Pas tre ditësh në Etiopi, këshilltarja e lartë e Shtëpisë së Bardhë, Ivanka Trump ndodhet në Bregun e Fildishtë, ndalesa e fundit e vizitës së saj katër-ditore në Afrikë që synon rritjen e mundësive ekonomike për gratë në kontinentin afrikan. Udhëtimi i vajzës së Presidentit Donald Trump synon të sinjalizojë gatishmërinë e administratës për të vazhduar dekadat e politikave të Presidentëve të mëparshëm për të fuqizuar gratë në mbarë botën. Por vizita ndodh në një kohë kur Presidenti Trump ka kritikuar ndihmën amerikane për vendet e huaja në kuadër të politikës së së tij “Amerika e Para”. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara sjellë hollësitë.
Afrika është rajoni i vetëm në botë ku më shumë gra se burra zgjedhin profesionin e sipërmarrësit.
Në Addis Abeba, këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Ivanka Trump vizitoi bizneset në pronësi të grave, ku provoi thurrjen e rrobave në një fabrikë tekstili dhe shijoi kafenë etiopiane, duke promovuar një iniciativë ekonomike globale të Shtëpisë së Bardhë për gratë.
“Ne besojmë se investimi tek gratë është një politikë e zgjuar e zhvillimit dhe një biznes i mençur. Është gjithashtu në interesin tonë të sigurisë, sepse fuqizimi i grave nxit paqen dhe stabilitetin. Ne kemi parë shpesh rezultatet pozitive të këtij investimi”.
Iniciativa synon të krijojë mundësi për gratë në vendet e punës dhe në biznes, përmes ndërtimit të kapaciteteve, financimit dhe nxitjes për të ndryshuar normat dhe ligjet që i pengojnë gratë të përparojnë.
Në nivel global, gratë paguhen 37 për qind më pak se burrat për të njejtën punë. Në më shumë se gjysmën e vendeve të botës, gratë ende nuk mund të udhëheqin një biznes në të njëjtën mënyrë si burrat. Ato kanë vështirësi në marrjen e kredive, nënshkrimin e kontratave dhe hapjen e llogarive bankare.
Një tjetër pengesë e madhe është qasja në arsim.
“Ne kemi nevojë para së gjithash të përqendrohemi në universitetet tona për t’i ndihmuar gratë që të jenë në gjendje të diplomojnë, sepse ato kanë shumë pengesa”, thotë Presidentja e Etiopisë, Sahle-Work Zewde.
Iniciativa “Zhvillimi Global i Gruas dhe Begatia” e përkrahur nga Ivanka Trump dhe e nënshkruar nga babai i saj në shkurt, ka ndarë një fond fillestar prej 50 milionë dollarë për të ndihmuar 50 milionë gra në mbarë botën që të bëhen ekonomikisht të pavarura deri në vitin 2025.
Nën politikën e tij “Amerika e Para”, Presidenti Trump vazhdimisht ka bërë thirrje për pakësimin e ndihmës për vendet e huaja në favor të shpenzimeve ushtarake.
Por kjo iniciativë tregon se politikat e kësaj administrate janë në përputhje me ato të presidentëve të tjerë në katër dekadat e mëparshme për fuqizimin e grave në nivel global.
“Kjo nuk është një ide e re, por sinjalizon vazhdimësinë. Pra, nëse keni mbështetur fuqizimin ekonomik të gruas nën administratën e Presidentit Obama, atëherë duhet të jeni të gatshëm t’i jepni administratës së Presidentit Trump një shans dhe t’i merrni seriozisht idetë e saj”, thotë Daniel Runde i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Në Etiopi, Ivanka Trump organizoi një diskutim mbi fuqizimin e grave në Komisionet Ekonomike të OKB-së për Afrikën dhe njoftoi nismën “OPIC 2X Africa”, një përpjekje financimi me vlerë 350 milionë dollarë nga Korporatat e huaja të Investimeve Private, për bizneset në pronësi dhe të udhëhequra nga gratë ose që punojnë për t’i ndihmuar ato.