Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë në largim, Wess Mitchell ka vlerësuar së Marrëveshja e Prespës dhe anëtarësimi i ardhshëm i Maqedonisë në NATO, janë momente historike, të cilat do të kenë ndikim pozitiv në stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

“Arritja e Marrëveshjes së Prespës dhe hyrja e saj në fuqi, e shoqëruar me anëtarësimin në NATO, janë momente historike të arritjeve të jashtëzakonshme me të cilat Maqedonia duhet të krenohet “, tha Mitchell në një bisedë me kreun e diplomacisë maqedonase, Nikolai Dimitrov në Uashington.

Ministra e Punëve të Jashtme e Maqedonisë ka njoftuar se ministri Dimitrov e ka njoftuar zyrtarin e Departamentit të Shtetit, Wess Mitchell, lidhur me aktivitetet e ardhshme rreth ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Ministri Dimitrov, shfaqi shpresën se ratifikimi i këtij dokumenti nga ana e Senatit amerikan do të ndodhë shumë shpejt.

Shefi i diplomacisë maqedonase po qëndron në Uashington ku përveç takimeve më zyrtarë të lartë të administratës amerikane do të marrë pjesë edhe në takimin ndërministrorë të koalicionit në luftën kundër “Shtetit Islamik”.