20 – Vjetori i Batalionit “ATLANTIKU” !
…lane çdo gje ne Amerike, per te luftuar per lirine e Kosoves !

Historiku i Batalionit “Atlantiku”

Bazuar në gjendjen e krijuar në Kosovë, si pasojë e luftës së armatosur në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese serbe, lindi nevoja që edhe mërgata shqiptare në SHBA përveç ndihmës së vazhdueshme financiare, të mobilizoj edhe vullnetarë që drejtpërdrejtë të inkuadrohen edhe në frontet e luftës.
Kjo ndodhi pikërisht në muajin Mars të vitit 1999, me krijimin e formacionit ushtarak të organizuar në New York të SHBA-ve të quajtur “Batalioni Atlantiku”, i përberë nga vullnetar të të gjitha Trojeve etnike Shqiptare.
Organizimi dhe mobilizimi është bërë nga veprimtarë të shumtë të diasporës ne SHBA. I tërë ky aktivitet ka ndodhur i papenguar nga shteti Amerikan, që në atë kohë ishte i vendosur plotësisht në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të saj në luftën e tyre për Liri dhe Pavarësi.
Gjatë ceremonisë solemne dhe tejet madhështore me rastin e betimit si ushtarë të UÇK së, në qytetin Yankers të New Yorkut në oborrin e Hotelit “Royal Regency”, ishin tubuar mijëra shqiptarë në mesin e tyre familjarë të ushtarëve tani me të mobilizuar dhe me uniformë ushtarake.
Kjo ceremoni pati jehonë të madhe dhe u transmetua nga mediat më të fuqishme amerikane, si ato elektronike edhe ato te shkruara.
Rrugëtimi ishte me aeroplan special, i dedikuar vetëm për pjesëtarët e Batalionit ‘Atlantiku’, filloi nga aeroporti “Newark” i New Jersey me ndalesa në Toronto të Kanadasë, Belfast të Irlandës, Romë të Italisë për të mbërritur në aeroportin Rinas në Tiranë.
Pika e parë e vendosjes ishte Golemi i Durrësit, ku qëndruan për 5 ditë në përgatitjen teorike dhe fizike nga eprorët e Batalionit të ardhur nga Amerika, si dhe eprorë të ushtrisë Shqiptare. Një Skuadër e Batalionit ushtrimet i bëri në Dajt.
U vazhdua në mënyrë të organizuar me mjete të motorizuara rrugëtimin për në Burrel, që ishte qendër e mobilizimit dhe stërvitjes për ushtarët vullnetarë në radhët e UÇK-së.
Në këtë qendër që kishte rreth 3600 vullnetarë është punuar në mënyre intensive në përgatitjen luftarake, janë stërvitur nga njësia elite e akademisë së mbrojtjes në Tiranë e përbërë nga 50 oficerë të ushtrisë Shqiptare.
Destinacioni i fundit ishte Fronti i luftës me pjesëmarrjen fizike në kuadër të Operacionit “Shigjeta” në frontet e Pashtrikut dhe të Koshares, deri në përfundimin e luftës.
Pjesëmarrja e Batalionit “Atlantiku”, në luftën për Liri kishte edhe pasojat e veta, ky Batalion lirisë së Kosovës i dha tre “Dëshmorë” vëllezërit Agron,Mehmet dhe Ylli Bytyqi, dy Invalid te luftës dhe 14 të plagosur.
E veçanta e Batalionit Atlantiku ishte se në radhët e veta kishte ushtarë nga të gjitha trojet Shqiptare , kishte ushtarë të lindur dhe të rritur në SHBA, dhe po ashtu këtij Batalioni ju bashkëngjitën edhe vullnetar të huaj si anglez, izraelite, kanadez, gjerman, finlandez dhe francez…

#JamShqiptar??

Posted by Flamur Gashi on Friday, 12 April 2019

Posted by Flamur Gashi on Friday, 12 April 2019