Nga Xheladin ZENELI – Amerikë
Nga shtetet ballkanike vetëm Kroacia ka përfaqësuesit e diasporës së vet në parlamentin kroat. Në shenjë respekti për kontributin e rëndësishëm që diaspora kroate ka dhënë në Pavarësinë e Kroacisë si dhe për kontributin e saj në përgjithësi, për shtetin e origjinës së vet, në vitin 1995 është aprovuar ligji për përfaqësimin e kësaj diaspore në organin më të lartë legjislativ të shtetit të tyre, me ç’rast është krijuar zona e posaçme zgjedhore dedikuar zgjedhësve të diasporës.
Numri i mandateve të Diasporës mund të shkoi deri në 6, por numri i saktë i këtyre mandateve përcaktohet pas çdo zgjedhjeje, mvarësisht nga numri i atye që votojnë jashtë, pra në vendet e tyre rezidente.
Megjithëse me vonesë, kohëve të fundit po flitet për një përfaqësim të tillë dhe po dalin në sipërfaqe edhe iniciativa konkrete zyrtare nga ana e dy shteteve tona .
Inkuadrimi i Diasporës Shqiptare në proceset politik bërëse në Atdhe dhe Vendlindje jo vetëm që është i nevojshëm por edhe i domosdoshëm.
Përfaqësimi i Diasporës, jo vetëm në kuvendet qendrore të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe jashtë shteteve tona administrative, në kuvendet e vendbanimeve (komunave) ku shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët, do të ishte një fillim i mbarë në këtë drejtim dhe nëse realizohet me qëllime të mira dhe pa interesa të caktuara, do t’i shërbente në rend të parë në mënyrë pozitive marrëdhënieve Diasporë-Atdhe si dhe do t’i jepte Diasporës të drejtën e inkuadrimit të saj në marrjen e vendimeve të përbashkta që kanë të bëjnë me të ardhmen e popullit dhe Atdheut tonë.
__________
Titulli redaksional i Limit.al
Xheladin ZENELI është i Anës së Malit, i një treve etno-historike shqiptare nën Malin e Zi. Ka qënë deputet shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi. Tani jeton e veprimtaron në New York të Amerikës, me zemrën e penën e tij, me Shoqërinë Civile, etj. për të mirën e Kombit Shqiptar, për trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi.