Presidenti Trump nënshkroi të premten veton e parë të presidencës së tij, duke hedhur poshtë legjislacionin që i kundërvihej deklaratës tij për një emergjencë kombëtare për të financuar një mur përgjatë kufirit jugor.
Projektligji që bllokonte deklaratën për emergjencën kombëtare në kufi siguroi mbështetje të rëndësishme të republikanëve në Kongres.
“Sot unë po i vë veton kësaj rezolute”, u tha Presidenti Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. “Kongresi është i lirë të miratojë rezolutën e tij por edhe unë kam për detyrë t’i vë veton.”
Presidenti e quajti rezolutën e Kongresit “të rrezikshme” dhe “jo të matur”.
Me presidentin Trump ishin Zëvendëspresidenti Mike Pence, Prokurori i Përgjithshëm William P. Barr dhe Kirstjen Nielsen, sekretare e sigurimit të vendit. Zoti Barr tha se urdhri i emergjenës kombëtare i presidentit ishte “i autorizuar në mënyrë të qartë sipas ligjit” dhe “i bazuar fort në ligj”.
Vetoja e presidentit, e cila pritej, e kthen legjislacionin përsëri në Kongres, i cili ka shumë të ngjarë të mos i ketë votat e mjaftueshme për ta anuluar dhe kjo do të thotë se deklarata e zotit Trump për emergjencën kombëtare do të mbetej në fuqi.
Presidenti ka insistuar prej kohësh se në kufirin me Meksikën ka një krizë sigurie dhe humanitare.
Demokratët thonë se të dhënat e qeverisë tregojnë se nuk ka një vërshim të emigrantëve me të kaluar kriminale që hyjnë në vend. Këtë pikëpamje e ndajnë edhe disa republikanë në Kongres.