1.

Rajta, ky fis i moçëm i kohës së para pushtimit osman në Lurë, ky fis i ing. Bardhok Lekë Rajtës së Lurës, ka një rrugëtim të gjatë në etno-historinë e tij të lashtë.

Gjurmët e moçme të tij, sotpërsot, ferkemohen në Drenicë, në këtë “Krujë të Dytë” të Shqiptarëve, pikërisht në Abri (e Epërme, e Poshtme). Aty gjendet emërvendi “Livadhi i Rajës”, që e cekën me vargni kumtuese e referenciale prof. dr. Jusuf Osmani tek monografia “Vendbanimet e Kosovës–Drenica.Vëll.  XV” (Botimet “Shkrola”. Prishtinë. 2005. f. 63, 181) etj. Kjo vepër e tij ishte shtysë hulumtimi prej nesh.

Ndaj, në pranverë 2016 shkuam atje, vet i pesti, dy doktorantët – Shkodran Imeraj i Institutit të Historisë të Prishtinës dhe Nikollë Loka i Institutit të Studimeve Albanistike “Gjon Gazulli” të Tiranës, ing. Bardhok Rajta i “Lura Group”(Tiranë-Durrës), Imer Hisenaj – mësuesi moshanik i historisë në shkollën e Abrisë. Tek “Livadhi i Rajës” (Rajtëve) ende kishte gjurmë të themeleve të shpive, janë gjetë gurë të gdhendun, materiale qeramike, enë të vjetra, shenja të metaleve. Disa sish i pamë e i fotografuam në kulla e në rrugë të fshatit. Aty, në skej, ishte nji emërvend tjetër gjeo-historik: “Trojet”, me dëshmi lashtësie shqiptare, një vendbanim ilir, lidhet me emërtimin “Arbër-Abri/a”.

Ky fshat i madh-Abria dhe Livadhi i vogël i Rajës (Raj-tëve) pasqyrojnë lidhnajë shumanshmërie ndërmjet tyne. Rajtët patën aty ngulmim jete në disa brezni trolli. Vet, një gojëdhanë e kahershme, si të gjitha gojëdhanat për fiset, rrëfen se kanë qënë tre vllazën sëbashku, të cilët u vendosën përhaptas në tre fshatna: Preka në Prekaz (Preka i Zi), Abri në Abria (edhe Rajtët), Bërna në Kolashin (në të sotmin Mal i Zi). Fjalathuhet se “mund të jenë dhe të ardhur nga trevat shqiptare në Malin e Zi, pasi në atë kohë krejt Zeta ishte me arbër”(Nikollë Loka: Lekë Rajta, burri i madh i një dere të njohur. Monografi. Botimet “EMAL” Tiranë,2016, fq.111). Pra, arbnor – në kohë e gene.

Rajtët ishin besimtarë katolikë në shekuj jete. Me asht e palcë. Fisnik, besnik, të devotshëm. I bani të tillë fuqia e besimit të tyre, forca e genit të vet. Nistue nga ky përkushtim i tyre fetar, them se, ndoshta, do të kenë pasë dhe ndonjë prift të njohur katolik në pemën gjenealogjike të tyne, pasi dyert e mëdha në ato kohëra e ndiqnin një praktikë të tillë si tregues të lartësimit të tyre të shumanshëm. Në Abria “ishte një kishë parasllave” (J. Osmani.Po aty.f. 63), çka domethanë një kishë katolike, e cila ndodhej në një shpatinë të vogël (në lagjen e tashme të Xhemailëve) e iu përkiste banorëve arbër, të atyhit. Ende mbijetojnë mikrotoponimet: Ara e Kishës, Kroni i Kishës, Lugu i Kishës, etj.

Në afri, tek “Trojet”, pavarësisht se tevona vendi është mbjellë me drithëra buke, ende ekziston toponimi “Vreshtat”, ku dikur kishte vneshta rrushi e me to prodhohej venë, etj. Rajtët arbër në Abria, pas pushtimit të egër sllavo-ortodoks, për mos me e ndrrue fenë e vet shumëshekullore katolike dhe për mos me u asimilue si shqiptar etnik, u larguen prej këtij visi etno-historik, duke i lanë aty gjurmët e veta. U vendosën përkohor diku ma në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit (krahinë etno-historike e madhe, sanxhak i kahershëm i Dukagjinëve–i pavarur apo vasal e me kufij të lëvizshëm). Prej aty u shpërngulën bashkarisht e përgjithnji për në Dibër, mbi Luginën lumore të Drinit të Zi, në lagjen Rrethas në Fushë-Aliaj, në Mustafaj të Çidhnës dhe, ku janë sot me troje kullash, në Lurë. Pra, ky rrugëtim i Rajtëve përnget biblik.

 

2.

“Si legjendë nga thellësia e kohës përcillet prejardhja nga Rrafshi i Dukagjinit, me të parin e tyre: Diell Rajta” (N.Loka.Po aty.f.113). Dielli, si emër kryepar genetik i Rajtëve, fjalashkruhet dhe në librin e Fran Rajtës & Lodovik Rajtës “Shpia e Madhe e Preng Mark Rajtës…”(Botimet“I.H.P.V.K.A”.Tiranë,2009). Për Diell Rajtën më ka folë ka’i’herë në biseda udhe e tavoline dhe ing. Bardhok Rajta i Lurës. Kësisoj, e kam ndie dhe nga të tjerë lurjanë e dibranë, kohë mbas kohe.

Ky emri “Dielli” më ka tërhjek përherë për vëzhgime e trajtesa, pasi ka të bajnë me kulturën tonë pellazgo-ilire, me kultin e Diellit tek Shqiptarët, me me nji nga farat e identitetit tonë iliro-arbnor. Dielli rrezatues nuk kishte ndonji farë kulti të dukshëm në panteonin e grekëve dhe as të romakëve, paçka se e adhuronin shumë.  Fjala vjen, në rastin kur në ishullin Rodi përdorej si kult, ishte i huajtur nga ilirët. Këto i pohojnë mitologë dhe filozofi i antikitetit, Plutoni, themeluesi i nantëshekullores Akademi e Athinës. Fisi i madh ilir i Paionëve të veprës së Homerit e me jetnim në brigje të Vardarit e kishte Diellin rrezatues nji kult, perëndi të shquar, që shkrimtari i antikitetit, Maximus nga Tiri (shek. II p.K.) e paraqet në formën e nji disku rrezatues në majë të nji shtize, çka është grafikue e kopjacue ide-fakt në Flamurin e sotëm Shtetëror të Maqedonisë artificiale (FYROM). Dhe grekët, që duan të rrëmbejnë gjithçka nga historia, kultura e toka shqiptare, rrenacakojnë kur thonë se maqedonasit e morën prej tyre, nga kohërat e tyre helenike.

