Ligjvënësit britanikë hodhën poshtë për herë të tretë marrëveshjen e Kryeministres Theresa May për shkëputjen e vendit nga Bashkimi Evropian duke krijuar paqartësi të mëdha mbi këtë proces. Votimi përkon me ditën kur ishte paracaktuar shkëputja, përpara se BE-ja të vendoste për një afat të dytë.
Vendimi për të refuzuar një variant të reduktuar ndjeshëm të planit për shkëputje të zonjës May ka krijuar paqartësi rreth asaj se si, kur, madje edhe nëse Britania do të largohet nga BE-ja. Votimi i së premtes e ka futur krizën tre vjeçare për shkëputje nga BE-ja në një pasiguri më të thellë.
Pas një seance të posaçme të parlamentit, ligjvënësit votuan 344 me 286 kundër marrëveshjes prej 585 faqesh së zonjës May, fryt i dy viteve negociatash të dendura me Bashkimin Evropian. Brenda pak minutash nga votimi, Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk tha se krerët e BE-së do të takohen më 10 prill për të diskutuar largimin e Britanisë nga blloku.
Krahu ekzekutiv i BE-së, Komisioni Evropian, njoftoi se më 12 prill skenari “pa marrëveshje” është “skenari më i mundshëm”.
Përpara votimit zonja May i paralajmëroi ligjvënësit se kjo ishte mundësia e fundit për të garantuar largimin e vendit nga BE-ja. Ajo tha se në qoftë se marrëveshja dështonte, atëherë procesi i shkëputjes do të zgjaste përtej 12 prillit.
Pas rrëzimit në parlament të marrëveshjes së kryeministres May, paundi britanik, pësoi një rënie me gjysmë për qind në raport me dollarin. (një paund aktualisht shkëmbehet me 1.2977 dollarë).