Shqipëria ka hyrë në një krizë politike, që ngjan me një tunel pa dalje. Mbas viteve ’90-të ne vijojmë të prodhojmë kriza politike të brëndshme, të cilat nuk i zgjidhim dot vetë, pra pa ndërhyrjen e huaj. Kemi afro 30 vjet që jemi prodhues krizash politike, pa mundur të krijojmë kapacitete për menaxhimin dhe zgjidhjen e tyre.
Në fakt krizat i bashkëshoqërojnë shoqëritë njerëzore, përshirë edhe shoqëritë demokratike. Dallimi midis shoqërive të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, midis klasave politikisht të maturuara dhe të pamaturuara, midis institucioneve demokratike të konsoliduara dhe atyre të paqëndrueshme nuk qëndron në faktin e ekzistencës së krizave ose jo, por në aftësinë për t’i zgjidhur ato paqësisht përmes bisedimeve, dialogut dhe negociatave, ose nëpëpërmjet institucioneve.
Në Shqipëri bisedimet, dialogu dhe negociatat janë kulturë e munguar, ose më saktë pjesë e antikulturës sonë. Kjo duket edhe në lojrat e fjalëve, që shiten këto ditë si ‘dituri’, por në fakt janë pakuptimshmëri e plotë. Të tilla dëgjojmë si p.sh. pyetja retorike ‘kur do bisedojmë’, ose ftesa e shtirur, ‘ejani të bisedojmë’(?), ose pohimi i zbrazët, ‘dialogojmë, por nuk negociojmë’ (?), ose ultimatumi, ‘dorëheqja është e panegociueshme’, ose ‘zgjedhjet e parakohëshme janë të panegociueshme’ e të tjera, që nuk i afrojnë palët drejt tryezës së negociatave.
Bisedimet, dialogu, negociatat janë pjesë të një tërësie intrumentash komunikativ që përdoren në vijueshmëri dhe në të njëtjën kohë dhe hapsirë dhe për qëllime të përafërta ose të njëjta. Bisedimet janë formë e shprehjes së mendimit nëpërmjet fjalëve. Në bisedime palët nëpërmjet shprehjes informohen reciprokisht midis palëve. Në diplomaci bisedimet janë faza e parë dhe njëkohësisht e përhershme e komunikimit të dy ose më shumë palëve. Dialogu është formë e shprehjes së mendimeve nëpërmjet fjalëve në mënyrë alternative dhe shkëmbyese midis dy ose më shumë palëve. Dialogu, krahas bisedimeve, pra informimit reciprok midis palëve, përmban edhe të drejtën e shkëmbimit të mendimeve, pyetjeve e komenteve reciproke. Në diplomaci dialogu është nivel më i lartë se bisedimet.
Ndërsa negociatat përmbajnë diskutime formale midis njerëzve ose grupeve të caktuara, të cilët kanë dallime synimesh dhe qëllimesh, sidomos në biznes dhe në politike, nëpërmjet të cilave palët përpiqen të arrijnë një marrëveshje. Si të tilla negociatat përmbajnë edhe informimin reciprok, edhe dialogn me pyetjet dhe komentet reciproke, edhe alternativat, opsionet dhe mekanizmat e propozuara nga palët, edhe arritjen e zgjidhjes me marrëveshje. Në diplomaci negociatat janë nivel më i lartë se bisedimet dhe dialogu. Pra, megjithë nuancat dalluese ndërmjet bisedimeve, dialogut dhe negociatave, ato sërish janë vetëm instrumenta komunikativ të realizimit të zgjidhjeve paqësore të problemeve, krizave dhe konflikteve.
Drejt negociatave, afër dhe larg
Në rastin konkret kriza politike e Shqipërisë ka kohë që ka nisur. Reagimet në rritje të njerëzve, pakënaqësitë përherë e më të shumta, protestat gjithnjë e më masive, veprimet dhe lëvizjet shoqërore tejet të gjallëruara janë shtrirë në kohë, në hapsirë dhe në shumë shtresa të vëndit. Veprimet e kohëve të fundit të opozitës me dorëzimin e mandateve parlamentare shënojnë përshkallëzimin e krizës, përtej së cilës vëndi mund të kalojë në mosbindje civile, në kaos dhe në anarki me pasoja serioze në të gjitha fushat.
