(Ditë përkujtimi për babanë tim, Bajram BERISHA)
Sot, (e premte, 15 shkurt 2019) u bën plot dyzetegjashtë vite që shkove në amshim, o plaku im, dhe asnjëherë nuk mu hoqe qafet, nuk mu ç’kape nga mendja e zemra. E sot, edhe damarët e gjakut m’i trazon dhe në të njëjtën kohë m’i ëmbëlson me madhështinë tënde, me këshillat më njerëzore…
Sot, kujtimin ma ktheve pak më ndryshe: ishe diku në sosje të momenteve të fundit të jetës, kur të pashë duke e pushuar trupin në barin që e kishe kositur. Sfidë e madhe ishte, sepse, edhe në ato momente doje të fitoje pak lekë për kafshatën e familjes.
Ngadalë t’u afrova dhe t’i putha faqet plot rrudha. Hape sytë, me shikove e të shikova gjatë… Dhe, të dyve lotët na tradhtuan, të cilët thanë e shprehen shumëçka!
Pastaj, ma vure dorën në faqe dhe më pate thënë: “Biri im, më është kalbur trupi,… nuk e do më…”!
Tash e dyzetegjashtë vite, pas frymës së fundit, që ishe në duart e mia që m’i përcëllonte malli, filloi të binte shi,… edhe bubullonte! Po, po. Kjo është e vërtetë, që është rast i rrallë që në shkurt të bubullojë nga moti i lig…!
Or plaku im, edhe sot, beso shi po bie,… edhe sot të kujtoj dhe kudo që preku trupin tim has në fuqinë tënde dhe ma ke dhuruar… Më pate thënë atëherë: Fjala e ëmbël është dukat, ruaje dhe shpërndaje… kurse, barin kosite mirë, se i riu pastaj mbinë më me sukses dhe është më i shëndosh… Edhe tokën ruaje e kultivoje se bima në te merr krahë bereqeti…
Më pate thënë edhe shumë gjëra të tjera, që i ruaj me fanatizëm si thesarin e paparë…!
Plaku im me plisin e bardhë, edhe pas dyzetë e tri vjetësh, sot e përgjithmonë jemi bashkë duke biseduar, dhe, athua prej atëherë a ka ndërruar diç në etjen tënde e në shkrumbin tim?!…
Po, sa fortë jemi të lidhur, o babi im, edhe pse, sot ndryshe ta puthi ballin, i cili lartë të qëndron! T’i puthi sytë, që shikimin ma kthjellojnë e mendjen ma shndërrojnë në fjalë të dëlirtë e të ëmbël, në mendim të mprehtë për fatin e njeriut, të kombit dhe të njerëzimit…!
O, plaku im! Sot pas dyzetë e tri vitesh në amshim, duke të përkujtuar e duke të përqafuar, nuk do të derdhim lot, por dhembjen bashkë do ta bëjmë këngë, o flokëthinjuri im, sepse, Ti vetëm kështu kishe dëshirë.
Pra, eja te të puth dhe krahëhapur të ecim tutje, edhe pse të dytë me thinja kohe,… por me histori të ndritur mbi supe dhe me krenari në zemër e në shpirt…!
Babi im, Ti përjetësisht jeton në ne dhe me ne!
Kaq bisedoi me Ty djali yt, Sejdi BERISHA.
(Pejë, e premte, 15 shkurt 2019)