Ky Dielli, se qysh ka ardhë, del e mbetë emër i të parit të Rajtëve dhe mbiemër fisi tek Rajtët e Lurës, përban interes për studjuesit e mirëfilltë, por dihet se legjendat e krijimit të çdo fisi në thelbin apo orbitën e tyre mbartin disa të vërteta të veta, bashkudhtare, të pamohueshme ndër kohëra.

Kjo ka ndodhë, ndoshta, ngaqë Rajtët, sikurse shqiptarët në traditë pagane, ilire e arbnore betoheshin masivisht e çdokohshëm në kultin e Diellit: “Për atë Diell” e “Për këtë Rreze” ma shumë se për vet Zotin e Gjithësisë, që albanologu atdhetar Pashko Vasa në nji vepër të tij (1879) këto betime i shpjegon si të lashtësisë shqiptare e me burim vendës. Ndoshta këta Rajtët në rrugëtimin e tyre, tipik për kohën e vet, kanë qëndrue me banesë e jetesë rrezatues në ndonji vend kult dielli, ku kryheshin pelegrinazhe e rituale pagane e fetare. Ndoshta kanë pasë ndonji të parin e vet me veladon prifti apo pasanik bajemirë të atillë që ka rrezatue me fjalë e veprat e tij. Ndoshta Diell mund të jetë dhe emër njeriu, i përseritun në brezni të Rajtëve. Sidoqoftë, në “translate” të “Google” po provoj’ dhe po shoh se “Ray”, në disa gjuhë të botës domethanë “rreze, rrezator, lëshon rreze si dielli”, etj. Kësisoj, thonë: latinët e hershëm e italianët e sotëm, anglishtfolësit e dy anëve të Atlantikut, arabët e Lindjes së Afërt e të Largët, serbët ardhacakë në Ballkan (Ilirikum)  nga Stepat e Rusisë, frangët e Europës e të Përtej Detit, spanjollët e gadishullit Iberik, etj. E, me nji shpjegim empirik, kisha me thanë se “Ray–Rreze” ka nji farë lidhjeje me “Rajtët-Rrezatues”, e përndryshe, e shkruar dhe e folur ma shqipërisht: “Ray-Rajë-Rajtët”–“Rreze, rrezatues, rrezatorët”.

Sidoqoftë është nderim për Rajtët që në legjendën e fisit të vet e kanë të parë të tyre:  Diellin, qoftë dhe emër i përseritun ndër brezni, qoftë dhe mbiemër i tyre “Rajta”. Po, ajo çka duhet shenjue, ka të bajnë me faktin e veçantë që mbiemrin “Rajta” nuk e gjejmë askund tjetër në trevat etnike shqiptare veç tek Rajtët e Lurës e degëzime genetike të tyre ndërkohna në Dibër, vise e qëndra (inter)urbane në Shqipëri, Europë e Amerikë.

 

3.

Lura, si rrallkund, ka në etnosin e vet një ansambël me fise të saj të shumta, vendase e të ardhuna, sipas renditjes alfabetike: Ajazi, Batalli, Bibëçupi, Bruçi, Buci, Bushkola, Cuku, Deda, Doçi, Dodgjini, Duka, Gjegja, Gjikola, Gjoçi, Haldeda, Hoti, Kaci, Kaçorri, Kalia, Kallaba, Koçeku, Loka, Markola, Marlleshi, Mena, Murati, Nezha, Nikolli, Peka, Përleka, Rajta, Skana, Shquti, Tollajt, Vladi (Dedëvladajt, Osmanajt)…Në këtë trevë bukurie e lavdie të Lurës koncepti “fis” kuptimohet edhe me disa apo shumë shtëpi të të njëjtës vllazni (bark) të atyshme, të cilat në ma të shumtat e rasteve nuk kanë lidhje genetike gjaku ndërveti. Këta, lurjanët–shqiptarë etnik, pothuaj për shumçka: bashkësia fisnore (në vllazni, grupime), lidhjet farefisnore (me martesat, etj.), kanunoret, pasunia, uniteti jashtëkrahinor, etj. përngasin disi në vizione e praktika me hebrejtë e shekujve. Ndaj, ndoshta, për lurjanët mund të thuash se janë “Hebrejtë e Ballkanit”.

Fisi Rajta i Lurës janë “Lura e mirëfilltë”, sëbashku me Tolle-Ajaz dhe Vlade-Konakas (Ali Koçeku. Lura–vështrim historik. “Dita 2000”. Tiranë, 2003, f. 38). Konakasit janë ma të vjetrit në Lurë. Pra, ndër ta, dhe fisi Rajta.

At Justin Rrota në vizitën e tij në Lurë në gusht 1931 kumton se Rajtët vendali hyjnë tek një ndër “gjashtë vllaznitë e Lurës me 300 shtëpi”, në vllazninë “Konakasit”, në bashkari me fiset lurjane: “Gjoçi, Shquti, Rajta, Skana, Koçeku”(“Lura- përshkrime udhëtimi“.Hylli i Dritës”.Vjeti IX. v.1932.nr. 8-9,f.418-432).

Rajtët e Lurës janë “konakas”, ndër ato fise (vllazni) që banë konaqet e para në Lurë, të ardhun aty si “pranverë e re” pas “tre prillave” shpërnguljeje të banorëve anas nga tre dimra malor tejet të egër, nga luftëra të shpeshta e të ashpra. Ndër pesë “grupimet e fiseve”(me vllazën gjaku e trojesh) të quajtuna “Konaqe”, në “Konakun e Vladit”, hyjnë: 1.- Peka. 2.- Marlleshi. 3.- Gjoçi. 4.- Rajta. 5.- Skana. 6.- Koçeku (Hysen Dervishi: Tre male, një bajrak”. ShB“Medaur”.Tiranë, 2007). Konakasit nuk janë të gjithë vllazën gjaku ndërveti, po disa prej tyre janë vllazën trojesh.

