Presidenti amerikan, Donald Trump dhe liderët demokratë janë pajtuar të martën për të shpenzuar 2 trilionë dollarë në rrugë, ura, ujë, dhe diga elektrike, si dhe do të takohen brenda tre javësh sërish për të diskutuar si të hartojnë planin për këto shpenzime ka thënë lideri i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer para Shtëpisë së Bardhë, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.
“Ne patëm një takim shumë produktiv me presidentin e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi pas takimit.
Si republikanët, ashtu edhe demokratët kanë mbështetur marrjen e masave për të fuqizuar infrastrukturën amerikane, mirëpo mënyra e pagesës dhe çmimi final, për të cilin do të nevojitet miratimi në Kongres, mund të shkaktojnë bllokim të procesit.
“Ne jemi pajtuar për një shifër që ka qenë shumë, shumë e mirë, 2 trilionë dollarë në infrastrukturë. Ne në fakt kemi disktuar për një çmim më të vogël, mirëpo presidenti ka shtyrë përpara idenë e 2 trilionë dollarëve”, ka thënë Schumer.
Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway u ka thënë gazetarëve se në diskutimet për infrastrukturë duhet të jenë të përfshira të dyja palët dhe ka paralajmëruar demokratët që të mos paraqesin në plan, idetë e tye për luftim të ndryshimeve klimatike.
Në një letër nisur presidentit amerikan të hënën, Pelosi dhe Schumer kanë theksuar prioritetet e tyre për draftin e parë të legjislacionit, në të cilën është thënë të jetë përfshirë, energjia e ripërtrishme, uji, shkollat dhe infrastruktura shtëpiake.