Antonio Guterres paraqiti prioritetet e organizatës që drejton. Diplomacia për paqen, klima, zhvillimi i qëndrueshëm, qeverisja më e mirë dhe forcimi i vlerave të OKB në gjithë botën, janë çështjet me me prioritet.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres kërkon të përballojë me ndihmën e OKB “botën e trazuar” të vitit 2019. Në një fjalim 23 minutësh të mbajtur para Asamblesë së Përgjithshme, në një sesion jozyrtar, Guterres tha para shteteve anëtare: “Nuk është e vështirë për të kuptuar pse shumë njerëz kanë humbur besimin tek politika dhe tek Kombet e Bashkuara. Por, pavarësisht pengesave dhe fatkeqësive, Kombet e Bashkuara kanë bërë një ndryshim real vitin e kaluar dhe ne duhet të bëjmë këtë vit edhe më shumë.”
Sukseset e vitit 2018
Ai përmendi ndër sukseset e 2018 paqen e arritur në Jemen, Liberi, Sudan, gadishullin Korean dhe midis Etiopisë dhe Eritreas. Ai numëroi progresin e arritur në Katovicë për ndryshimin e klimës, ku të gjithë ranë dakord për zbatimin e marrëveshjes së Parisit. Global Compact për migracionin dhe për refugjatët si dhe rishikimi i angazimit në operacionet paqeruajtëse dhe reformimi i OKB, ishin po ashtu arritjet e vitit që shkoi.
Sekretari i Përgjithshëm pranoi se shumë njerëz e shohin OKB si joefektive, të rënduar dhe burokratike, dhe shjpegoi se organizata është duke reformuar vetveten për t’u bërë më e zhdërvjellët, më efektive dhe fleksibel, dhe më eficiente. Prandaj këtë vit duhet bërë më shumë.
Diplomacia për paqen
Për Guterres “partneritetet janë shumë të rëndësishme”, sidomos në Afrikë për të arritur qëllimet e OKB për konsolidimin e paqes në Sahel, Mali, Sudanin Jugor, Somali, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Republikën Demokratike të Kongos. Për konfliktet e tjera në Jemen, Libi, Siri dhe Afganistan kërkohet “uniteti dhe mbështetja e Këshillit të Sigurimit”. “Në përpjekjet për t’i dhënë fund konflikteve në botë, ne kuptojmë se paqja e qëndrueshme duhet bazuar në konsensus të gjerë të shoqërisë, me pjesëmarrjen e gruas në të gjitha proceset e paqes”, tha Guterres.
Ambicie më të mëdha për klimën
“Nuk ka sfidë më të madhe për botën sot dhe nesër sesa ndryshimi i klimës”, tha Guterres duke kujtuar shtetet anëtare se deri në vitin 2020 duhen arritur synimet dhe duhen vendosur synime të reja” në mënyrë që deri më 2050 të shkojmë në nivel zero dioksidi karboni që lëshohet në atmosferë. Për klimën do të organizohet një samit në shtator ku do të bëhen bashkë liderët politikë, komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile.
Teknologjitë e reja
“Megjithë përpjekjet e qeverive dhe palëve të tjera, ndryshimet transformuese për Axhendën 2030 nuk janë arritur, thotë Sekretari i Përgjithshëm. Ai i bëri thirrje shteteve anëtare të fokusohen tek puna për reduktimin e varfërisë dhe pabarazisë duke forcuar ekonominë dhe ruajtur ambientin.”
Teknologjitë e reja mund të turbullojnë përpjekjet për paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm. Përpjekjet e OKB do të fokusohen këtë vit në reduktimin e pabarazisë digjitale dhe sigurinë që teknologjitë e reja të përdoren për mirë.
Rikonfirmim i vlerave të OKB në botë
“Drejtimin na e japin vlerat universale të Kartës së Kombeve të Bashkuara,e cila na bën të gjithëve bashkë,” thotë Guterres, duke cituar paqen, drejtësinë, digjitetin njerëzor, tolerancën dhe solidaritetin. “Sot këto vlera sulmohen në gjithë botën”, paralajmëron ai duke shpjeguar se është duke u zhvilluar një betejë ideologjike. Sekretari i Përgjithshëm kërkon përpjekje më të mëdha për të treguar se jemi të interesuar për shqetësimet e njerëzve.