Fisi Rajta në Lurë mbahet i afërt vetëm me fiset Gjoçi dhe Shquti, janë vllazen genetik sëbashku, me të parin e tyre të përbashkët: Dielli Rajta. Këta kanë ecë bashkarisht në etno-histori në Rrafsh të Dukagjinit, në Fushë-Aliaj, në Mustafaj dhe në Sumaj e Krejë-Lurë. Jaku (Rajtët) e ruejtën fenë katolike në udhën e vet në shekuj, edhe gjatë sundimit otoman, edhe në kohën e ateizmit komunist. Pasardhësit e Prengës (Shquti) dhe të Gjinit (Gjoçi) ndrruen fenë katolike të të parit të vet dhe u kthyen në myslimanë. Iu kanë mbetë toponimet dëshmi “Lgjata e Gjin Vokës’, domethanë e Gjinit të Vogël, paraardhës i fisit  Gjoçi, etj. Këta Gjoçët e Rrethasit në Fushë-Alie kanë pesë degë të bio-trungut të vet: 1.- Repa (Fushë-Alie)– kam njoft nji pasardhës të tyre: gjeneral Hysen Repa, nji dibran tipik, burrë i zoti, mend oktar, të cilin e kam pasë drejtor në DSHTD në Ministrinë e Punëve të Jashtme (2006-’07) 2.- Gjoka në lagjen Sulej (Fushë-Alie) 3.- Pali në Fushë-Alie 4.- Begu 5.- Tërshana. Këta të tre: Rajta, Gjoçi e Shquti i gjen sëbashku dhe sot në Krejë-Lurë, janë (ri)themelues të hershëm të këtij fshati të bukur lurjan.

Fisi Rajta– me peshë mendimi, besimi, pasunimi, me tradita rrezatore, edhe në disa treva të Dibrës, ndonëse tashma nuk banon në truallin e tyre, i ka lanë gjurmët e veta toponomastike: “Zabeli i Rajtës”, “Ara e Rajtës”– afër varrezave në lagjen Rrethas të Fushë-Aliajve (ish-komunë), “Zabeli i Rajtës”, “Kroi i Rajtës”, “Toka e Rajtës” në Mustafaj të Çidhnës (ish-komunë); “Kroi i Rajtës” në Sumaj të Lurës (ish-komunë).

Krejë-Lura është një nga vendbanimet ma të reja të sodit në krahinën e bukur të Lurës. Ajo ka pesë lagje: e Qëndres (Rajta); Fangu i Kaçorrit, Sheu, Dushkalla, i populluar nga “Konakasit”: Rajta, Gjoçi, Shquti e Vladi dhe prej “Grupimit Tolle”: Kaçorri, Batalli (ka dhe në Lurë të Vjetër) e Përleka. Kryehere, fshati Krejë-Lurë ia ka nistue me tri shtëpi, pastaj mbrrini në shtatë. Në kohën e Zogut kishte 33 shtëpi dhe 414 banorë (Teki Selenica.“Shqipëria,1923”) Në çlirimin e vendit pati 30 shtëpi, ndërsa më 1990 rekordoi me 140 shtëpi. Sot, aty, bajnë tym 10-12 shtëpi. Fisi Rajta tani jetnon vetëm në Krejë-Lurë, por dikur kishte banorë të tij dhe në Lurën e Vjetër. Shquti ka banorë vetëm në Krejë-Lurë. Gjoçi ka banorë në Krejë-Lurë dhe në Lurë të Vjetër.

Interesant është fakti koinçidencial: ashtu sikurse në Abria të Drenicës martire dhe në Krejë-Lurën turistike, gjenden toponime të përngjashme. Aty është vendbanimi “Troje” dhe pranë tij kah krahu perëndimor një kishë, e thirrun tashti “kishëz”, kah krahu jugor “Mrizi i Thanave” dhe “Kroni i Desë”.(Nga intervista ime me prof. dr. Adem Bungurin, arkeolog në Institutin e Arkeologjisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë). Këto dy gjurmë në Krejë-Lurë janë ndryshe nga rasti etno-historik në Abria, pasi këto nuk kanë lidhje kohe e historie me fisin e sotëm lurjan, Rajta, sepse ky vend ishte i banuar prej kaherit, qyshce në kohë të moçme, popullsia e të cilit, pas vdekjes së Skënderbeut, shkoi në fshatin Piran i Vogël i Prizrenit (Kosovë).

 

4.

Këta, Rajtët arbnorë, në hershmërinë e vet historike të kohës së principatave shqiptare, do të kenë qenë Derë e Madhe (“Oxhak”). Nuk kemi të dhana historike rreth kësaj, por vet aristokracia e Rajtëve; kultura rrezatuese në rrugëtimin e vet, në punë e tradita; veprimtarimi i tyre me dijetari, kulla, pasunim, etj.; të çojnë drejt një fakti të tillë. Gjurmë të (mbi)emrit Rajta në vise të rrugëtimit nga Drenica në Lurë dëshmojnë se nuk kemi të bajmë me një familje të thjeshtë, as të vogël, por të veçantë, me të veçanta. Me atribute e kontribute përgjatë gjithë historisë së saj. Dr. Nikollë Loka kumton: “Te Rajtët cilësimi “I Madh” përseritet tri herë: “Shpi e Madhe”, “Kullë e Madhe” dhe “Varr i Madh”. Janë tri kurora Lure të lidhura me një gjerdan mirënjohjeje për ta. Të tria pjesë të pashkëputura, se pa qënë “Shtëpi e Madhe” dhe pa e patur atë “Kullë-rezidencë princërore”, nuk do të kishte “Varr princëror” për stërgjyshin Prengë. Emrin “Shtëpi e Madhe” ia dhanë të tjerët, ndërsa Kullën e Madhe dhe Varrin e Madh e krijuan vetë, por me konsensus të gjërë shoqëror, se të gjithë e pranonin se si “Shtëpi e Madhe” e veçantë, duhet të kishin dhe një “Kullë të Madhe” të veçantë dhe zoti i asaj kulle që e ndërtoi duhet ta ketë varrin e veçantë” (“Lekë Rajta…”Vepër e lartcekun. f.16).

Fisi i Rajtëve në Lurë krijoi lidhje të shumanshme, të vazhdueshme, të fuqishme me të gjitha rrethet kufitare të krahinës së vet: Dibra, Mirdita, Mati, Kukësi, etj; me dyer,  kulla e personalitete të njohura të tyre. Vajzën e Hasan Kolë Rajtës e mori për grua Marka Gjoni– Kapedani i Mirditës. Ky Hasani nuk ishte i besimit musliman, por duke pasë pengesa si i krishterë për të hy’ në tregun e Dibrës iu dha zaptijeve otomane se e ka emrin Hasan dhe u lejue të kryente tregtinë e tij. Në Mollaj të Matit kanë shkue nuse disa çika nga Dera e Madhe e Rajtës së Krejë-Lurës.

Rajtët, në gjithato fise të njohura të Lurës lidhën miqësi, dhanë nuse bijat e tyre si tek Menët në Pregjë – dera e Bajraktarit të Lurës; tek Doçi – Dera e Parë e Lurës; tek fisi i Hotit të Borje-Lurës; tek Vladi në Arrëmallë, tek Buci në Fushë-Lurë; tek Haldedët; tek Bushkola në Pregjë; tek Vladi në Vlashaj; tek Skanët në Krejë-Lurë; etj.