Ndërkohë palët deri tani kanë biseduar pafundësisht në forma e rrugë të ndryshme, kanë dialoguar midis tyre në parlament, në konferenca shtypi, në debate mediatike. Dallimet e synimeve dhe qëllimeve të tyre tanimë njihen publikisht brënda dhe jashtë vëndit. Në këtë fazë të krizës bisedimet dhe dialogu janë thuajse të konsumuara. Ajo që qartazi mungon tani është negociata midis palëve, pra përpjekja e palëve për të afruar diferencat e synimeve dhe qëllimeve të ndryshme dhe të kundërta drejt një marrëveshje të pranuar për zgjidhjen e krizës.
Deri tani të dy plaët, mazhoranca dhe opozita vetëm kanë shpalosur synimet dhe qëllimet e ndryshme dhe të kundërta, por asnjëra nuk është shprehur në favor të negociatave. Përse palët i kundërshtojnë negociatat? Dy janë arsyet kryesore: së pari, palët nuk kanë aspak besim te njëra-tjetra. Mungesa e besimit është një nga pengesat kryesore që pamundëson zhvillimin e negociatave, sidomos në politikë. “Confidence first, than negotiation”, pra ‘besimi i parë, pastaj negociatat”. Përse nuk kanë besim? Arsyeja kryesore e mosbesimit qëndron kryesisht te ‘marrëveshja e majit 2017’, e cila konsiderohet si ‘dështim’ i opozitës nga mazhoranca dhe si ‘kurth pabesia’ i mazhorancës nga opozita. Për të dy palët kjo marrëveshje është testi i pabesueshmërisë të deri tanishme.
Së dyti, palët nuk ulen në negociata për shkak se kriza akoma nuk ka arritur pikun e saj. Piku i krizës, në kuptimin e vajtjes drejt negociatave do të thotë ardhja e momentit kur palët kanë arritur të përafrojnë forcat e tyre politike, kur asnjëra palë nuk është aq e fuqishme sa të imponohet mbi tjetrën, sikundër as aq e dobët sa të mos konsiderohet. Ky moment piku vjen nëpëprmjet zgjerimit dhe thellimit të mëtejshëm të krizës, proces në të cilin pala në pushtet vjen duke u dobësuar, ndërsa pala në opozitë vjen duke u fuqizuar. Kjo po ndodh. Sa do zgjasë, nuk dihet. Cfarë forme do arrijë piku i krizës, gjithashtu nuk e qartë.
Tentativa nga jashtë, dështimi dhe dinamikat
Në këtë tablo krize faktori ndërkombëtar po mban qëndrime të paqarta, të ndryshme e kontradiktore. Kështu mediat Perëndimore po rritin frymën kritike kundrejt mazhorancës dhe po mbështesin kauzën e opozitës. Disa institucione të BE po shpalosen pro mazhorancës dhe kritike me opozitën. Ndërsa ndër qeveritë nacionale të vëndeve të BE, disa duken më pro opozitës, disa më pro mazhorancës, ndërkohë që disa të tjera mbeten vëzhguese. Në ShBA media është kritike për mazhorancën dhe inkurajuese për opozitën. Nga administrata e ShBA qëndrimet janë dinamike, duke lëvizur nga shumë diplomatike, në më të drejtpërdrejta kritike ndaj mazhorancës.
Kjo tablo kaq diverse dhe dinamike ndërkombëtare në qasjen ndaj krizës shqiptare vjen gjithashtu për katër arsye: së pari, mungesa e informacionit të plotë dhe të argumentuar lokal dhe ndërkombëtar, politiko-diplomatik dhe mediatik rreth krizës. Së dyti, nga mungesa e maturimit të krizës, që nuk ka kulmuar ende sa që të shpalosë qartë shkaqet dhe burimet e saj. Së treti, nga mos përcaktimi i qartë i palëve në synimet dhe qëllimet e tyre si dhe për mjetet që po përdoren dhe do përdoren për arritjen e tyre. Së katërti, nga qasjet relativisht të ndryshme dhe shpesh të kundërta brënda vetë faktorit Perëndimorë dhe hezitimit për tu përfshirë në këtë krizë të brëndshme. Së fundi, nga përpjekja për të shuar qoftë edhe me retorikë epitetimin ‘Pranvera Ballkanike’, e cila do ishte e paparashikueshme dhe tejet e rrezikshme për Ballkanin dhe për vetë Perëndimin.
