katër vitet e fundit. Ndonëse përgjithësisht janë kompani shtetërore, që operojnë në këtë sektor, ato funksionojnë si shoqëri anonime, dhe rezultojnë me fitime të larta, ndërsa paguajnë mesatarisht më shumë se shteti.
Informacioni dhe Komunikacioni ka paga mesatare prej rreth 75.8 mijë lekësh në muaj.
Një tjetër aktivitet, që ka parë rënie të ndjeshme të pagave është industria nxjerrëse, që kishte një pagë mesatare prej 75.7 mijë lekësh në 2018-n, ose 30.5 mijë lekë (240 euro) më pak se në 2014-n.
Në administrimin publik dhe mbrojtjen, paga mesatare ishte 63.7 mijë lekë, me një rënie reale prej 6.1% në raport me 2014-n.
Arsimi ka pagë mesatare prej gati 62 mijë lekësh, me një rritje reale prej 6% në raport me katër vite më parë.
Një aktivitet që ka njohur zhvillim vitet e fundit është ai i shërbimeve në shtëpi, që paguhen gati 40 mijë lekë në muaj, me rritje 23% në krahasim me katër vjet më parë.
Ndërsa ata që paguajnë më pak punonjësit e tyre në Shqipëri janë aktivitetet e akomodimit dhe të shërbimit të ushqimit, me vetëm 28 mijë lekë në muaj, ku më të papaguarit mbeten kamerierët, të cilët kompensohen nga bakshishet.
Burimi: Monitor