Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Valdrin Lluka, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takua me zëvendësin e ndihmëssekretarit të shtetit amerikan, Mathew Palmer.
Në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik thuhet se dy zyrtarët diskutuan për proceset ekonomike në Kosovë dhe për investimet amerikane, ndërsa “u rikonfirmua gatishmëria dhe nevoja e intensifikimit të marrëdhënieve tregtare” midis dy vendeve.
“Gjatë takimit, ministri Lluka e ka informuar zotin Palmer rreth politikave ekonomike, të cilat i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, si dhe për projektet madhore në vend”, thuhet në komunikatë.
Palmer, në anën tjetër, thuhet se ka shprehur gatishmërinë e SHBA-së për ndërtimin dhe forcimin e marëdhënieve me vendet e Ballkanit Përendimor, si dhe mbështetje për procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike.
Ditë më parë, Palmer i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të ulen në tryezë dhe të negociojnë marrëveshjen më të mirë që munden për normalizimin e marrëdhënieve.
Normalizimi i raporteve është kusht për të dyja vendet që të përparojnë drejt integrimit euro-atlantik.
Dialogu mes palëve aktualisht është i pezulluar, për shkak të një takse që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia.