Cilat janë 5 vendet më të mira për të punuar sipas sondazhit të Bankës Ndërkombëtare HSBC? Në krye të klasifikimit këtë vit është…

Sipas Bankës Ndërkombëtare HSBC, vendi më i mirë për “njerëzit ambiciozë që kërkojnë një shtysë në karrierën e tyre në vitin 2019” është Gjermania.

Ky është rezultati i një sondazhi të kryer te 22,318 persona që jetojnë jashtë vendit të lindjes, në 163 vende të botës. Arsyeja kryesore që i shtyn të rinjtë të lënë vendin e tyre të origjinës është pikërisht përmirësimi i kushteve të tyre të punës.

Për të përcaktuar rezultatet, pjesëmarrësit në sondazh u pyetën për të vlerësuar përvojën e tyre në punë në bazë të tetë pyetjeve të fokusuara te karriera. Përgjigjet e tyre u konvertuan në një vlerësim të përgjithshëm për vendin dhe u krahasuan me studimin e vitit të kaluar.

Faktorët e jashtëm, si klima ekonomike dhe politike, nuk u morën në konsideratë drejtpërdrejt, por mund të kenë ndikuar në vlerësimet e të intervistuarve.
John Goddard, kreu i HSBC Expat, dega bankare offshore e HSBC Group, tha se klasifikimi mund të jetë një shtysë për ata që kërkojnë të bëjnë një hap para në karrierën e tyre me një lëvizje jashtë vendit të lindjes.

Për herë të parë, në klasifikimin e këtij viti, Gjermania kapërcen Suedinë dhe Zvicrën. Nuk bëhet fjalë vetëm për kushtet e punës në vetvete. 65% e të intervistuarve e vlerëson vendin e punës më produktiv, kurse 70% e atyre që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit të origjinës thotë që ekuilibri jetë personale – jetë profesionale është përmirësuar duke u transferuar në Gjermani.

5. Zvicra

Zvicra renditet në vendin e pestë në klasifikimin e këtij viti. Vendi ka marrë një vlerësim të mirë veçanërisht për progresin në karrierë. Thuajse dy të tretat e të intervistuarve, apo 62%, thanë që Zvicra ofron një mjedis të mirë për zhvillimin e tyre profesional. Megjithatë 63% e të intervistuarve pretendonin një ekuilibër më të mirë mes jetës profesionale dhe jetës personale krahasuar me vendin e tyre të origjinës.

4.Emiratet e Bashkuara Arabe

Emiratet e Bashkuara Arabe, me Dubain dhe Abu Dhabin, qendra ekonomike, renditen në vendin e katërt, duke ruajtur pozicionin për të katërtin vit me radhë si vendi më i mirë për ata që duan të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit të origjinës.

Emiratet e Bashkuara Arabe vlerësohen veçanërisht për lehtësitë ekonomike. 95% e të intervistuarve thanë se kanë pasur përfitime si pjesë e kontratës së punës – niveli më i lartë në botë, ndërkohë, thuajse tre të katërtat (73%) thanë që perspektiva e tyre e fitimeve ishte më e mirë se sa në vendin e lindjes. Thuajse gjysma e të intervistuarve thanë se kultura e punës ishte më e mirë se sa në vendin e origjinës.

3.Britania e Madhe

Pavarësisht Brexit, Britania e Madhe është ngjitur me 6 pozicione, duke u renditur e treta në klasifikimin e vendeve më të dëshiruara për të jetuar dhe për të punuar. Me perspektiva të mira për zhvillimin profesional dhe personal, Britania e Madhe ka fituar pikë këtë vit për një ekuilibër të mirë mes jetës profesionale dhe personale dhe pagave të larta. Pjesa më e madhe e të huajve që jetojnë dhe punojnë në Britaninë e Madhe (58%) thanë që kultura e punës është më e mirë se në vendin e origjinës. Sipas të intervistuarve, Britania e Madhe është vendi më i mirë për të mësuar aftësi të reja dhe vendi i katërt më i mirë për të ngjitur shkallët në karrierë, duke lënë pas Hong Kongun, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Singaporin.

2.Bahrejni

Këtë vit, Bahrejn renditet në vend të dytë (+10 pozicione nga viti i kaluar) si vendi i dytë më i mirë për të huajt për të jetuar e për të punuar, falë lehtësive të shumta në kontratat e punës. 77% e të intervistuarve thanë se perspektivat e tyre të fitimeve ishin përmirësuar në Bahrejn krahasuar me vendin e origjinës (62% vitin e kaluar). Përveç lehtësive të shumta në kontratën e punës, Bahrejn fiton pikë edhe në zhvillimin e karrierës.

1.Gjermania

Në krye të klasifikimit këtë vit është Gjermania. Besnike ndaj reputacionit për efikasitetin, Gjermania është konsideruar edhe si një vend për progres në karrierë, me 65% e të intervistuarve që e cilëson si vend “produktiv”. 70% e të intervistuarve thonë që ekuilibri mes jetës profesionale dhe asaj personale është përmirësuar që kur është transferuar në Gjermani. Të huajt që jetojnë dhe punojnë në Gjermani e vlerësojnë vendin për kulturën e punës dhe nivelin e sigurisë në punë. Thuajse tre të katërtat e të intervistuarve raportuan për përmirësim të sigurisë në punë në Gjermani krahasuar me vendin e origjinës.