Greqia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duan të bashkëpunojnë ngushtë mes vete. Lista e detyrave është e gjatë. Por konfliktet kanë frenuar shumë projekte.
Një magjistrale të çon nga Greqia drejt kufirit të Shqipërisë. Por rruga përfundon këtu, sepse ajo është në pritje të ndërtimit nga pala shqiptare, e cila shumë ngadalë po i çon përpara projektet infrastrukturore, që pengon edhe zhvillimin ekonomik. Një shembull me simbolikë të fuqishme. Greqia është partneri më i rëndësishëm tregtar jo vetëm i Shqipërisë por edhe Maqedonisë Veriore. Megjithatë mes këtyre vendeve ka shumë pak lidhje ajrore. Me Marrëveshjen e Prespës është zgjidhur problemi shumëvjeçar për emrin e Maqedonisë Veriore, i cili konsiderohet nga shumëkush si historike.
Rrjetet rajonale
Problemet e rajonit janë një fenomen që zgjat më shumë se një shekull. Që nga koha antike dhe Perandoria Osmane në këtë rajon janë gërshetuar shumë kultura dhe raporte tregtare. Në veçanti Selaniku ka qenë asokohe një qendër kosmopolite. Kryetar i bashkisë së Selanikut Giannis Boutaris thotë se tani është vendosur një linjë e drejtpërdrejtë ajrore mes Selanikut dhe Stambollit. Në kohën kur kryeministri Alexis Tsipras ende hezitonte nga raportet me homologun maqedonas Zoran Zaev, ky i fundit ishte për vit të ri mysafir i kryebashkiakut të Selanikut.
Ndërkohë shumë komuna kanë vendosur të zgjidhin vet problemet ekonomike. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti thotë: “Qytetet në rajon po bashkëpunojnë mes vete shumë më mirë se qeveritë e rajonit. Në takimin e Selanikut me titull “Regional Forum”, ai shtoi: “Qytetet po përballen drejtpërdrejt me problemet e njerëzve, ndërsa ne duhet të kujdesemi për zgjidhjen e problemeve.”
Prishtina dhe Selaniku janë larg mes vete vetëm tre orë me makinë. “Kur shëtis nëpër Selanik, atje shoh edhe shumë njerëz nga Kosova, të cilët vijnë këtu për të blerë gjëra.” E njëjta vlen edhe për maqedonoveriorët, sepse Selaniku është më afër Shkupit se Athina. Por sfidat e rajonit janë të shumta. Infrastruktura, problemet me viza, bashkëpunimi në fushën e ekologjisë apo menaxhimi i mbeturinave janë probleme që mund të zgjidhen me një politikë të përbashkët.
„Ky rajon është pjesë e Evropës”
Me 2003 në Porto Carras, rreth 100 km në jug të Selanikut është mbajtur një samit i BE, në kohën kur Greqia ishte kryesuese. Pjesëmarrësit premtuan se Ballkani Perëndimor do të ketë perspektivë evropiane, por më parë duhet të reformohet ngjashëm sikur edhe BE-ja. Por kanë kaluar 16 vjet dhe reformat në shumë vende ende mungojnë. Dhe pikërisht Greqia ka mësuar gjatë kësaj krize se çfarë do të thotë anëtarësia në BE.
Ish-kryeministri grek Georgios Papandreou ishte në vitin 2003 ministër i Jashtëm. “Në kohën e presidencës greke është thënë për herë të parë se ky rajon është pjesë e Evropës”, thotë Papandreou në intervistë me DW. Greqia si vend anëtar i BE mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë rrugë. “Ne duhet të marrim proceset në duart tona dhe duhet të ecim përpara.”
Rritja ekonomike me ndihmën greke
Realiteti është megjithatë më i vështirë. Konfliktet politike dhe klima e keqe atje, janë acaruar për shkak të konfliktit rreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Profesori grek Christos Nikas është i shqetësuar: “Gjendja ekonomike në këto vende është dëshpëruese. Ato janë shumë larg vendeve të BE si Çekia apo Hungaria. Shkaku kryesor është se këto vende kanë ndërprerë bashkëpunimin pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. Ato përpiqen të etablohen në tregjet, ku nuk kanë shanse serioze.”
Njëkohësisht edhe institucionet e këtyre vendeve paraqesin një pengesë për zhvillimin. Ndaj dialogu paraqitet si një hap shumë i rëndësishëm. Rajoni do të duhej të mësonte nga gabimet e Greqisë në aspektin ekonomik. Për Ballkanin Perëndimor është shumë me rëndësi të ndërlidhet me Perëndimin. Marrëveshja e Prespës mund të shënojë një kthesë në këtë drejtim, sepse Maqedonia Veriore nuk do të jetë vetëm anëtare e NATO-s por së shpejti pret edhe hapjen e rrugës për anëtarësim në BE.
Por këto vende nuk janë në zë të mirë në Bruksel apo Berlin, për shkak të gjendjes së keqe ekonomike, mendon Dushan Reljiq, drejtor i zyrës së Fondacionit për Shkencë dhe Politikë në Bruksel. “Ballkani Perëndimor nuk është një burim i humbjeve ekonomike. Prkundrazi vendet e BE kanë arritur një bashkëpunim ekonomik me vendet e këtij rajoni prej 100 miliardë euro në dhjetë vitet e fundit.”
Takimi në Selanik mund të sinjalizojë një fillim të ri në këto raporte. Ndërsa Greqia pas kalimit të krizës ekonomike mund të shndërrohet në një mbështetëse të rëndësishme të proceseve edhe në Ballkanin Perëndimor.