Kuaj të egër në Jug të Francës. 2019

E shihja çdo ditë, dhe, çdo ditë më dhimbsej gjithnjë e më shumë.

 Dikurë, ka qënë emnes për mirë. Si gjogu i Filanit, -thoshin mileti. Çdo ditë kashagitej me kujdes. Edhe jelet e bishtin ja shkrehshim me kënaqësi, ja bajshim-gojfil! Lene ma, bari e sana ma e mirë, lene ma, tagjia në darkë e një strajcë plot galinxha, me vete për rrugë…Po zilja në qafë? Po tufët e qendisura e pasqyra në ballë ? Po shala me shilte, e thirrja nëpër dasma? Sa nuset e reja e kanë marrë rrugën e martesës, mbi shpindën e gjokut tim…!

  Sot, ka mbet si i shkret. Mezi endet rrethit oborrit. Këmbët i merren. Kokën e mban ulët….Ka filluar t’i vijë edhe një erë e keqe…Hej, zot, si është katandisë Ai, ish gjogu i famshëm!

  Një ditë, e morëm ngadalë dhe e përcollëm deri në Arat e Epra. Rreth 500 metra larg shtëpisë. Atje, ishin korrur arat e, për të hangër në ponove kishte boll. Po, kush të hante? Ai, ish-gjogu i pashoq, tani mezi ecte. Dikush tha: – Lereni atje, tek arat. te  Kisha. Ndoshta, ndonjë natë e han edhe ujku…-Ai, s’ka pse hyn ma në dimër. Se, nuk del ma në verë !

    Atje e çuam, atje e lam. E shikoja çdo ditë…me dhimbsej. Fort më dhimbsej. E kam dashur shumë at’ gjog. Ai ishte tepër i pashëm, i fuqishëm, fisnik e krenar.Në shpindën e tij, sa e sa herë jam ngjitur deri lart në bjeshkë, në Morajë e në Shtyllë të Grisë. E kam nëpër vjersha…!

   …Aty, në ara të Epra, te ara e Vrellës, u gdhi dhe u ngrus rreth dy javë. Ashtu, cullak ,

(i xhveshur), për gjynah. Pa samar as shalë, pa fre as kerpesh, pa zile as pa patkoj në këmbë! Të gjitha i ishin hequr. Veç shpirti, akoma bënte vend brënda atyre brinjëve të thata. S’kishte ma grazhd, s’kishte ma tagji. Ditë-natë, vetëm, nën qiellin e hapur të asaj vjeshte të vonë…! Kur, ç’të shoh ? Një ditë, rreth akshamit, kish lënë arën e ish filluar me një çapitje tejet të lodhur e të ngadalëshme, drejtë shtëpisë. Tërë natës në vazhdim, kish pas udhtuar, jo më shumë se 150 metra. Kish dalë në drumin e fisit, afër prronit të Gjollëve. Ecte në të tijen e pleqrisë, me ritmin e stërngadaltë. Që të mos rrëzohej. Që të arrinte diku. Kish edhe ai, një ide, një qellim…!

       I thirra babës dhe i thash se, – po vjen gjogu.

      -Ani. Mos e ngucni, babë. Po vjen të shtëpia.Tani, ai po e ndjen se nuk do të jetë ma. Nuk don që t’i mbeten kockat atje larg, don të jetë në oborrin e shtëpisë së tij…!

    Babai fliste, e Unë, vertetë dridhesha në shpirtin tim nga ato fjalë.…Ditën e dytë, në darkë, gjogu i rraskapitur, arriti në oborr. U ndal, mbas shtëpisë, në një lëndinë të vogël,t u lama, siç i thoshim, se aty viheshin ushqimet e dimrit. Ju afrova me kujdes. Ja preka jelet, ja lëmova e kruajta ballin e gjatë!…(Për mua, gjogu e kish fituar betejën e jetës!)

   E kthej shikimin nga Unë. I tejlodhur, dashamirës. M’u duk se…, po më falënderonte.

   I thashë:- “natën e mirë”, -gjogu im i dashur! Bane shumë gajret që erdhe tu shtëpia jote. Na ban hallall gjog, se të kemi munduar jo pak në jetë. Me mundimin tënd kemi mbajtur shtëpinë, me mundimin tënd, jemi rritur. Qofsh i bekuar gjagu im i mirë, gjogu im i bardhë…!

E preka lehtë, shumë miqësisht në shpatullë dhe…, u futa brënda.

 …I tregova babës për këtë veprim me gjogun dhe Ai, më përqafoi:

            -Shumë mirë, babë, shumë mirë ke ba. Brravo! Edhe ai ka shpirt…, shpirt, sikur Njeri.

           Të nesërmen në mëngjes, dola më heret së ditët e tjera në lamë.

          Në lëndinë, ishte shtrirë sa gjërë-gjatë, trupi vigan, i pajetë, i gjogut të babës, i gjogut tim.

                                                                          ./.  

-Marrë nga libri “Zbehje e Heroizmit”, Kristalina KH, Tiranë 2016-

(Për gazetën TROPOJA dhe Limit.al, Prill 2019)