Vajto xhaketë e vjetër luftëtari,
Lule-plagët me kujtime lufte,
Vajto atë burrë që ra nën plagë zjarri,
E mbeti lis në këmbë, nën palë flamuri.
Bylbyl që këngën zogjve ti ua vodhe,
Dhe me to këndove himnin e lirisë,
Me pika gjaku ëndrrën ia blatove,
Bujanit tënd, kurorës së Malësisë.
Klonin në Koshare e theve me afsh prilli,
Kur sllavët thurnin të vdekjes pëlhurë,
Plumbi ta stolisi ballin tënd prej divi,
Vdekja në gjunjë, tribun, nuk të pa kurrë.
Krejt fjalët e burrnis i mbijnë tek buza,
Krejt fjalët e dhimbjes i gëlojnë në sy,
Krejt tingujt e lahutës dridhen në tela,
Tek Lugjet e Verdha, Baca qumësht pi.
Mungon në logun e burrave djali trim,
Shtatlartë që i turret diellit ta kapë me dorë,
Ai që qan për dhimbjen e foshnjes në djep,
Në vdekjen e tij historia shkon dasmorë.
Këndo xhaketë e vjetër luftëtari,
Bylbylin që s’e nxë dot asnjë këngë,
Pranvera po të shkund dëshirat tek varri,
Dhe dhimbja e ujvarës po të bëhet nënë.
RAJMONDA MALEÇKA
Tiranë