Një nga tri motrat e Mark Dedë (Dodë) Rajtës u martue tek Buci në Fushë-Lurë, e cila është nana e Sulë Beshirit të Parë–luftëtarit trim që muer Flamurin e bajrakut të Lurës në betejën e Kakarriqit kundër serbëve e malazezëve.

Rajtët u lidhën me të tjerët dhe përmes vëllamërisë (probatim, byrazer, vëlla gishti): Mark Preng Rajta pati familjen e Cenmuratëve në Urakë; Ndue Preng Rajta pati Bajram Selman Carën nga Zajsi i Kurbneshit; Nikollë Mark Rajta pati Man Sali Brahimlikën nga Kodër Laçi në Mat; Zef Preng Rajta pati Llan Sul Pecën nga Arrni i Kukësit dhe Brahimlikët në Laç-Bruç; Ndrec Doda pati Xhetan Lekën në Reç të Dibrës dhe Rremë Nokën nga Grykë Noka e Dibrës;  Vlad Rajta pati Mislim Vladin nga Reçi dhe Baftjar Totën, etj.

 

5.

Krejë-Lura është “Portë e Lurës”. Vet emri i saj do të thotë “në krye” të krahinës së Lurës.

Toka e saj e populluar me shtëpi e kulla jetese, shtrihet në rreth 900 metra lartësi mbidetare, pothuaj njejtësisht sa qyteti i Korçës. Pylli i Krejë-Lurës me dru gjethor e halor, kryesisht ahishtë, hepon krahëhaptë përpjetazi deri në 1.600-1.700 metra, duke ruajt gjelbrim të plotë apo të pjesshëm në katër stinë të vitit.

Fusha e Krejë-Lurës, dikur ishte e banuar në krejt territorin e saj, derisa erdhën “tre prillat” lurjanë me dimra të egër dhe u shpërngulën banorët e saj autokton në Ultësirën Bregdetare të Adriatikut. Unë jam kanë me sy e kambë tek kjo Fushë hapësinë madhe dhe kam pa aty rrënoja të shtëpive të banorëve të maparshëm. Pronari i saj në Lezhë iu ka pasë marrë lurjanëve të ardhun aty si pronësor të rinj një taksë (traminë) me rreth 300 krenë bagëti për çdo vjet, derisa kjo kërkesë, ky akt, u ndërpre pa rikthim tjetër, pas një konflikti të ashpër të dy palëve. Rreth 70 për qind të livadheve e kullotave të Fushës së Krejë-Lurës i kanë në zotërim krejë-lurasit, ndërsa pjesën tjetër e kanë fshatrat për rreth saj: Arrëmalla, Pregja, Vlashaj, Fushë-Lura. Rajtët, prej nga koha e Preng Mark Rajtës, i kanë aty 7 ha livadhe.  “Fusha e Krês, ndërmjet të cilës hyhet në territorin e Lurës âsht diçka magjepse; nji luginë e gjatë me bar, pakëz gjarpnuese dhe e mbyllun në dy skajet si nga dy lloj pritash kodrinore, por ujënat qi mblidhen atje përthithen nga disa hpaje natyrore të terrenit. E biem nëper Fushë të Krês, nëpër të parat banesa të Lurës…”– shkruan në përshtypjet e tij të udhëtimit nga Lura, misionari At Justin Rrota. (Po aty. f. 419-432)

Krejë-Lura ka disa burime ujore të saj, me emra të vjetër e të rinj. Ndër ta– Prroj i Rajtëve. Nji tjetri i thonë: “Prroj i Sheut”. Aty gurrnon e gurgullo “Kroj Shqute”, “Kroj i Shkollës”, etj. Fusha e Krejë-Lurës, gjithëhera, e ka me ujënajë mesin e saj e, për ma tepër, ma tej, ma ndryshe, përfundi saj e ka një liqen nëntokësor natyror që ujëderdhet në Uraka– tek ky lumë burimor nga Gryka e Selitës e, mbas 37 km trupnim malor, mbrri në liqenin artificial të Ulzës së dritës.

Ma herët, Krejë-Lura e ka pasë “industrinë” e saj të vjetër: dy mullinj bloje, çka flasin për një fshat të zhvilluar për kohën e vet. Me fuqi ekonomike e pasunore. Me Traditë të mbartur e të përcjellun. Asokohe ishte disi e rrallë që një fshat i vogël me pasë dy mullinj bloje. Tek “Mullini i Batallit” bluanin banorët e Krejë-Lurës, ndërsa tek “Mullini i Pregjës”(skej “Rrugës së Madhe” për në Pregjë-Lurë) bluanin kryesisht Krejë-Lura dhe disa shtëpi nga Pregjë-Lura.

Krejë-Lura ka tokë bujqësore, por klima e saj nuk mundëson shumllojshmëri në kopshtije e në ara, marrjen e rendimenteve të larta. Toka e atyhit e ka provue për mirë një lloj misri gjushtak, “farë Selaniku”. Në asnji kohë buka e vitit nuk u sigurue në vend, as në Krejë-Lurë dhe as në krahinën e Lurës. Në shekujt e kaluar ishte vështirësi e vuajtje e madhe sjellja e drithrave të bukës në këto troje, për shkak të largësisë gjeografike, tregjeve, etj. “Pemët e buta” (molla, etj.) i ka të pakta, ndërsa “pemët e egra” (qershia e egër, dardha, thana, lajthia, etj.) të shumta. Ka bollek me boronica, dredhëza, manaferra, etj. Aty mbillen dhe patate, domate, lakra, etj. Gjithkahit e në shumësi çelin lule plot hijeshi stinore, për bletimin, për ekologjinë e fshatit e të krahinës.

Rajtët, edhe kur ishin në dy trevat e tjera dibrane– Fushë-Aliaj e Çidhën, edhe, mbasandejna, kur ishin banorë trojenik në Sumaj e në Lurë të Vjetër, i kishin në Krejë-Lurë kullotat e veta tre-stinore. Edhe për bjeshknim. Aty kishin tellën, me stan e me vathë. Ishte vend daljeje pushimore i bukur për Rajtët dhe kullotore produktive për blegtorinë e tyre, për sigurim bylmeti prej vjeshtës së vonë deri në pranverën e hershme, etj. Pra, kësisoj, kështu: Krejë-Lura, për fisin Rajta- ende pa ardhë aty kah shek. XVIII, ende pa ngritë aty kulla rajtjane në shek. XVIII, ishte kuota ma e lartë stacionare e tyre, e–njëherash, dhe një kuotë e fuqisë e lartësisë shoqërore dhe ekonomike të tyre.