E para tentativë për të sjellë zgjidhje nga jashtë në krizën Shqiptare ishte nga një delegacion i PE që erdhi në fillimet e krizës. Delegacioni PE nuk e fshehu dot konfuzionin, mungesën e informimit, paqartësitë për burimet dhe shkaqet e krizës si dhe për synimet dhe qëllimet e opozitës. Delegacioni shfaqi ngurtësi politike, në sjellje, qëndrime dhe në gjuhën e përdorur. Me ngurtësinë politike dhe mangësinë diplomatike delegacioni e thelloi ndarjen midis palëve në krizë, në vënd që ta ngushtonte atë. Delegacioni i PE nuk bëri asnjë tentativë për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e krizës, por thjeshtë shpalosi një qëndrim politik të parafiksuar.
Ndërmjetësuesit e krizave politike kërkojnë angazhim diplomatik, pra përpjekje për gjetje kompromisi, nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe negociatave. Delegacioni i PE erdhi, foli dhe iku pa lënë pas asnjë impakt pozitiv në zgjidhjen e krizës politike. Delegacioni inkurajoi më shumë sec duhej mazhorancën dhe provokoi më shumë sec duhej opozitën. Pra fuqizoi më të ‘fortin’ dhe dobësoi më të ‘dobëtin’. Ky qëndrim zhbalancoi, në vënd që të balanconte palët në krizë si mënyra më e drejtë, më e saktë dhe më e dobishme për të kërkuar dhe gjetur zgjidhjen e negociuar. Me këtë qëndrim delegacioni i PE përkeqësoi më tej klimën politike në vënd. Ai thelloi hendekun midis palëve në krizë. Zgjati agoninë e vëndit. Konfuzoi palët. C’orinetoi opinionin publik.
Zgjidhja e mundshme nga faktori i brëndshëm politik e institucional
Demokracia është sistem dinamik, në lëvizje, në ndryshim, në zhvillim. Brënda sistemit politik demokratik, ndër të tjera ekzistojnë dy ligje të përhershme: konkurrenca dhe rrotacioni. Këtyre dy ligjeve demokratike nuk i shpëton dot politika. Por, nga vetë natyra e tyre këto dy ligje krijojnë, gjenerojnë e shpërthejnë kriza. Kjo e bën sistemin demokratik kundërshtar të stanjacionit. E bën sistemin demokratik të jetë vetëkorrigjues i vazhdueshëm. E bën sistem më të mirë se të tjerët. Ose, më pak të keq se të tjerët. Bashkëjetesa me krizat e bëjnë sistemin demokratik më të aftë për parandalimin, menaxhimin dhe zgjidhjen e tyre me rrugë dhe mjete paqësore.
Unë mendoj se politika shqiptare në këto 28 vjet ka fituar mjaft përvojë, për keq apo për mirë, dhe ka krijuar mjaftueshëm aftësi, nëpërmjet të cilave lypet të kërkohet dhe të gjehet zgjidhja e krizës aktuale brënda Shqipërisë. Politika shqiptare, përvoja dhe aftësitë e saj është momenti historik të demonstrojnë më së fundi se janë maturuar mjaftueshëm për të menaxhuar dhe zgjidhur krizat vetë.
Ky hap shumë i dëshirueshëm do i shërbente vëndit si dhe do arsyetonte plotësisht në sy të BE dhe 27 vëndeve antare të saj se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave për antarësim, ndër të tjera edhe për aftësinë e treguar për të zgjidhur me mjete paqësore politike dhe diplomatike krizën e saj të brëndshme. Në këtë mënyrë, kriza aktuale që deri tani duket problem serioz përballë BE dhe vëndeve anëtare, për hapjen e negociatave me Shqipërinë, me zgjidhjen së brëndshmi nga vetë politika shqiptare, do shndërrohej në një vlerë pozitive që do dëshmonte pjekuri të aktorëve dhe faktorëve politikë në vënd. BE dhe vëndet anëtare të tij nuk do e qortonin politikën shqiptare për krizën, por do e vlerësonin për vullnetin dhe aftësinë e saj për zgjidhjen politike e paqësore. Pra, klasa politike shqiptare do dëshmonte se ka arritur në një nivel Evropian në qasjen ndaj krizave politike dhe adresimit të tyre.
