Autoritetet amerikane kanë njoftuar se stuhia dhe reshjet e mëdha të borës kanë shkaktuar vdekjen e pesë personave. Moti i lig e ka përfshirë Kansasin, Nebraskan, Missourin, Iowan, Illinoisin dhe Indianan. Trashësia e borës ka shkuar në mbi 30 centimetra dhe vozitja është bërë e rrezikshme.
Të paktën pesë persona humbën jetën në aksidentet e shkaktuara nga rrugët e rrëshqitshme në Kansas dhe Missouri. Në mesin e viktimave ishin një grua dhe vajza e saj 14-vjeçare, vetura e të cilave u ndesh me një kamion të madh. Autoritet e Missourit kanë pranuar më shumë se tre mijë thirrje për ndihmë. Gjatë të shtunës janë shënuar mbi 700 aksidente dhe 1300 vetura kanë dalë nga rruga.
Njësitë policore të autostradave në Missouri kanë njoftuar se qarkullimi është vështirësuar dhe se vonesat për të arritur në destinacione të caktuara mund të jenë deri në tetë orë. Një rrugë në Indiana është bllokuar për disa orë pasi një kamion rrëshqiti dhe i bllokoi të gjitha korsitë e rrugës. Stuhia ka filluar të zhvendoset në lindje, me ç’rast trashësia e borës në Washington pritet të shkojë në 25 centrimetra.
Meteorologët kanë paralajmëruar se reshje më të mëdha të borës do të bien në Virgjinia. Guvernatori i Virgjinias, Ralph Northam, e ka shpallur gjendjen e emergjencës në mbrëmjen e së shtunës në mënyrë që vendi të përgatitet sa më mirë për këto kushte atmosferike, shkruan “The Guardian”.