Rajtët, fis rrënjas në Krejë-Lurë, me deri në 7 kulla të atyshme dhe me ngulime të reja gjithkahit në mbi 70 shtëpi (familje) i kanë në “kryesofër” të shquarit e saj në brezni genetike e jete: Diell Rajta, i pari i fisit. Jaku Rajta, që mbajti mbiemrin Rajta dhe e ruajti besimin e vet katolik. Mark Dodë Rajta që ngriti kullën e parë rajtjane në këtë vis lurjan. Preng Mark Rajta, themeluesi lavdiplotë i “Shpisë së Madhe” të Rajtëve. Dodë Preng Rajta, trashgimtari i fismë. Zef Preng Rajta, drejtuesi jetëgjatë i “Shtëpisë së Madhe” të Rajtëve. Lekë Zef Rajta– i pushkës e i penës, i detyrave të shumta shtetërore e shoqërore. Të gjithë këta burra-kulla rajtjane nuk jetojnë tashma fizikisht, por janë në vargni emblematike “sofra e parë” e Rajtëve, janë “Sofër Nderi” e Rajtëve.

 

6.

Mark Dodë Rajta, stërnip brez katërt i Jakut të njohur të Rajtëve, me emën të ripërtërimun prej Mark Jakut, është një gurë themeli dhe kolona e parë e Rajtëve, në vendbanimin e ri e të sotëm në Krejë-Lurë. Si të thuash, i pari “kryeplak” i tyre në këtë truall, në këtë vis lurjan. “Zot Shtëpie”, që hapi udhë rritjeje e ecjeje për brezat dhe la trashëgimtarë tradite të mirë, si të shquarin Preng Rajta, djali i tij i madh.

Ai. Mark Rajta, burrë tradicional i Rajtëve, ishte “arkitekt” i ndërtimit praktik të jetës trojenike e i projektimit vizionar real të ardhmërisë së Rajtëve në këtë vendbanim të ri krejë-luras. Ai e ngriti aty kullën e parë, Kullën e Madhe, ma e vjetra dhe ma e mira në Krejë-Lurë. Krejt me gurë të gdhendun, çka përbante një përjashtim për kohën e atëherit, ishte tregues pasunie e dinjiteti i Rajtëve të Lurës. Ai bleu sipërfaqe të tana me tokë për arë e kullat në vargni e në afri, si dhe livadhe, zabele, kullota; i shtoi krerët e blegtorisë, etj.

Mark Rajta u martue në Orosh të Mirditës, te fisi Marpepaj, në kullën e Dodë Gjegjës, plak i parë në Orosh, njohës i mirë i mjediseve politike të kohës. Ishte Shpi e Madhe dhe rivale përdokohë i Kapedanëve të Mirditës në saje të gradave e të bashkëpunimit ma të afërt me autoritete osmane të Sanxhakut të Shkodrës. Me këtë martesë pati një djalë: Prengën, një lartësi emri me histori suksesi të shumanshëm e të jehonshëm. Gruaja i vdiq herët, ndaj në moshë të madhe u martue për së dyti. Kësaj here tek fisi Burakët, me Marë Buraken, me të cilën pati katër fëmijë: dy djemë– të thirrun Kolë Plaku (I martuar me Nazen – motren e Halil Tahir Vladit në Vlashaj të Lurës) dhe Nikollë Plaku si dhe dy vajza– Prena e martuar tek Preçët në Konaj të Fanit dhe Dila, e martuar tek Brahim Bushkola në Arrëmallë.

Ky shtim në antarë dhe lidhjet martesore e fuqizuan dhe ma shumë e ma mirë fisin Rajta në Krejë-Lurë, qyshce në kohën e Mark Rajtës (i Riu), njeriun e themeleve e të themelive të Shpisë së Madhe të Rajtëve.

 

7.

Preng Mark Rajta, për krejt fisin e madh të Rajtëve, ishte “Ora” e Shtëpisë së Madhe, apo si i thonë vet rajtjanët e sodit: “Themeluesi i Shpisë së Madhe”(F.Rajta & L. Rajta.Po aty.f.30-31). Pasardhësit genetik të flasin me adhurim të lartë për emrin e personalitetin e tij të madh. E shohin si të ishte një “shenjt”. Sigurisht, është i tillë për Rajtët e tre shekujve të fundit. Ai i ka shenjtëritë e tij të “Katër B-ve”: Burrnisë. Besës. Bujarisë. Bollekut.

Rajtët e kanë një kut të vetin, një barometër për dy nga të parët e tyne të shek. XVIII-të, babë e djalë, që ishin “Zot Shpije” në fshatin e ri në Krejë-Lurë. Mark Rajta, i thonë të atit, me emër e mbiemër. Preng Mark Rajta, i thonë të birit, me emër, atësi e mbiemër. Unë nuk kam ndie kerrkand duke iu thirrë ndryshe. Edhe unë kështu e kam cilësue: Preng Mark Rajta, tek poezia e teksti i kangës “Kulla e Madhe e Rajtave”. Janë dy shtylla të themelit, të themelive të kullës së re të Rajtave. Emrat iu jetojnë tek njani-tjetri, në gene jete, në udhë pune, në shkallë pasunimi të tyre. Janë vazhdim tradite, në vargni genetike, në lartësime biznesi, në peshë vetish e virtytesh. Rrezator.

Preng Mark Rajta, i lindun më 1858, sikurse i ati- ndau fat jo të mirë, u martue dy herë. Me Mricën e Shtëpisë së Bushpepëve në Lëkundë të Selitës (Dibër), me të cilën pati shtatë fëmijë. Katër djemë: Dodën, Nduen, Zefin, Markun. Tre vajza: Margjelën (nana e Ndue Mark Doçit), Dilen (nana e Ndrecë e Zef Gjetës), Prenën (nana e Tafë, Dan, Rrustem e Zyber Menës – të fisit të Bajraktarit të Lurës). Pasi ndrroi jetë Mrica u detyrue të martohej për të dyten herë, e prapë aty në Lëkundë të Selitës, me Prenën e Bushkolëve, me të cilën pati dy djemë: Lleshin e Pjetrin (nizamë martirë në dhéra të huaja) dhe një çikë: Davën, e martuar në familjen e Halil Tahir Vladit në Vlashaj të Lurës.

 

8.

Dodë Preng Rajta, i pari nga gjashtë djemtë e Preng Mark Rajtës, i datëlindjes 1867, ishte ndihmës i mirë në zot-shpillekun e të atit e, pas ikjes së tij (Prengës) nga kjo botë, e mori në dorë drejtimin e Kullës së Madhe Rajta në Krejë-Lurë. Ai ishte njeri i shembullit vetjak. Kur i vinin mysafirë në kullën u vinte pak habi kur e gjenin Dodën në arë tuj vaditë, në livadhe tuj kositë, etj. dhe mixha (axha) i tij, Kolë Plaku i Mark Rajtës ishte pritës aty në ballë të oxhakut.