Në këto 28 vjet rrugë tranzitive drejt konsolidimit të demokracisë Shqipëria ka arritur të ndërtojë një sistem kushtetues institucional të plotë. Ky sistem kushtetues dhe institucional i krijuar me shumë mund dhe kosto për qytetarët shqiptar është momenti që të provohet në funksionalitetin e vet për zgjidhjen e krizave politike në vënd.
Lidhur me krizën aktuale, mendoj se nuk janë shteruar institucionet kushtetuese, të paanshme dhe mbi palët për zgjidhjen e krizës. Mosangazhimi i politikës shqiptare për gjetjen e zgjidhjes së krizës dhe mos shterimi i gjithë institucioneve kushtetuese të paanshme dhe mbi palët për ndërmjetësim do ishin në vetevete një dështim më i rëndë se edhe vetë kriza.
Në një vënd demokratik ku mazhoranca dhe opozita nuk janë në gjëndje të kërkojnë dhe të gjejnë zgjidhje të pranueshme midis tyre në interes të vëndit dhe të qytetarëve si dhe nuk shfrytëzohen institucionet kushtetuese të paanshme dhe mbi palët për zgjidhjen e krizave demokracia nuk funksionon. Në këtë proces mazhoranca ka peshën kryesore politike, opozita ka peshën kryesore morale, ndërsa institucionet kushtetuese të paanshme dhe mbi palët kanë peshën e tyre shtetërore.
Për opozitën, lidhur me krizën do thoja që është mirë të mbajë parasysh se kur hyhet në një rreth krize është e nevojshme të ketë edhe një strategji dalje prej saj. Nuk hyhet në krizë me formula të ngurta, me veprime ad hoc, ose me aksion të improvizuar. Hyrja në krizë pa strategji dalje nga ajo është me pasoja për vëndin dhe për vetë opozitën. Strategjia e daljes nga kriza dizajnohet me disa faza, me disa skenare dhe me disa zgjidhje. Është detyrë e opozitës të jetë e gatshme dhe e qartë në startegjinë e saj ndaj ofertave opsionale të mazhorancës.
Për mazhorancën, lidhur me krizën do të thoja që nevojitet të zbresë me këmbë në tokë, të shohë realitetin në sy, të heq dorë nga qëndrimet skematike, nga retorika propogandistike, nga sjelljet arrogante, nga klishetë mekanike dhe të mendojë jo për margjinalizimin dhe anatemimin e skajshëm të opozitës apo për sajimin e opozitave false, por për tërheqjen dhe përfshirjen e opozitës reale drejt një kompromisi politik. Është detyrë e mazhorancës që të ofrojë zgjidhje alternative, me sjellje tolerante dhe me frymë kompromisi ndaj opozitës.
Lidhur me faktorët kushtetues dhe institucional, konkretisht institucionin e Presidentit të Republikës, do thoja që nevojitet të angazhohet gradualisht për krizën, duke e ndjekur atë hap pas hapi, me paanësi dhe mbi palët si dhe me deklarime, qëndrime dhe veprime që i shërbejnë rritjes së besimit dhe garancive të tij tek të dy palët e përfshira në krizë. Në kushtet kur mazhoranca dhe opozita qëndrojnë në taborre më vete dhe të ngurta dhe gjëndja mund të përkeqësohet lind nevoja që të hyjë në lojë ky faktor i tretë i brëndshëm, kushtetues e institucional, konkretisht Presidenti i Republikës, i paanshëm dhe mbi palët për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës. Specifikisht, Presidenti Meta, me përvojën institucionale, peshën politike dhe statusin kushtetues mund dhe duhet ta marrë përsipër këtë rol.
Vetëm në rast dështimi i cdo përpjekje politike të brëndshme dhe i shterimit të institucionit kushtetues të paanshëm dhe mbi palët, athere mund të lind nevoja për ndërmjetësim ndërkombëtar. Por jo cdo faktor ndërkombëtar mund ta bëjë këtë rol, jo cdo delegacion i huaj ka vullnet për këtë mision, jo cdo i ardhur nga jashtë është i përgatitur për këtë sfidë, jo cdo përfaqësues i huaj ka paanësinë, besueshmërinë dhe kapacitetin për zgjidhjen e krizës. Natyrisht ‘dorëzimi’ sërish i politikës dhe institucioneve shqiptare në ‘duart’ e faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës do ishte dështimi i radhës, i cili do na largonte akoma më shumë nga shansi për hapjen e negociatave për antarësim në Bashkimin Evropian.