Fëmijët mbi moshën 9 vjeç në Shqipëri kanë akses të palimituar në internet. Një raport i UNICEF ka nxjerrë në pah se 77% e fëmijëve përdorin telefonin çdo ditë dhe qëndrojnë mesatarisht 3 orë online, duke përdorur edhe kamerën pa dijeninë e prindërve.
“Eksperienca e fëmijëve shqiptarë nuk ka asnjë ndryshim me atë të fëmijëve te vendet e tjera. Shumica e fëmijëve të moshës 9 vjeç kanë akses në internet përmes celularit, tabletit dhe kompjuterit”.
Shifrat bëhen alarmante kur sheh se 25% e fëmijëve bisedojnë online me dikë që nuk e njohin në jetën reale, dhe 16% kanë shkuar më tej duke takuar dikë që e kanë njohur fillimisht në internet.
“Shpjegimi dhe përgatitja e fëmijëve për rreziqet dhe si të parandalojnë risqet, çfarë të bëjnë në fazat fillestare është pjesë e zgjidhjes. Pjesa e parë e zgjidhjes është të minimalizojmë risqet, që të kemi mundësi të adresojmë çështje që në fazat fillestare, që do të thotë se ne kemi nevojë për kapacitete të forta në zbatim të ligjeve, oficer policie, prokuror, gjykatës, punonjës social, mësues, që të bëjnë më shumë rreth çfarë po ndodh në botën dixhitale”.
Bullizimi online është një nga risqet më të përhapura në kohën dixhitale, ndaj ngritja e strukturave eficente për të mbrojtur të miturit mbetet një sfidë.
“Në Shqipëri janë vetëm disa njerëz që mund të jenë të përgatitur mjaftueshëm për të adresuar këto çështje si në shoqërinë civile ashtu dhe strukturat ligjore”.
Interneti përdoret për argëtim dhe rrjete sociale, Youtube është faqja më e përdorur, për t’u ndjekur më pas nga Instagrami dhe Facebook. Për ekspertët e UNICEF, lundrimi në internet është forma e re e të mësuarit, dhe ajo nuk duhet ndalur.
“Në kohën moderne fëmijët dhe të rritur mësojne pak më ndryshe se në shekullin e XVII apo VXIII. Është e njëjta gjë të imagjinosh një fëmijë në kohën tonë, të ndalosh të luajë jashtë, sa e tmerrshme është, të shikosh nga dritarja kur të gjithë luajnë, e njëjta gjë është të ndalosh fëmijën tënd nga mësim apo eksplorimi i botës në internet, ai do të ndihet i përjashtuar, kjo është pse them që interneti nuk është një monstër. Ai i ka të dyja të mirën dhe të keqen”.
Prindërit dhe mësuesit janë më pak të informuar rreth teknologjisë se sa fëmijët.
Nisur nga ky fakt UNICEF ka hartuar edhe një sër programesh për të ndihmuar më mirë ato se si t’i shpjegojnë fëmijëve rreziqet që vijnë nga interneti.
Tv Klan