Ai, Doda, ishte Zot Shpie në një kohë me zhvillime e ndryshime të mëdha historike; në ditë të vështira politike, luftarake, sociale; në vite lufte me otomanët e  serbët; në situata konfliktesh, kryengritjesh e ngatërresash politike shqiptare të brendshme. Në kullën e tij, në Oden e Burrave, kishin qëndrue Bajram Beg Curri, Elez Isufi Ndreu i Dibrës, Ceno Beg Kryeziu i Gjakovës, Halil Alia i Fushë-Aliajve, etj. Në kulla të tij janë strehue me ditë e muaj të përndjekurit nga terrori shovinist e i përgjakshëm i serbëve. Dodë Preng Rajta, në bashkari me Islam Ajazin, Hysen Rrahmanin, Sali Bucin, Ndue Kaçorrin u treguan trima e humanist duke varrosë shtatë persona nga Vlashajt, të cilët i kishin vrarë Austriakët në të përgjakshmen tragjedi: “Masakra e Lurës” (1916).

Doda i pati tre djemë: Ndrecën, Gjonin e Gjetën dhe dy çika: Rutën – martue me Isan Limanin e Haldedëve në Pregjë-Lurë dhe Mrikën – martue me Demir Can Vladin (Zenelët).

Shpia e Madhe e Dodë Preng Rajtës, kur ishte “Zot Shpie”, i ka pasë ndihmue me pasuri e bagëti miqtë e tij: Haldedët në Pregjë, ata të Menës e të Vladit, si dhe disa shpija në Krejë-Lurë kur kishin mort apo dasëm (F. Rajta & L.Rajta. Po aty. f. 32) Kur Kullës së Haldedës iu shkaktue një dam i madh, iu zhduk e gjithë tufa e bagëtive, Shtëpia e Madhe e Rajtëve iu dhuroi 100 krenë bagëti të imta nga të vetat. Ibrahim Gjoçi, në shenjë respekti ndaj Dodës u përpjek për t’i ndihmue kudo e kurdoherë djemtë e tij, aq sa i kishte mundësitë e veta e të kohës, pasi dhe Doda ishte shok i mirë dhe bujar i madh ndaj tij sa herë e ka kërkue nevoja e koha e atëherit.

 

9.

Zef Preng Rajta, baba i Lekë Rajtës, gjyshi i ing. Bardhok Rajtës, ishte drejtuesi ma jetëgjatë i Shpisë së Madhe të Rajtave. Ai lindi rreth vitit 1875. Jetoi 115 vite – një nga njerëzit ma jetëgjatë të botës. Rekord “Giness”. Ndrroi jetë në janar 1990, në Epokën e Pluralizmit e fillimeve të Demokracisë. U varros në truallin e tij, në Krejë-Lurë, tek varrezat katolike tek Kisha e Krejë-Lurës, ngjitas me varrin prej guri të gdhendun të të atit, Preng Mark Rajtës. Ishte një varrim popullor me nderime të larta, me pjesmarrje shumë të madhe nga të gjitha fiset e krahinës së Lurës, si dhe nga Dibra, Mirdita, Mati, etj.

Ai, Zef Rajta, u martue me Mrikën, çikën e Vorfës, motrës së Frrok Gjetë Kolës në Perlat të bajrakut të Kthellës të Mirditës. Nga katër djemtë e tij, secili me profilin e vet: ma i madhi – Leka, i dyti – Gjergji (ishte zot shtëpie që në gjallje të të atit), i treti – Jaku, jeton vetëm ma i vogli – Frani në Tiranë, me familjen e nipit të tij, Nini Rajta.

Zef Preng Rajta ishte tip tjetër i kryefamiljarit të Shpisë së Madhe të Rajtëve. Ai ndryshonte nga i ati– Preng Mark Rajta që qëndronte kryesisht në kullën e pritjes si “Zot Shpije”, ndryshonte nga vllai i tij i madh, Doda, që (vet)punonte fort në punëra të ndryshme aty në afri kullës së pritjes, sepse Zefi prapë shkonte kullotave malore tanë ditën e gatë me tufën e tij tejet të madhe deri në 1.000 krenë dhi, tue lanë zëvendës për pritje në kullë vllain e tij, nipat e tij dhe tevona djemtë e tij.

Zefi kishte dhe një plagë pushke në kambë të marrun në kohën e Luftës së Parë Botërore, në “Kohën e Nemces”(Nepses) gjatë një përleshje me armë mbi Nënshenjt me grabitës (hajna) të tufës së tij të bagëtisë në kullotë në krahun e Breshtës të Mirditës (Frash). Ai, kur erdhi koha e kolektivizimit në Lurë e lëshoi përbetimin: “Emri i Zotit nuk hyj në kooperativë”, çka dhe e mbajti pa iu thye mendja e palëkundun, ndaj u detyruen me firmos të bijtë në emën të tij, me e ba fakt të kryem. Të gjithë e dinin se po të thoshte “Emri i Zotit…!” nuk kishte kthim fjale e udhe prej tij, edhe sikur kjo vendosmëri t’i kushtonte jetën.

Zef Preng Rajta ka nji të veçantë: ia mbrrini t’i shihte e të jetonte me gjashtë breza të Shpisë së Madhe Rajta, me të parin – gjyshin e tij, Mark Rajta, babën e tij – Preng Mark Rajta, deri tek fëmijët e fëmijëve të tij, stërnipët e tij.

 

10.

Ndryshe nga të tjerët, Lekë Zef Rajtën e Lurës (baben e mikut tim, ing. Bardhok Rajta) e kam njoft dhjetë muaj pasi ndrroi jetë. Atëherit kur doli nga shtypi monografia “Llesh Zef Doçi i Lurës, Forca e mendjes, pesha e fjalës”. E pashë aty, në dy foto, në faqen 290. Ishte i qeshur si shpeshherë, si rrallkush. Qeshje e shumëfishtë: me zemër – shpirt, buzët, sytë. Me një qeshje vrellë, si rreze diell. E qeshura e tij ende ylberon ujëvarë mes nesh, mbitokë. I qeshur gurgullon dhe në amshim, në eter. Ai qiellnon. Me një qeshje “Lurë”.

E Qeshura është dhunti e dhuratë e shpirtit, kërkesë e jetës, privilegj i kohës. Ajo nuk ka vetëm rrjedhë genetike. Ka dhe fuqi shëruese, të mban gjatë e mirë në jetë, në kambë, në udhët e kohës. Si Lekë Zef Rajtën e Lurës, që rrnoi rreth 90 vjet (1922-2011).

E Qeshura ka dhe aftësi transmetuese tek të tjerët, për mjedisin, për shumçka. Një pyetje kryeton gjithmonë: A je milionier i të qeshurës?! Psikologët kanë një thanie të veten: “Më trego të qeshuren tënde, të të them se kush je”. Kot se them për Zef Lekë Rajtën: e njofta nga e qeshura e tij…

Ilirët, në antikitet, i kanë ngrit’ kult-e të Qeshurës. Sipas mitologjisë ilire, ishte vet Perëndesha ilire e Dashurisë, Afërdita (Afron-Dita), bijë zeusiane, që iu dhuroi njëherash njerëzve e kohnave: Të Qeshuren, Pasionin, Kënaqësinë. Të tria janë të lidhuna ndërveti. Këto them se i gjen dhe në Lurë, në tokën e historinë e saj, tek bijtë e bijat e saj. Si në shembullin tonë shkrimor: tek Lekë Zef Rajta.

Ndoshta, përjashtimisht, Lekë Zef Rajta ka ardhë në këtë jetë në Krejë-Lurë më 17 maj 1922 jo duke qajtë po tue qeshë.

Megjithatë, ai që dinë të qeshi dinë dhe të qajnë. Si dhe Lekë Zef Rajta që gurgullonte Të Qeshura e ndjente dhimbje dhe për një zog mali në pishat e Lurës apo blirët e qytetit të Peshkopisë. Ai jetoi gjatë dhe mjaft bashkëkohëtarë të tij patën rast t’ia lexojnë dhimbjet njerëzore, t’i shohin lotë burrënore… Ai pati disa dhimbje të shpirtit, kullës e udhës me emnat e përveçëm të trungut genetik: Gjergji e Jaku – dy vllaznit që ikin parakohe, Sokoli– nipi i lamtumirës së hershme, humbja e Zefit – babës së tij e të Martës – bashkëshortes së tij, etj.

Kryehere, Ilirët etnik, paraardhësit tanë dinjitar, i ndërtuan dhe memoriale të Qeshurës. Ndoshta një i tillë mund të kenë qënë edhe në Lurë. A e dini pse po them kështu: shkenctarët e historisë shpjegimojnë në letra publike se emri Lurë vjen nga “Illyria e shkretë”. Ndoshta më lejohet të hamendsoj kësisoj: kur barbarët e shkretuan Lurën e bukur e zhduken dhe këtë trashëgimi të antikitetit ilir. Mirëpo, tashti, në historinë moderne, në qendër të Lurës rrijnë në afri, bash krahas, dy buste bronxi bashkokohore: ai për Dom Nikollë Kaçorrin e Pavarësisë dhe ai për Gjok Doçin – Hero i Popullit i Luftës së Dytë Botërore. Po shtoj dhe diçka tjetër prej të djeshmes për të sotmen: helenët, si ngahera në histori, me kopjaci, gjithato gjana të mira tonat – burimore e lartnore shqiptare, na i kanë kthye sikur të tyret, si trashëgimi greke. Likurgi e ka pasë ngrit një tempull për Gelondin në Spartë. Një i tillë ishte dhe në qytetin e Thesalisë. Veçse emri helen Gelond në shqip ka kuptimin: I Qeshuri. Aforizmat shprehen: ruaju Të Qeshures Greke. Realitetet dëshmojnë: gëzoju Të Qeshures Shqiptare. Përndryshe kisha me thanë njikështu: ende në dejet e udhët shqiptare – dhe në kohna tepër të vështira, ruhet fort e mirë kulti ilir i Të Qeshurës… Si dhe tek shembulli Lekë Zef Rajta i Lurës.

E Qeshura e tij realitet e vizion nuk është vetëm memoriale për shumkënd apo e hedhun në dritëshkronja celuloidi për të vetët e të tjerët. Ai mundet të jetë mirësisht dhe një Memorial i Të Qeshurës. Si qindra e mijëra të tjerë. Veçse me Të Qeshurën e tij që i burimon tek ajo kullë e gjyshit të tij – Preng Mark Rajtës që mbajti ndezë dritën e pishës e të elektrikut në ditëenatë të shekujve për të mikpritë bujarisht shokë e miq aty afër e nga larg; tek dijet e tij të zgjuarësisë natyrale, studimeve shkollore e librore, përvojave jetësore; tek luftimet me pushkë partizane në Brigadën XVII-S e me tankse në luftimet në kufi ndaj provokacioneve greke të Gushtit 1949 në Bilisht; tek rreth 20 detyrave shtetërore ushtarake e civile që kreu në lartësi bashkëkohore në Lurë e Korçë, në Dibër e Tiranë; tek mbajtja lart në vargbrezni të traditave të mira e arritjeve në ecuri e lartësi rajtjane.

 

11.

Gjergj Rajta, djali i dytë i Zef Rajtës, ishte trojenik, nuk luejti nga Krejë-Lura e tij, nga Shpia e Madhe e Rajtëve. Ishte për një kohë të gjatë “zot shpije”, edhe kur Zef Rajta ishte gjallë, pasi ky ia dorëzoi vet zotshpillekun djalit të tij të dytë, sepse djali i tij i madh, Lekë Zef Rajta nuk banonte në Krejë-Lurë. Ishte, si të thuash, i fundit “zot shpie” i Shpisë së Madhe të Rajtave, pasi po i u zvogëloheshin tokat, bagëtitë, etj. pas hyrjes së komunizmit, veçmas pas futjes në kooperativë. Familja e madhe Rajta, prej kohësh ma herët e sidomos në gjysmën e dytë të shek. XX pati ndarje pas ndarjesh në familje ma të vogla, por në çështje, problematike e evente të mëdha ishin të bashkuar të gjithë. Edhe djemtë e Zef Preng Rajtës u ndanë ndërveti kohëpaskohe, Leka ishte shpi më veti në ngulimet e rrugëtimet e tij me detyra shtetërore. Vllai i tretë, Jak Zef Rajta, përndryshe “Jaku i Dytë”, pas kolektivizimit, doli shpi më veti. Gjergji ndejti në një shtëpi me vllain e vogël, Franin, që ishte specializuar për sanitar në Shkodër dhe në vitet ’50 e humbi shikimin, pamvarësisht kujdesit të lartë spitalor e shëndetësor të fisit Rajta e të shtetit shqiptar të kohës.

Gjergj Zef Rajta ishte një arsimdashës i madh. Ai në moshën 40 vjeçare e kreu arsimin 8-vjeçar, dhe të gjithë fëmijëve të tij iu dha shkolla të larta, tue pasë dhe ndihmën e vllait të madh, Lekë Zef Rajta, asokohe me banim e punë shtetërore në qytetin e Peshkopisë, ku patën strehim, shkollim e përkujdesi të madhe. Gjergj Zef Rajta u martue në vitin 1948 me Mrikën, bijën e Kolë Mark Gjinit në Lufaj të Mirditës, që i shtoi familjes së tij dy djemë: Ninin e Sokolin dhe gjashtë çika: Mrica, Flora, Dila, Gjystina, Zoja e Drita. Gjergji për disa kohë ishte dhe kryetar i këshillit të fshatit të tij të lindjes e rritës, Krejë-Lurë. Ai e humbi jetën parakohe e tragjikisht në një aksident automobilstik në vendin e quajtur Shê, rrugës nga Kreja për në Lurë.

Unë e kam njoft pak njanin prej tyne: Sokolin. Ai ishte vërtet Sokol. Në të gjitha e për gjithçka. Ai ishte pothuaj moshatarë me mue, një vit ma i ri.  Ai kishte punue përkohor mësues në shkollën e mesme të Lurës. E terhjekën instruktor në Komitetin e Rinisë të rrethit të Dibrës, ashtu sikurse dhe unë në Tropojë. Kjo ishte dhe mbetet detyra e re dhe e përjetshme e tij. I tillë më duket mue: 27 vjeçar. Nikollë Loka më ka folë para një viti me dhimbje e pasion për shokun e tij, Sokol Rajta, po nuk ia bana me dije se e kam njohur atë, sepse ende dëshiroja të ndigjoja dikend e shumkend të fliste mirë për këtë djalë të ri të Rajtëve. Unë e pata takue dy herë, po mjaftonte ta takoje vetëm një herë e mos ta harroje kurrë. Ai ligjëronte bukur në biseda. Plot kulturë. Kumtronte. Kishte andrra të veçanta të fshehta e të hapta për jetën e tij me ardhmëri. Ai nuk ishte si të gjithë. Ai ishte Sokol Rajta. Asnjiherë nuk më intereson ta dijë në detaje si iku kaq herët nga kjo botë, veçse shpesh mendoj se si do të ishte Sokol Rajta po të jetnonte deri më sot në dy epokat shqiptare.

Nini Gjergj Rajta ishte djali ma i madh dhe ma jetëgjatë se Sokol Rajta. Ai duket sikur ishte plotësim i një prej andrrave të Sokolit, pasi e botoi një vëllim me poezi e prozë “Pengu i fjalës” (2002). Ai ka poezi për Lurën e tij, për personalitetet e saj. Një prej tyre është ajo: “Heu, Burrë i Dheut”– kushtimue Llesh Zef Doçit të Lurës, Derë e Parë e Lurës:

 

“Fytyrë, si të gdhendur

Në shkëmbinjtë e Lurës.

Mendimin,

Të kthjellët, si agu i ditës mbi ahe.

 

Bir i Dashurisë dhe Faljes.

Të njohën odat e Lurës, Kurbinit,

Të ngujuarit e gjakut

Përmendore të kanë ngritur në shpirt.

 

Heu, burrë i dheut,

Një nga një po rrallohen majat e Lurës,

një nga një po treten hijet në muzgun e maleve,

…dhe paqja e fjalës së mençur është aty,

Në odat karakolle,

 

Ku endet brez pas brezi fjala jote.”

 

Nini Gjergj Rajta ishte mësues në Krejë-Lurë, vendlindjen e tij dhe në qytetin e Peshkopisë e rrethina të saj, në bibliotekën e qytetit dibran dhe në gazetën “Ushtima e Maleve” të Dibres. Në breza të Rajtëve, shpesh bijtë e saj kanë ndarë fate të njëjta, për mirë apo për keq. Unë nuk e kam njohur Nini Rajtën, por krijimtaria e tij dëshmon se do të kishim një Nini Rajta fort të njohur me veprat e tij letrare në poezi, në prozë e në publicistikë. Unë duke u njohur me fate e fatalitete të Nini Rajtës ia kam kushtimue një elegji më 20 shkurt 2015, e cila vjen si vajtim i nanës për djalin e saj:

“Nina-Nana, o Nini – po të këndoj në Krejë-Lurë

Nata të mori të ri e mëngjeset të sjellin burrë…

 Nina-nana, o Nini i mirë i kullës së fisme – Rajta,

Po të gurgullojnë vargjet. Koha të njef në hapa…

 

Nina-nana, o Nini im – ty dimni të mori pranverën.

Shpirti e ëndrrat tua e mbajnë të hapur derën…

Nina-nana, o bir, mbiemri Rajta domethanë Diell

Eh, po na rrezit’ emni e jeta jote, prej atje lart, në Qiell…”

 

Nini Rajta, sikurse i ati, Gjergj Rajta, u martue në Lufaj të Mirditës, me çikën e

Gegë Kaçorrit, me të cilën ka tri vajza: Almën, Besjanën, Ilirjanën dhe një djalë: Sokolin.

Jak Zef Rajta ishte punëtor i madh. Me mbi 35 vite punë. Kahmos. Ishte shtegtar pune. Në Malin e Bardhë të Krujës. Në Spaç të Mirditës. Në Bulqizë (asokohe me Dibrën). Së fundit, në Parkun e Mirditës. Ai u martue me Marten, me çikën e Preng Gjergj Tarazhit nga fshati Tarazh i Mirditës. U shtuan me tre djemë: Leonardin, Edmondin e Rolandin. Ndrroi jetë katër vjet pasi doli në pension (1992).

Leonardo Jak Rajta është punëtor i mirë. Trojenik. Jeton tek Kulla e Madhe e Rajtëve në Krejë-Lurë. Aty ka ngritë një shtëpi të re për familjen e tij shtatë antarëshe: bashkëshortja e tij, Kristina, bija e Pjetër Totrrit nga Malajt e Mirditës, dhe pesë fëmijët e tyre: Kledisoni, Klaudia, Griselda, Xheni dhe Lenardo. Punon në administratën e Njësisë Vendore në Lurë. Edmond Jak Rajta, pasi kreu Shkollën e Lartë Ushtarake në Tiranë, punoi mësues në shkollën 8-vjeçarë Arrëmallë dhe, mbasandejna, inspektor policie në Peshkopi, në Gardën e Republikës në Tiranë e në veprimtari të tjera private. Ai është i martuar me Linditën, çikën e Rexhep Ndreut nga Dibra dhe kanë një fëmijë: Almaron. Roland Jak Rajta, i shkolluar për teknik ndërtimi, punon shofer me mjete të randa në një firmë private në Tiranë. Ai është i martuar me Mimoza Misim Vladin, me të cilën kanë dy fëmijë: Ledion dhe Megin.

Ramiz LUSHAJ

Fotot: Dy pamje nga Kullat e Rajtave në Lurë dhe ing. Bardhok Lekë Rajta i Lurës.